Flet heroi Rroca Goli me i rendesishem i karrieres

Flet heroi Rroca: Goli më i rëndësishëm i karrierës

Pas barazimit drama tik në "Gjorgji Kyçyku", Luftëtari e sheh veten gjithnjë e më pranë Superiores. Pa dyshim heroi i kësaj pike të marrë mes dhunës në Pogradec është pikërisht Eduart Rroca. eduart rroca luftetariAutori i golit për bluzinjtë, në një prononcim të dhënë për "Panorama Sport" shfaqet tejet i lumtur për rezultatin që i mban vetëm një hap larg ngjitjes në elitë.

"E kaluam me sukses atë takim. Përtej asaj që ndodhi në mbyllje të ndeshjes, për ne vlerë ka pika që morëm. Jemi vetëm 90 minuta larg Superiores, ndaj të gjithë forcat do t'i përqendrojmë te ndeshja mbyllëse që luajmë me Apoloninë në shtëpi. Sa i përket golit, jam pa dyshim i lumtur që isha protagonisti kryesor që e dërgoi topin në rrjetë. Po përfitoj nga rasti që të bëj një dedikim special.

Goli shkon për nënën time. Ndërkohë që unë isha në fushë, ajo ishte në Greqi, në sallë operacioni, ku po kryente një ndërhyrje kirurgjikale. Për fatin e mirë gjithçka shkoi në perfeksion. Unë me Luftëtarin dolëm me kokën lart nga Pogradeci dhe pranë elitës, ndërsa ime më e kaloi me sukses operacionin. Por, veç nënës, sigurisht që nuk mund të harroj familjen time, e cila gjithnjë më ka qëndruar pranë.

Ky pa dyshim është goli më i rëndësishëm i karrierës sime, pasi dhashë një kontribut që skuadra gjirokastrite të ngjitet në mesin e më të mirëve. Jam shumë i gëzuar që bashkë me shokët e ekipit dhe trajnerin Haxhiu në krye po u japim shansin tifozëve bluzi që të na shohin në Superiore. Por të qëndrojmë më 'këmbë në tokë' dhe t'i marrim gjërat me radhë. Luajmë edhe një ndeshje, e cila duhet fituar. Vetëm kështu mund të festojmë zyrtarisht ngjitjen.

Asgjë s'ka përfunduar, për aq kohë sa matematika është në lojë. Por ne garantojmë se kundër fierakëve do të japim gjithçka në fushë, që ta mbyllim me dinjitet këtë vit futbollistik", përfundoi Rroca. Përgatitjet - Gerd Haxhiu i bën "dhuratë" ekipit një tjetër ditë pushimi. Veç së dielës, ai ka vendosur që edhe të hënën lojtarët e tij të qetësohen.

Kështu që të martën pritet që të nisin zyrtarisht përgatitjet për javën e fundit me Apoloninë. Në finish, stafi teknik do t'i bëjë llogaritë pa Arifajn e skualifikuar, ndërsa gjasat janë që edhe Oltion Rrapaj të jetë pushim pas dhunës barbare që hasi nga lojtarët pogradecarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama