Flamurtari është gati që të marrë masa ndaj futbollistëve që mbyllën sezonin për prishje të imazhit. Në zyrat e klubit, së fundmi kanë mbërritur ankesa të shumta nga pronarët e shtëpive ku lojtarët "jabanxhinj" kanë jetuar me qira.
Nëse zakonisht jemi mësuar që të flitet për qira të padhëna, këtë herë historia është krejt e ndryshe. Pronarët këtë herë janë ankuar për rrëmujën që kanë gjetur në banesat e tyre që i patën lëshuar me qira për lojtarët kuqezinj. Gjendja e tyre pas largimit ka qenë katastrofë.
Në klub nuk duan që të zbulojnë emrat e lojtarëve "problematikë", por burime pranë vlonjatëve pohojnë se nuk përjashtohet mundësia që të jenë edhe lojtarët kosovarë veç "jabanxhinjve" të tjerë.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për rrëmujë, papastërti apo prishje të objektiveve të shtëpisë, pasi ankesat kanë shkuar edhe më tej. Dhe ndoshta kjo është pika që shqetëson më shumë drejtuesit kuqezinj. Pasi kanë ikur këta lojtarë, pronarët e shtëpive kanë gjetur shishe birrash dhe pijesh të tjera alkoolike, madje edhe prezervativë.
Konfirmimi - Administratori Sinan Idrizi ka konfirmuar për "Panorama Sport" se në klub kanë mbërritur ankesa nga pronarët e shtëpive. Numri një i skuadrës së Flamurtarit tha se këto veprime kanë prishur imazhin e klubit dhe në këto kushte do të ketë masa ndëshkuese ndaj tyre.
"Kam informacion se disa lojtarë i kanë lënë shtëpitë në mënyrë të çrregullt dhe u janë gjetur në shtëpi edhe pije alkoolike pa fund. Nuk mund të tallen dot me Flamurtarin ata. Do të ketë masa ndaj tyre për prishje të imazhit të klubit", u shpreh shkurtimisht administratori për gazetën.
Masat - Drejtuesit e klubit janë të vendosur për të ndëshkuar lojtarët që kanë lënë shtëpitë në kushte të papërshtatshme. Mësohet se masat ndaj tyre do të jenë ekonomike dhe administrative.
Ndërsa nuk bëjnë të ditur emrat e lojtarëve për arsye të etikës, krerët e Flamurtarit bëjnë me dije se ndaj tyre do të ketë gjoba financiare, parà që pritet që t'u mbahen nga pagat e pamarra.
Por një tjetër variant është ai i ndjekjes së tyre penalisht. Burime pranë klubit kuqezi sqarojnë se nuk mund të përjashtohet që futbollistët "rrëmujaxhinj" të çohen edhe në gjykatë. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë akuza do të jetë për "prishje të imazhit të Klubit të Futbollit Flamurtari".
Ermal Sika