Pas shpërthimit të ish-trajnerit Klodian Duro, i cili akuzoi se stafin e kishte kundër, reagon Kukësi. Është vetë presidenti Safet Gjici që në një prononcim për "Panorama Sport" e cilëson si kapitull të mbyllur historinë e Duros, ndërsa evidenton se këto deklarata nuk janë etike.
"E kam sqaruar një herë këtë punë, nuk gjetëm akordin financiar me Duron, ndaj edhe iku. Nuk dua që të merrem më me këtë çështje, pasi kam punë shumë më të rëndësishme. Tani Hasan Lika është trajner i Kukësit dhe e kam mendjen vetëm te kalimi i tureve në Europë. Këto deklaratat e Duros nuk janë etike dhe profesionale, pasi është duke folur për personat me të cilët ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë.
Gjithsesi, i uroj suksese Duros, kudo që të jetë. I ka rënë pishmanit zotëria, por sikundër edhe e kam thënë, ai nuk ka akord me mua për financat. Kjo është krejt normale. Kërkesa që kishte Duro, mund t'ia realizoj ndonjë ekip tjetër. Unë e kam mbyllur këtë histori, nuk do të merrem më me këtë çështje", u shpreh kreu i klubit.
Dervishi
Gazeta kontaktoi edhe me drejtorin e përgjithshëm, Dritan Dervishi. Edhe ky i fundit ishte përmendur nga Klodian Duro në postimin e bërë në "Facebook". Dervishi sqaron pozicionin e tij për akuzat e ish-trajnerit, teksa evidenton që ai erdhi në këtë post 3 ditë para largimit të Duros, madje ishte vetë prezent kur ai refuzoi vijimin e bashkëpunimit për shkak të financave.
Ai thekson se stafi, me në krye presidentin Gjici, ka bërë mjaft mirë, produkt i së cilës ishte edhe fitimi i Kupës së Shqipërisë. "Presidenti Gjici ka sqaruar pozicionin e trajnerit dhe profilet tona të punës si staf. Çështja 'Duro' te Kukësi është e mbyllur. Unë kisha 3 ditë që kisha ardhur si drejtor i përgjithshëm në klub dhe e kam në stilin tim të punës që të jem në krah të trajnerit. Gjithnjë kam qenë dhe do të jem bashkëpunues me të gjithë pjesëtarët e stafit.
Sa për Duron, unë kam qenë vetë prezent kur atij iu ofrua një kontratë shumë e rëndësishme nga presidenti, por Duro e refuzoi. Pa ashtu dhe në takimin dytë. Kështu që nuk është mirë që ish-trajneri flet për stafin, sepse është ky staf që ka punuar për kaq vite që Kukësi arriti të marrë Kupën e Shqipërisë. Falë investimeve të presidencës, skuadra ka arritur në këto nivele. Ka klube fituese dhe presidenca fituese dhe Kukësi është ndër to.
Ky ekip ka një president fitues, i cili e mori Kukësin nga Kategoria e Tretë dhe tashmë po arrin majat. Kjo është arsyeja që edhe unë pranova të jem pjesë e këtij klubi. Ne jemi të përqendruar momentalisht te turi i parë i Ligës së Europës. Duam të shikojmë punën tonë.
Kemi ndërtuar një ekip të mirë dhe e kompletuar në çdo sektor, ndaj mendoj se mund t'ia dalim. Jemi në rrugën e mbarë", u shpreh drejtori Dervishi. Sakaq, Hasan Lika nuk ka preferuar që të komentojë fjalët e ish-trajnerit, edhe pse u pyet nga gazeta.
Skerdilaid Sulozeqi