Fluturime ne Aeroportin e Rinasit pesha qe mbajne kompanite ne treg 2005 - 2012
- Botuar: 11 vite më parë
- Shkruar nga:
Open Data Albania po hulumton mbi numrin e pasagjerëve që kanë fluturuar në Aeroportin e vetëm në Republikën e Shqipërisë, Aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit. Hulumtimi ka konsideruar numrin e pasagjerëve të secilës kompani ajrore. Qëllim i analizës veç trendit të pasagjerëve ndër vite, është edhe vlerësimi i peshës që kanë kompanitë ajrore që veprojnë në tregun vendas.
Konkretisht në harkun kohore 2005 – 2012 numri i pasagjerëve ka regjistruar rritje dinamike, kjo edhe si pasojë e liberalizimit të vizave dhe regjimit të ri të lëvizjes në hapësirën Shengen për shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Trendi ka qenë rritës deri në vitin 2011 duke shënuar rënie vetëm në vitin 2012 ku totali i pasagjerëve në 2012-ën ka rënë me 8.5% krahasuar me totalin e pasagjerëve të një viti më parë.
Numri pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës
Burimi: TIA
Komentet dhe Analiza: ODA
Zhvillimet në numrin e fluturimeve dhe pasagjerëve që prej vitit 2005 janë reflektuar edhe në lëvizjet e trafikut ajror që pasqyrojnë lëvizjet e avionëve në hapësirën ajrore shqiptare. Në fund të vitit 2012 janë regjistruar 20 528 lëvizje (fluturime) të trafikut ajror në hapësirën tonë, me një rënie prej 10.7% ndaj një viti më parë.
Ecuria e numrit të lëvizjeve të trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës
Burimi: TIA
Komentet dhe Analiza: ODA
Sipas hulumtimit të Open Data Albania bazuar në të dhënave të numrit të pasagjerëve tregu i fluturimeve ajrore sipas numrit të udhëtarëve në fund të vitit 2012 është dominuar nga kompania vendase Belle Air. Kjo kompani për 2012 ka mundësuar fluturime për më shumë se gjysmën e pasagjerëve të aeroportit Rinas. Konkretisht këtë vit ajo ka mbartur 50.1% të peshës së tregut. Çdo kompani tjetër në treg ka një peshë shumë me inferiore kundrejt BelleAir ku konkretisht Alitalia dhe Air One kanë mundësuar secila vetëm me nga 9.6% të totalit të pasagjerëve.
Burimi: TIA
Komentet dhe Analiza: ODA
Belle Air është kompania me rritjen më të shpejtë në treg sipas numrit të pasagjerëve. Që nga viti 2006, kur Belle Air nisi operimet në hapësirën shqiptare ajrore, ajo e ka rritur peshën e saj shpejt kundrejt kompanive të tjera që kanë humbur pjesë nga pesha e tyre.
Burimi: TIA
Komentet dhe Analiza: ODA