Në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Slovan është paraqitur në rolin e trajnerit të Partizanit, Klevis Dalipi. Elbasanasi u shpreh i lumtur që pikërisht sfidën e parë si trajner e pati në radhët e Partizanit dhe në një ndeshje Europe. Për sa i përket barazimit, Dalipi "qan" rastet e humbura, por shpreson që të rikuperojnë në ndeshjen e kthimit.
"Është një nder për mua që në drejtimin si trajner për herë të parë të marr pjesë në Ligën e Europës me Partizanin. Ndaj, është privilegj për mua ta filloj me këtë eviniment kaq të rëndësishëm. Për sa i përket ndeshjes, ne e dinim që skuadra kundërshtare nuk është në kondicionin e saj më të mirë, sidomos fizik, por edhe ne gjithashtu nuk jemi në atë gjendje aq optimale dhe e dinim që do të kishim vështirësi gjatë gjithë 90- minutëshit.
Megjithatë, duke parë se si erdhën ngjarjet e lojës, ne u munduam gjithmonë të presim, sepse gjatë të gjithë kohës nuk ishim dot në kondicionin më të mirë fizik për të përballuar një 90-minutësh me ritëm të lartë. Ndaj e pritëm kundërshtarin pak më mbrapa për ta kundërsulmuar pastaj me lojtarët e shpejtë që kemi në vijën e sulmit. Në njëfarë mënyre, në pjesën e dytë ia arritëm qëllimit, duke pasur edhe dy-tre raste të pastra për shënim dhe dua të them që fati nuk ishte me ne", pohoi Dalipi.
Për sa i përket kualifikimit, Dalipi e lë të hapur gjithçka dhe e rëndësishme ishte që nuk pësuan gol. "E rëndë- sishme për ne ishte që nuk pë- suam gol sepse mundësitë tona i kishim dhe shpresoj që në një takim të dytë këto raste që ne i humbën në fund, të kemi mundësinë t'i shfrytëzojmë atje", u shpreh elbasanasi.
Për mungesën e Sukajt, Dalipi pohoi se ka pasur një dëmtim në stërvitjen një ditë para ndeshjes dhe ishte shkodrani që preferoi të mos luante. "Nuk e di, por më duket se ka pasur një problem dëmtimi në stërvitjen e djeshme dhe duke qenë kështu, preferoi të mos ishte pjesë e kësaj ndeshjeje". Largohet në Malajzi? "Nuk e di këtë gjë", sqaroi Dalipi më tej.
Vladimir Mema