Flasin shtate sibila te kohes sone

Flasin shtate sibila te kohes sone
Sibila të kohës sonë, ky është titulli i një cikli dokumentarësh nga Kelmend Karuni, që pritet të shfaqet së shpejti. Disa nga detajet e këtij punimi Keldi, ashtu siç e thërrasin të gjithë Kelmendin, do të na i zbulojë në këtë intervistë.

Ky është dokumentari i poeteshave. Janë shtatë poete shqiptare që do të ndjekin Keldin në një rrugëtim mjaft poetik e ekzistencial. Ky nuk është një dokumentar biografike e as kritikë nuk ka. Në thelb të tij qëndrojnë mendimet e këtyre poeteshave  mbi historinë, besimin, poezinë, artin, kohën dhe gjithçka tjetër që përbën shqetesime te njeriut bashkohor. Keldi i ka ndjekur këto poete përreth një vit. Ka qenë pjesëmarrës në çdo mbrëmje poetike ku poeteshat ishin të ftuara. Ka vendosur ta titullojë “Sibila të kohës sonë” këtë cikël dokumentarësh ku sibilat quhen: Luljeta Lleshanaku, Mimoza Ahmeti, Ledia Dushi, Flutura Açka, Luljeta Dano, Olimbi Velaj dhe Rita Petro. Nuk eshte thjesht nje ze femereor, por zeri i ketyre krijueseve qe jetojne kohen tone dhe nepermjet artit te tyre filtrojne esencen e saj. Këndvështrimet e tyre nuk shkojnë vetëm drejt koncepteve poetike.

Ato qasen drejt e në gjithçka që i jep vlerë jetës së njeriut. Keldi do të na tregojë në këtë intervistë diçka më shumë. Nisja, ideja, vështirësitë dhe përfundimi i një cikli dokumentarësh vjen sot nëpërmjet Keldit, djalit  që pasi studioi për ekonomi, saktësisht investime burse dhe që u kthye në Shqipëri për të qenë pjesë e Akademisë së Arteve e për të ndjekur rrugen e vertete sipas tij.

Keldi, si lindi ideja e një cikli dokumentarësh për poeteshat shqiptare?

Shkëndija e parë e idesë ka ardhur kur kam parë një dokumentar të vitit 1984,  “Kur flasim për poezinë” i realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, me autore  Ylli Demneri dhe Diana Gjiknuri, im at Ferdinand Karuni ka qene operator i ketij dokumetari. Në te duket sikur koha ka ndaluar për këta poetë. Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Natasha Lako e disa të tjerë flasin me poezinë e tyre. Ne te brezit te ri nuk kemi patur mundesi ti njohim keta artiste te letersise sone dhe kur i sheh ne te shkuaren, te rinj duken si nje nga ne, te prekshem, te demistifikuar, te gjalle. E njejta gje me nje poet rumun shume te njohur, qe une e kam shume perzemer, Nichita Stanescu. Ai kishte vdekur ne momentin kur une u njoha me poezine e tij, dhe kur kam para nje dokumentar me te personazh jam ndjere shume prane tij dhe botes se tij. Këtë desha edhe unë të bëja, sado elitare eshte poezia, une mendoj, qe eshte ketu ku vemnedja e njerezve duhet te drejtohet, duhet te njihen gjykimet estetike te ketyre intelektualeve, me te cilat mund te bien ose jo dakord, por ato qendrojne aty si kollona te ngritjes se civilizimit te shoqerise tone. .

Thone qe nje liber duhet ta lexosh me te njejtin kujdes dhe maturi me te cilin eshte shkruar. Po poezia qe mbart nje univers te tere ne njesi aq te shkurter. Ndaj une them Ndal, dhe reflekto. Pertej kesaj, ky dokumentar, erdhi edhe si  reagim kunder produktit që na ofrohet nga media sot, e cila gjithnje e me shume behet trumbete e triviales, banales, antivleres, pergjumjes mendore te shoqerise tone.

Procesi i hipnotizimit te  mendjeve tona vazhdon, shume shpejt do gjendemi te paralizuar, te pamundur per te gjykuar vete. Unë nuk dua të jem pjesë e ushtarëve të konformizmit, e ushtarëve mediatik që largojnë mendjet e njerëzve nga e bukura, nga arti, nga vullnetarizmi, nga bonsensi dhe mendimi. Ky dokumentar shpesh më është dukur si nje mllef i bukur ndaj asaj fasade politike që ofron media sot sepse këtij populli po i largohet vëmendja nga gjërat esenciale, sepse ai po mbijeton me plehrat që po i jep politika. Gjithe kjo arrakatje drejt pasurimit, e gjitha behet me koken ulur, pa pare as veten ne fytyre aq me pak njerezit rreth nesh. Po largohemi nga vetja, nga ajo cka na ben njerez, nga dashuria, nga e bukura, nga miresjellja nga besimi, duke treguar simptomat me te keqija te nje kapitalizmi te keqkuptuar. Keshtu endemi fort drejt vetmise, konformizmit dhe ftohjes.

Hyrja dhe përfundimi në këtë projekt qëlloi të realizohet njëlloj siç e menduat në fillim apo ka pasur edhe devijime nga projekti i parë?

Përqasja fillestare drejt këtij cikli dokumentarësh ishte ideja e realizimit të diçkaje “nga femrat prej femrave”. Shpejt kuptova qe ishte nje qasje jo thelbesore. Poezia nuk ka gjini, e as mendimi, Sa më shumë iu afroja botës së tyre, aq më shumë i largohesha konceptit të parë që kisha krijuar për këtë cikël dokumentarësh. Me kohën kuptova se mund te arrija dicka me te rendesishme duke nderthurur poezine ne gjendje te paster me mendimet e tyre mbi shqetesimet dhe ngjarjet e kohes. Fjala kyce eshte “Tani”. Ketu doja te mberrija. Nje tablo konceptesh per ne, Tani. Duhet thënë edhe se qëndrimi pranë tyre më dërgoi në shtigje dhe ide të reja.

Ky cikël dokumentarësh ka një lloj ndarjeje. Si vjen kjo ndarje dhe a ka detaje të tjera që mund t’i ndash me ne?

Janë shtatë poetesha. Secilës prej tyre i kushtohet një material më vete, nje bisede dhe nje qasje me vete. Secila është e ndarë nga tjetra, por të gjitha janë të barabarta. Minutazhi dhe vëmendja që i kam ofruar njërës është e njëjtë për të gjashta të tjerat. Pyetjet janë të ndryshme, përgjigjet gjithashtu. Nuk flitet për fillesën e tyre dhe as për detaje biografike. Nuk ka kritikë të poezisë së tyre. Biseda ka ardhur shumë spontane. Takimet janë bërë në ambiente publike, aty ku ka njerëz që jetojnë e frymojnë si çdo ditë tjetër. Ekziston një magji e madhe tek “e papërsëritshmja”. Ky dokumentar nuk ka dubla, nuk ka përsëritje imazhi, nuk ka një provë të dytë. Biseda i falet momentit pa ndërhyrë dhe pa bërë përsëritje. Është një lloj videoje që nuk ka elementët e dokumentarit që na ka ofruar tradita, pra është një dokumentar pa elementet e një dokumentari tipik.

Pse ky titull?

“Sibila të kohës sonë” është titulli. Isha në dyshim mes këtij titulli dhe “7 nuanca të së vërtetës”. Zgjodha atë të parin duke e lënë këtë të dytin si nëntitull, në përpjekje për të mos e zhdukur fare. Sibilat janë shkëputur nga mitologjite e botes antike e sidomos greke. Sibilat janë orakujt femra. Ato lajmërojnë diçka, kanë zë dhe peshë. Ato janë orakuj të fateve dhe çështjeve ekzistenciale.

Për çfarë i keni pyetur këto shkrimtare?

Pyetjet janë shkëputur nga një gamë e gjerë që i përkasin çështjeve ekzistenciale. Estetika, etika, dashuria, historia, lindja, vdekja e gjithçka tjetër që përbën jetën e njeriut. Ekzistenca dhe raporti i tyre me kohën, besimin apo instinktet. Ato janë prej mishi, njëlloj si të gjithë ne. Kam mundur t’i pyes për kaosin që ofron bota moderne apo ku po shkon koncepti i familjes sot. Të gjitha pyetjet ndryshojnë nga njëra poete tek tjetra. Për shembull,  Luljeta Lleshananklun e kam pyetur për vlerësimet historisë, kohës, të kaluarës, per konceptin e te drejtes. Këtë pyetje nuk e përdora kur bisedoja më Mimoza Ahmetin. Me Rita Petron kemi folur për erosin, familje, çiftet dhe për dashurinë. E bukura qëndron se në këto biseda ato nuk e shohin veten si femra krijuese, por si njerëz të një bote si e jona, njerëz që i zë syri çdo ditë plehra dhe padrejtësi. Ato jetojnë dhe flasin për të njëjtën botë që jetojmë të gjithë ne, për botën shqiptare. Të gjitha flasin me një gjuhë të pastër e të thjeshtë, gjuhën që ofron shoqëria shqiptare sot.

Cila ishte biseda më e ngrohtë? Cila dinte të luante më kamerën? Udhëtimi më i bukur?

Me Rita Petron kemi qenë tek Metalurgjiku, në Elbasan. Unë madje nuk dija as si t’ia shpjegoja pse ishim aty. Poezia e saj më ofronte diçka potente dhe të egër, gjë që unë e lidhja me llavën që dilte për të shkrirë hekura, një llavë shkatërruese që të kujton furrat e Aushvicit. Ky është një udhëtim shumë i bukur. Kur u  nisa nuk isha kaq i sigurt për bukurinë që do të na ofronte ky udhëtim. Me Luljeta Danon kam bërë një udhëtim që nuk do ta kisha menduar kurrë për një vajzë që gjithmonë më është dukur e ndrojtur.  Ajo tregohet shumë shumë e çlirët dhe e zakonshme në bisedë, kemi qene ne vende te panjohura per te dy si ne gjeografi e ne besim e botekuptim. Sipas saj cdo gje, madje dhe universi e ka zanafillen tek dashuria. Me Mimoza Ahmetin kohen nuk e kishim në dispozicionin tonë. Atë e thërrisnin punët në Kanada. Ajo nuk heziton të këndojë një këngë në cepin e një lokali, një këngë vetëm për dokumentarin tim. Olimbi Velaj nga ana tjetër të ofron një bisedë konkrete, të mishtë, të prekshme e madje shumë serioze, qe ne sekondat e para ndiheshe si krijohej nje miqesi me te. Luljeta Lleshanakun e përmenda pak më sipër për imazhin që të ofron vetë ajo dhe arti i saj, një yjesi imazhesh të jashtëzakonshme. Me Ledia Dushin kemi udhëtuar deri në Zogaj, në liqenin e Shkodrës.

Aty zbulova se ajo këndonte shumë bukur, sidomos këngët qytetare shkodrane. Ajo nuk ishte më poetesha që unë njihja, një femër shumë emotive. Dhe aty në një udhëtim si ky ne mundëm të flisnim për vështirësitë e të punësuarit, për vështirësitë e të siguruarit te jeteses. Flutura vjen si një kapedane në këtë dokumentar. Unë isha i bindur se gjërat nuk i vinin në mënyrë rastësore por ajo i zgjidhte. Ajo më tregoi se për të pasur një gradë të atillë lirie duhet të luftosh që ta fitosh atë. Rita me mahniti me lehtesine qe te krijonte ajo vajze per te komunikuar e per te folur edhe per gjerat me te fshehta te shpirtit.

Cilat janë vështirësitë që kanë lindur gjatë realizimit të këtij cikli dokumentarësh?

Ky cikël dokumentarësh eshte prodhim i Digitalb e do të jepet së shpejti në kanalin T. Unë kam pasur me këtë platformë dixhitale edhe bashkëpunime të tjera. Jam i lumtur qe më kanë lënë liri dhe hapësirë të kënaqshme për të realizuar idetë e mia, duke besuar ne vizionim tim. Ndërsa, për sa i përket realizimit sigurisht që ka vështirësi. Stili i punes eshte si doku verite, jemi 3 veta me mjete teknike disi te limituara qe organizojme dhe realizojme xhirimet. Me keto zonja te poezise, jam kuptuar per mrekulli qe kur jam prezantuar, por veshtiresite linden per trajtimin filmik te poezise se seciles. Të marr si shembull Luljeta Lleshanakun. Poezia e saj, sipas meje ka një aftësi të jashtëzakonshme për ta mbushur mendjen tënde me imazhe. Imagjinata jote fillon e i nënshtrohet fjalëve të saj vizualisht, te dikton. Mirëpo, mua më duhet të gjej një imazh pertej asaj që përcjell poezia e saj. Dhe unë e kam ndier  veten ngushtë kur jam vënë në kërkim të një imazhi më të lartë artistikisht se sa ai që ofron poezia e saj. Nga ana tjetër, Flutura ka një rebelim poetik me përmasa të mëdha. Gjithë ai vrull duhet nxjerrë në pah. Ndoshta nuk duket e vështirë me fjalë, por të gjesh elementet e duhur për të nxjerrë në pah vrullin e Açkës nuk është edhe aq e thjeshtë. Ashtu si edhe përshtatja e montazhit me materialet e filmuara për secilën për këto shkrimtare.

Si e shihni dokumentarin sot dhe nesër?

Për  mua dokumentari është një thesar që mund të përmbajë vlera të jashtëzakonshme artistike dhe që mund të realizohet me fonde të vogla. Dokumentari nuk të kufizon në nivelin artistik, nuk ka sekonda të blera shumë shtrenjtë. Cdo dokumentar eshte nje udhetim shpirteror, eshte nje biblioteke njohjesh dhe perjetimesh. Ai është stërvitja që i bëhet trurit për të qenë i përgatitur për filmin. Por, dokumentari sot tërhiqet prej hundësh nga mënyra se si e trajton media. Dokumentari eshte nje gjini e forte, goditese, duhet rajtuar si e tille. Gjithçka varet nga marketingu, si çdo copëz tjetër e artit në Shqipëri.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama