Klaudio Xhentile e di shumë mirë se çfarë do të thotë të markosh kundërshtarin. Mbrojtësi italian që "tmerroi" Maradonën dhe Zikon këshillon "axurrët" të bëjnë kujdes me Iniestën sepse ai është truri i skuadrës së Spanjës.
Ju ngjall frikë Spanja?
Duhet të kemi respekt sepse shumica e futbollistëve të Spanjës janë kampionë të Europës dhe kanë fituar shumë trofe. Kanë eksperiencën e duhur për t'i hapur punë Italisë.
Italia nuk është ajo e vitit 1982 apo ajo e 2006-ës. Ka ende shpresë për këtë kombëtare?
Po kërkojmë të marrim vendin që na takon. Nga kjo ndeshje do të kuptojmë nëse Spanja është favorite, apo Italia ka shanse për të bërë mrekullinë.
Në këtë Europian nuk kemi parë ende një "Maradona".
Asnjë skuadër nuk më ka pëlqyer. Vetëm Kristiano Ronaldo ka shkëlqyer sadopak. Prisja më shumë nga Ibrahimoviç.
Italisë i mungojnë 2 futbollistë të rëndësishëm si Markizio dhe Verrati. Do të ndihet mungesa e tyre?
Është një problem i madh për skuadrën tonë. Konte është munduar të gjejë alternativat për të pasur ekuilibër në skuadër. Megjithatë, Italia më ka pëlqyer shumë në dy ndeshjet e para.
Mendoni se mjafton markimi i Iniestës për të mundur Spanjën?
Iniesta është motori i skuadrës. Ai jep ritmin e lojës së ekipit të tij. Nuk duhet lejuar të shpërndajë topat për skuadrën e tij. Ai duhet të markohet rreptësisht siç bëja unë me Maradonën apo Zikon, ndoshta duke i dhënë edhe ndonjë goditje.
Do të shohim një tjetër 4-0?
Është e vështirë të bësh parashikime sepse këtë sfidë do ta vendosin detajet. Do të më pëlqente shumë të isha në fushën e lojës, sepse nuk kam luajtur shumë herë ndaj Spanjës. Do të jetë një ndeshje emocionuese.