Festivali Folklorik Kombëtar në Gjirokastër ka nisur dje zyrtarisht përgatitjet për edicionin e nëntë. Folk- Gjirokastër do të zhvillohet në datat 4-9 prill 2015 në kalanë e gurtë dhe Qendrën Historike të qytetit muze, të shpallur “Pasuri botërore e njerëzimit” nga UNESCO.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e Përgjithshme e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor shpjeguan arsyen e shtyrjes së festivalit (1 vit me vonesë) dhe shpjeguan detajet e këtij organizimi.
“Organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2015 ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve, kulinarisë etj., të krijuara prej shekujsh nga populli”, tha Kumbaro. Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës do të ngjiten në skenë rreth 1200 artistë popullorë. Sipas organizatorëve, është vendosur që ky edicion të ketë një skenografi të re, më afër kërkesave të kohës, por edhe për të përballuar më shumë veprimtari të ndryshme kulturore-artistike, që do të zhvillohen në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, që kanë si qëllim që të shtojnë më shumë spektatorët dhe vizitorët pranë monumenteve të kulturës.
Ministria e Kulturës ka organizuar një pyetësor për të gjitha prefekturat, qarqet, bashkitë dhe qendrat kulturore lidhur me gjendjen e kostumeve popullore. Pas pyetësorit janë vënë në dukje shumë deformime, degradime e abuzime gjatë paraqitjes së tyre në skenë. Është konstatuar se deri tani gjendja e kostumeve popullore në 8 bashki është; rreth 25 për qind e dëmtuar, 40 për qind me mungesa, 20 për qind janë të përdorshme në skenë dhe 15 për qind janë me shumë deformime. Kumbaro thotë se: “Pas pyetësorit të detajuar që bëmë kemi shpallur nevojën e restaurimit të kostumeve, të cilat janë vjetruar. Në videot e mëparshme kemi parë grupe popullore që kanë kënduar të veshur me kostume popullore dhe me atlete sportive. Me këtë pakujdesi ndaj kostumeve popullore ka edhe devijime nga tradita kombëtare, prandaj kemi në plan jo vetëm restaurimin, por edhe përgatitjen e kostumeve të reja. Këto ndërhyrje do të jenë për të respektuar traditën, por edhe atë brez që në i ka përcjellë deri më sot”, vazhdon Kumbaro.
Festivali do të pasqyrojë edhe zgjerimin e shtrirjes gjeografike, me pjesëmarrjen e grupeve nga trojet etnike, nëpërmjet arbëreshëve dhe arvanitasve. Por nuk do të mungojnë grupet folklorike nga diaspora, të cilat do të bëjnë përfaqësimin më të plotë të hapësirave gjeografike, të trashëgimisë kulturore shpirtërore mbarëkombëtare dhe të thesareve të jashtëzakonshme të saj. Për herë të parë do të ketë një bashkëpunim me Ministrinë e Rinisë, Kulturës dhe Sportit të Kosovës në planin artistik dhe financiar. Në fund të festivalit juria, e cila ende nuk është shpallur ende do të japë çmime për grupet përfaqësuese në rang Qarku, për grupet e zhanreve të ndryshme të folklorit dhe për individë apo bartës (interpretues) të folklorit. Gjithashtu janë parashikuar çmime për poezinë popullore më të mirë, grupi me veshjet më autentike popullore dhe për diversitetin kulturor.
Masat e marra, të munguara deri më sot:
Këtë vit është mundësuar krijimi i bazave të të dhënave për të gjitha shoqatat kulturore-artistike, rapsodët, interpretuesit dhe bartësit e folklorit, deri më tani rezulton se janë; 80 shoqata kulturore artistike, 75 ansamble popullore, 36 rapsodë e bartës folklori, 34 orkestrina popullore, si dhe 20 artizanë prodhues të kostumeve popullore.
Festivali Folklorik Kombëtar
Për herë të parë Festivali Folklorik Kombëtar është zhvilluar në vitin 1968, në kalanë e Gjirokastrës. Në të morën pjesë të gjitha rrethet e vendit. Edicioni i dytë i festivalit u realizua pas pesë vjetësh, përkatësisht në vitin 1973, për të vijuar më pas në vitet; 1978, 1983, 1988, po në kalanë e Gjirokastrës. Në festivalin e vitit 1973, në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 artistë. Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 mbartës interpretuan gjatë ditëve të festivalit. Në vitin 1995, Festivali Folklorik i Gjirokastrës u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij, çmimet janë ndarë për bartësit dhe interpretuesit e folklorit. Në vitin 2004 Festivali Folklorik u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator deri në 5 tetor. Për herë të fundit është zhvilluar në vitin 2009 në Gjirokastër. Në vitin 2015 zhvillohet edicioni i nëntë.
Konkurrimi në FFK
Në këtë fazë përgatitjeje po punojmë fort për bashkëpunim dhe koordinim mes Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, specialistët e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, si dhe me pushtetin vendor.
a) 12 grupe përfaqësuese të qarqeve
b) 50 artistë pjesëmarrës
c) Koha e konkurrimit për çdo grup do të jetë 30 minuta
Në programet e çdo Qarku do të përfshihen edhe vlerat kulturore që kanë minoritetet dhe pakicat gjuhësore që kryejnë veprimtarinë e tyre brenda territorit
a) Në FFK do të konkurrojnë edhe 3 grupe artistike nga Kosova
b) 2 grupe nga shqiptarët e Maqedonisë dhe një grup nga shqiptarët e Malit të Zi
c) Të ftuar do të jenë edhe grupe nga; arbëreshët e Italisë, shqiptarët e ShBA-së, Greqisë, Turqisë, Zvicrës, si dhe do të ketë një shfaqje nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.