Folklori te dalja e tranzicionit

Folklori te dalja e tranzicionit
Ministria e Kulturës shkund rutinën e ditëve të trashëgimisë. Iniciativa për mbrojtjen e një pasurie kulturore shpirtërore me status po edhe me buxhet të veçantë duket parashikim afatgjatë i ministrit Xhaferaj.

Pjetër Matusha ka ardhur nga Lezha për të kënduar në Ministrinë e Kulturës këngën e Ymer Agës. Kënga vjen aromë nga shekujt e vjetër, kurse lahuta si gjë e larë me sapun, jo. Një studiues do shpjegonte më pas se rapsodi në vend të atij jeleku të kuq dhëndri duhej të mbante një jelek deleje, po kështu, pa transformuar elemente të veshjes, në vend të këpucëve, opinga. Megjithatë, dikush që dëgjon i eksituar nga salla, bekon sipas rastit: "Të këndoftë zemra Pjetër Matusha!"

Pastaj radha është e një grupi polifonik. Burrat i kanë grykët e këmishëve të hapura. Ca i mbajnë sytë përdhe e ca në tavan.
Janë dy momente nga ekzekutimi i dy gjinive, eposi dhe isopolifonia, të cilat nga dje, bashkë me 5 gjini të tjera, janë të parat që hyjnë në listën e Kryeveprave të Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare.

Iniciativa për mbrojtjen e një pasurie kulturore shpirtërore me status po edhe me buxhet të veçantë due filluar nga viti 2011, duket parashikim afatgjatë i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Vetë ministri Ferdinand Xhaferaj me ton racional si nga një reflektim i gjatë për besimin që i është dhënë, njoftoi dje anëtarësimin e Shqipërisë në Komitetin Ndërqeveritar të Unesco-s për trashëgiminë kulturore shpirtërore, çka do të thotë pak më shumë përgjegjësi për detyrat e angazhimet brenda fushës. Komiteti ka për detyrë të shqyrtojë dosjet për kandidaturat e vendeve për përfshirje në listën e trashëgimisë botërore, vënien në zbatim të Konventës dhe shqyrton raportet, miraton asistencën ndërkombëtare për projekte në këtë fushë.

Xhaferaj u ndal te vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Shpirtërore për shpalljen e 7 Kryeveprave të Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare. Këtu bëjnë pjesë: Isopolifonia popullore shqiptare, Eposi i Kreshnikëve, Dialektet gjuhësore, geg dhe tosk, Muzika popullore homofonike e Shqipërisë së Mesme, Ahengu qytetar shkodran, Mjeshtëria e punimit të veglave muzikore popullore dhe Vallja e vajzave dropullite.

Ministri sqaroi se kjo listë do të depozitohet pranë strukturave të UNESCO-s, e cila do të ndiqet nga një plan veprimi me masa konkrete për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre. me këtë rast ai fton nga dje organizatat, shoqatat, njësitë e pushtetit vendor dhe qendror të aplikojnë pranë MTKRS brenda datës 30 nëntor 2010 për projekte që synojnë ruajtjen e dukurive të mësipërme.

Ishte një formë për të njoftuar Ditët e Trashëgimisë Kulturore, të cilat në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane, mbahen më 1-3 tetor Gjirokastër.

MTKRS e quan 29 shtatorin Dita Kombëtare e Trashëgimisë në përkujtim të Kamber Bënjës, specialist i monumenteve i rënë dëshmor në mbrojtje të tyre.

Komiteti vlerësues i 7 kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore shqiptare i përbërë nga Afërdita Onuzi, specialiste etnologe, Skënder Selimi, koreograf, Vasil Tole muzikolog, Klodian Qafoku muzikolog, Esat Ruka, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike dhe Eni Juca, Sekretare e Komisionit Shtetëror të Unesco-s, pranë MPJ, dha disa komente përse zgjedhjet që ka bërë.

Për "Shekullin" foli Afërdita Onuzi, studiuese prej vitesh pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore.

Çfarë kriteresh morët parasysh për zgjedhjen e "Shtatë kryeveprave"?

Në fakt është për t'u theksuar që në një territor kaq të vogël si Shqipëria, me një popullsi kaq të kufizuar numerikisht, ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore. Prandaj për ne ka qenë e vështirë për të përcaktuar më të mirën, ashtu si dhe ne e kemi ndjerë në shumë aktivitete kur na është dashur të përcaktojmë llojin, variantin e veshjes më të mirë, gjininë folklorike. Për të përzgjedhur këto të shtata, ishte po kaq e vështirë.

Është me rëndësi fakti që filloi kjo punë për të vlerësuar ato vlera që realisht janë për t'u vlerësuar.

Pse patë të arsyeshme këtë lloj kategorizimi?

Është bërë një grupim brenda kulturës shpirtërore duke iu referuar disa treguesve. Për shembull, kënga isofolifonike është unikale.

U shpall nga Unesco trashëgimi botërore e njerëzimit, dhe tani vetë shqiptarët i japin një status. Çfarë ndryshon kjo?

Do të thotë që shteti shqiptar angazhohet t'i kushtojë vëmendje, ta ruajë dhe ta promovojë më shumë.

Cilat nga pasuritë në listë ka më tepër nevojë për ruajtje?

E kam të vështirë ta them, por personalisht e kam dobësi këngën polifonike ashtu si dhe Eposin e Kreshnikëve. Që të dyja përfaqësojnë dy pjesë të rëndësishme të Shqipërisë së dikurshme, të kufijve etnikë të themi, Shqipërinë e madhe të jugut me këngën polifonike e cila shtrihet edhe në pjesën e Toskërisë edhe të Labërisë. Këtu kemi dy mënyra të të kënduarit të këngës polifonike: polifonia toske që është të kënduarit vertikal dhe kënga polifonike e Labërisë që është mënyra e të kënduarit horizontal. Por që të dyja janë unikale në mënyrën e të kënduarit.
Dua të shtoj edhe diçka. Deri vonë nuk është ditur që mënyra e të kënduarit polifonik shtrihet deri në pjesën e Dibrës së Madhe. Na ka rastisur bashkë me kolegun Agron Xhagolli, të dëgjojmë një mënyrë të kënduari të polifonisë edhe në një gjeografi tjetër nga ajo çka është njohur deri tani.

Ndërsa për Eposin e Kreshnikëve Kosova ka marrë përsipër që të angazhohet për pranimin e tij në UNESCO. Në disa aspekte, ky epos na jep dëshmi jo vetëm të kulturës shpirtërore, por edhe të kulturës materiale.

Pavarësisht mëvetësisë administrative të njërit shtet dhe tjetrit, Shqipërisë dhe Kosovës, mos do ishte mirë që disa punë në fushën e trashëgimisë të bëheshin së bashku?

Eposi në fakt ka pjesën e vet në të dy anët, në Shqipëri dhe Kosovë. Por le ta bëjë Kosova këtë, të hedhë hapat mirë si shtet shqiptar, me kulturë, me trashëgimi kulturore.

Përmendët origjinat e dy gjinive folklorike, por po ta shtronim çështjen në ditët tona, çfarë rrjedhjesh kanë pasur në kohë, si paraqitet gjendja e ruajtjes së kësaj trashëgimie?

Unë do përmendje një periudhë kritike për këngën polifonike, këngën qytetare, po edhe për vallen, periudhën e një tranzicioni të fortë që u reflektua edhe në këtë aspekt.

Është koha e festivaleve të para folklorike pas viteve nëntëdhjetë kur ne studiuesit kemi ndjerë se çfarë denatyrimesh po ndodhnin, çfarë bjerrje vlerash.

Ato dy modele të isopolifonisë dhe eposit që pamë sot, nuk janë gjë e largët e asaj që ju e quani unikale?

Ato dy pjesë që dëgjuam ishin mirë, po të pranojmë që gjërat ndryshojnë. Trashëgimia kulturore nuk është statike. Ajo zhvillohet dhe reflekton të gjithë zhvillimin e periudhave të ndryshme historike, por zhvillimi bëhet në shtratin e vet, në natyrën e vet, jo me denatyrime. Të themi, vallja popullore disa kohë u transformua gati sa nuk mund t'i gjenim origjinën. Them se institutet kanë bërë një punë të mirë, qoftë duke hartuar kritere, duke vlerësuar në festivale elementët më të mirë, duke insistuar, duke u ndeshur, gati në një betejë me këtë tranzicion të trashëgimisë.

Kur thua isopolifoni apo epos, para sysh dalin edhe disa elemente, figurat vizuale të kostumeve, gjeste të këngëtarëve. Nuk gjen në to përpikmëri, siç e pamë tek këmishët e këngëtarëve të korit apo te lahuta akull e re e rapsodit.

Unë u gëzova që nuk pashë ndonjë këngëtar me atlete, siç na ka ndodhur në festivalet e para të tranzicionit, në 1995. Megjithatë ka akoma për të bërë në këto elementë që realisht i japin identitetin artistit popullor. Sot ai lahutari duhej të vinte me këmishën dhe jelekun e duhur, kurse ne e pamë me këpucë në vend të opingave dhe me jelek të kuq që e vesh dhëndri. Ndërsa grupi polifonik ishte pak më korrekt në këtë aspekt. Shpresojmë që gjërat do të përmirësohen.

Dua të shtoj që artistët popullorë kanë nevojë për një trajtim më të mirë material, përndryshe gjërat do të bëhen në mënyrë amatore.

Ndoshta ky buxhet që do të jepet nga Ministria do të ndryshojë diçka.

Do të thotë se do të ketë më shumë përgjegjësi, le të shpresojmë që do të ketë një vëmendje tjetër.

Cilat janë në listë pritje për "kryeveprat" e ardhshme?

Besoj se eposi që ka propozuar Kosova. Eposi i Kreshnikëve është pjesë e të dy vendeve, është kënduar në Shqipërinë verilindore, sidomos dhe në krahinat kufitare të Kosovës.

Çfarë pasurie ka ngrënë diskutim në Komitetin tuaj?

Kënga qytetare. Është një gjini ku nuk është investuar për ta studiuar. Vënia në këtë listë do të thotë më shumë mundësi për të. Ajo duhet parë në një nivel krahasimtar, në kuadër Ballkanik të kontakteve të shumta. Pushtimi 5-shekullor ka bërë të vetën.

Po vallja dropullite, mos është në listë më shumë për arsye të "diversitetit kulturor"?

Është valle shumë e bukur, ka tepër elegancë. Po, është edhe në kuadër të diversitetit kulturor. Në të ardhmen do të kemi në vëmendje edhe trashëgimi të grupeve të tjera etnike, të pakicave kombëtare dhe të pakicave kulturore. Vallja dropullite, ka koreografinë por ka edhe veshjet dhe bukurinë e vajzave.

Kur ka qenë hera e fundit që keni parë një valle të tillë?

Në festivalin e kaluar në Gjirokastër. Por duhet më shumë vëmendje për ata që i drejtojnë këto grupe.

Sot nuk u pa ndonjë entuziast të shpreh gëzimin për dialektin geg dhe tosk.
Mirë do ishte që për këtë të flisnit me një specialist të fushës.

Si njeri që i keni përkitur një treve që flet gegërisht, mund të jepni një përshtypje personale për këtë?

Unë i përkas dialektit geg, kam dëgjuar qysh e vogël shprehje shumë interesante nga gjyshja ime, nga njerëz të afërm. Është gjë shumë e mirë, por gjuha letrare, gjuha zyrtare ka një vlerë të padiskutueshme për sukseset që ka arritur.

Një shprehje të trevës tuaj për të përshëndetur gjithë këtë punë që sapo e mbyllët?

Në këtë moment nuk më vjen ndonjë shprehje e veçantë, por thjesht them: I qoftë rruga e mbarë!

Shtatë kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore shqiptare

Isopolifonia popullore shqiptare

Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare Shpallur "Kryevepër te trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit", UNESCO, 25 Nëntor 2005.

Eposi i Kreshnikëve

Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Cikël këngësh legjendare i shoqëruar me lahutë. Këndohet në Veri dhe në trevat kufitare me Kosovën. Koha e formimit: parasllav dhe paraturk. Studiuesit vënë re ngjashmëritë e eposit me poemat homerike.

Dialektet gjuhësore gege dhe toske

Folklor gojor. Tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare. Mbështetur Ligjit 9048, dt. 07.04.2003 "Për trashëgiminë kulturore", folklori gojor është teksti i krijimit popullor, i pashoqëruar me muzikë, i cili lexohet ose tregohet.

Muzika popullore homofonike e Shqipërisë së Mesme

Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare.

Ahengu qytetar shkodran

Është pjesë e repertorit të muzikës popullore të qyteteve shqiptare të Gegërisë, që fillon të kristalizohet në fillim të shek XVIII. Ahengu bëhej natën e dasmës, ditën e martesës, mbrëmjen e kurorës. Shoqërohet nga klarineta, sazja,violina, kavalli, dajreja, çaparja.

Mjeshtëria e punimit të veglave muzikore popullore

Përbën një zeje të veçantë në zejtarinë shqiptare. Në rrugë artizanale janë prodhuar dhe ende prodhohen vegla si gajde, fyelli, culë dyjare, çifteli, sharki, buzuk etj. Profilizimi i mjeshtërve të prodhimit të veglave u formua në fillim të shek. XX.

Vallja e vajzave dropullite

Folklor instrumental dhe koreografik. Tipologji e trashëgimisë shpirtërore të minoritetit etnik grek, pjesë e diversitetit kulturor në Shqipëri.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama