"Federbet", kompania e monitorimit të basteve që denoncoi publikisht disa ndeshje të Skënderbeut si të dyshuara fort për trukim, ka një qëndrim të detajuar për dënimin e korçarëve. Sekretari i përgjithshëm i kësaj kompanie, Françesko Baranka, deklaron se nuk është vetëm Skënderbeu në listën e klubeve europiane që dyshohet se kanë trukuar ndeshje, por edhe disa të tjera nga vende të ndryshme.
Baranka bën të ditur në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport" se shumat e basteve që janë vendosur për disa ndeshje të Skënderbeut në Europë, por edhe në kampionatin vendës, ishin jashtë çdo logjike bastesh. Madje, ai thekson se të gjitha shumat e "çmendura" të parave luheshin në kompani bastesh aziatike.
Z.Baranka, a jeni në dijeni të vendimit të UEFA-s për dënimin e Skënderbeut me 1 vit mospjesëmarrje në Kupat e Europës?
Po, jam vënë në dijeni.
Ju mendoni se është vendim i drejtë apo i gabuar dënimi i kampiones së Shqipërisë?
Ky është një vendim i një Komisioni juridik dhe nuk më takon ta komentoj nëse është i drejtë apo jo. Ai do të zbatohet për aq kohë sa mbetet në fuqi dhe të gjithë duhet ta respektojnë.
Ju dhe veçanërisht kompania që drejtoni, "Federbet", shpeshherë ka publikuar raporte për dyshime të forta për trukim kundrejt disa ndeshjeve të Skënderbeut. A mendoni se këto raporte mund të kenë ndihmuar në dënimin ë Skënderbeut?
Jo, nuk di ta them këtë. Ndoshta po, por ndoshta edhe jo.
Ju i dërgoni raportet tuaja të monitorimit në UEFA?
Jo, ne nuk kemi lidhje me UEFA-n. Jemi një kompani që kryesisht bashkëpunon me Bashkimin Europian.
Në bazë të të dhënave që keni për lëvizjet e shumave të parave në baste, ju hartoni edhe raporte për ndeshje ku lëvizjet janë të dyshimta, apo jo?
Po.
Po çfarë bëni më pas me këto raporte?
I dorëzojmë në polici. Të gjitha raportet i dorëzojmë në polici.
Në cilën polici?
Këtë nuk jua them dot. Më vjen keq.
A keni dërguar raporte për Skënderbeun kohët e fundit?
Po, disa. Ka pasur disa ndeshje të Skënderbeut, ku lëvizja e koeficienteve dhe shumat e parave të vendosura kanë qenë jashtë çdo logjike.
Pse duhet patjetër që të ketë logjikë në një bast? Ndonjëherë mund të vihet edhe për tifozllëk...
Nuk është ashtu. Ka disa raste kur vendosen shuma të çmendura parash për baste që duken të pamundura. Kjo ndodh vazhdimisht... Po ju them se ne merremi pikërisht me rastet kur bastet dhe shumat tejkalojnë të gjitha limitet.
Sa janë afërsisht shumat e basteve që janë vendosur për një ndeshje të Skënderbeut, të cilën ju më pas e keni cilësuar të dyshuar si të trukuar?
Nuk ju them dot shifra konkrete, por po them që janë shuma të pabesueshme.
Ku vendosen këto shuma bastesh të pabesueshme, në cilin vend të Europës?
Jo, jo, nuk vendosen në Europë kësi bastesh. Ato vendosen gjithnjë në Azi. Në Europë nuk vendos dot baste të tilla.
Edhe për Skënderbeun bastet janë vendosur në Azi?
Po, të gjitha.
Bëhet fjalë për ndeshje në arenën europiane apo edhe në kampionat?
Më së shumti bëhet fjalë për ndeshjet në arenën europiane. Por kemi pasur raporte për Skënderbeun edhe për ndeshje të kampionatit shqiptar.
Ju si mendoni, a përbëjnë fakt kësi raportesh nga "Federbet", apo edhe nga kompani të tjera që bashkëpunojnë me UEFA-n për të dënuar një klub?
Këtë e di UEFA. Ne thjesht japim indicie për baste ku luhen shuma parash në mënyrë të dyshimtë. Por, kam përshtypjen që UEFA e ka dënuar Skënderbeun për ndeshje që ka luajtur në arenën europiane. Kështu ndodh shpesh. Nëse një skuadër trukon ndeshje në kompeticionet ku UEFA është organizatore, atëherë ata nuk të falin...
A keni pasur ose a keni dorëzuar në polici raporte për ekipe të tjera shqiptare?
Po, ka ndodhur që edhe ekipe të tjera shqiptare kanë përfunduar në raportet tona. Gjithnjë për shkak të basteve të dyshimta që janë vendosur. Kryesisht për ndeshje në kompeticionet europiane, por jo vetëm...
A do ndiheshit në faj nëse dënimi i Skënderbeut mund të ketë ardhur edhe pas indicieve që ka dhënë kompania juaj?
Jo, aspak. Ne për këtë qëllim jemi, që të luftojmë futbollin e trukuar dhe të kemi një futboll sa më të pastër.
A keni marrë ndonjëherë kërcënime nga Shqipëria pas raporteve tuaja?
Po, disa herë, por në mënyrë sporadike nëpërmjet rrjeteve sociale. Asgjë për t'u shqetësuar, nuk u kam kushtuar rëndësi.
Klubi i Skënderbeut pat kërcënuar se do t'ju padiste për prishje të imazhit pak muaj më parë...
Nuk mund të flas fare për planet që ka një klub europian.
Sa skuadra të tjera si Skënderbeu ka në Europë?
Ka disa, janë shumë në fakt ato që përfundojnë në raportet tona. Ka nga vende të ndryshme të Europës.
Faktet, në policinë zvicerane
Françesko Baranka nuk ka dashur të thotë se cilit shtet i përket policia ku kompania "Federbet" dorëzon raportet për ndeshjet e trukuara. Hulumtime të "Panorama Sport" zbuluan se "Federbet" i dorëzon raportet e saj në policinë e Zvicrës, pasi institucioni i UEFA-s me seli në këtë vend është nën juridiksionin e policisë së Zvicrës. Më pas, policia mundet ose jo që t'i dorëzojë këto raporte edhe në UEFA.
Ja cila është kompania që ka akuzuar korçarët
"Federbet" është një kompani me qendër në Belgjikë, e krijuar në vitin 2011. Ajo funksionon si një federatë jofitimprurëse, që ka për qëllim të përfaqësojë interesat e të gjithë operatorëve dhe konsumatorëve të basteve sportive. "Federbet" është një kompani që monitoron lëvizjet e basteve në shumë ndeshje të kampionateve europiane dhe të gjitha kompeticionet e UEFA-s. Ajo ka dërguar raporte për shumë ndeshje në qeverinë e futbollit ndër vite, por më së shumti ka bashkëpunuar me Bashkimin Europian. Ekipi i "Federbet" përbëhet nga profesionistë të industrisë së basteve, që kanë një përvojë të jashtëzakonshme, si në fushën profesionale, ashtu edhe atë ligjore. Sekretari i përgjithshëm është Françesko Baranka, një jurist i specializuar në të drejtën penale. Ai ka qenë shef i departamentit ligjor për disa nga kompanitë më të mëdha të basteve në Europë. Ai ka qenë gjithashtu një dëshmitar ekspert në një numër të madh të rasteve të fiksimit të ndeshjeve. Ndërkohë, gjatë viteve të fundit "Federbet" ka akuzuar disa herë klubin e Skënderbeut për ndeshje të dyshuara si të trukuara, veçanërisht në edicionin e fundit në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës. Kulmi arriti në muajt tetor-nëntor të vitit të kaluar, kur, përmes qëndrimeve zyrtare, "Federbet" denoncoi se Skënderbeu ka manipuluar ndeshjet ndaj Krusadersit (humbje 3- 2) dhe Sportingut të Lisbonës (humbje 5-1).