Shkodran Mustafi shkroi historinë me Kombëtaren gjermane, duke fituar Kupën e Botës në Brazil. Por në Europianin e tij të parë me "pancerat" ka bërë debutimin e ëndrrave. Qendërmbrojtësi me origjinë nga Gostivari zuri vendin e titullarit në mungesë të Mats Humelsit dhe me shumë mundësi pritet ta lëshojë atë më 12 korrik në finalen e Parisit. 24-vjeçari shënoi golin e avantazhit ndaj Ukrainës, por edhe golin e tij të parë me fanellën e Gjermanisë.
Mustafi, shënuat golin e parë me Gjermaninë. Si u ndiet?
Në radhë të parë më gëzon fitorja në start të Europianit. Me këtë trepikësh hodhëm një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Unë gëzova për golin patjetër, pasi na dha më shumë qetësi në lojë.
Jeni i kënaqur me rezultatin?
Për mua ka qenë një sukses i dyfishtë: E para ishte fitorja dhe e dyta fakti që nuk pësuam. Realizuam gjithçka.
Rrezikuat së tepërmi, pasi Ukraina pati shumë shanse...
Ishte ndeshja e parë. Ukraina tregoi forcë karakteri, ndërsa ne u treguam të saktë. Pjesërisht ishte vërtet lojë e hapur që i ngjante shumë lojës angleze. Topi kalonte sa në anën tonë, sa te ukrainasit. Me siguri do të flasim me trajnerin dhe do të dimë ta bëjmë mirë punën tonë në ndeshjen ndaj Polonisë.
U gëzuat që shënoi edhe Shvajnshtaiger?
Të gjithë u gëzuam dhe festuam. Arma jonë më e fuqishme është bashkësia dhe forca e grupit. M'u bë shumë qejfi për Shvajnin. Ai ka vullnet pa fund për futbollin dhe është lojtar me zemër të madhe. Goli do t'i japë më shumë pozitivitet pas dëmtimit.
Einar Ibro