Mosprekja e Lazaratit nga policia duket se ka “trimëruar” edhe kontingjentin kriminal të zonave të tjera, pasi kultivuesit e lëndës narkotike kanë pritur policinë me armë. Megjithatë, policia nuk është tërhequr si në fshatin rebel, por me ndihmën e forcave speciale ka çarë pritën dhe ka nisur punën për arrestimin e agresorëve. Përplasja me armë me policinë ka ndodhur dje në zonën e Kurveleshit, ku policia ka ndërmarrë një aksion të dytë brenda 48 orëve për asgjësimin e bimëve narkotike të mbjella në disa fshatra të kësaj komune dhe për zbulimin e autorëve të kësaj vepre penale. Policia mësohet se është qëlluar me armë dhe ajo është kundërpërgjigjur, por sipas të dhënave nuk ka pasur asnjë të lënduar. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur pranë vendit të quajtur Gërxhun, që është një ngushticë shkëmbore mes fshatit Lekdushk dhe Bënçës.
Burimet policore bënë të ditur se dy ditë më parë kanë qenë në fshatin Gusmar të Kurveleshit, ku kanë asgjësuar rreth 3500 rrënjë kanabis, ndërsa dje kishin organizuar një tjetër operacion po në Komunën e Kurveleshit. Sipas të dhënave, ndërhyrja do të kryhej në fshatin Progonat, për të cilin ishte marrë informacion se ka kultivim të bimëve narkotike. Duke u bazuar në këto të dhëna është përgatitur një operacion dhe disa mjete policie janë nisur për në fshat. Por, sapo kanë kaluar Bënçën, ende pa mbërritur në fshatin Lekdushk, një rrugë prej gjashtë kilometrash, e cila është në kushte tejet të këqija dhe me shkëmbinj, ata janë përplasur me njerëz të paidentifikuar, të cilët i kanë qëlluar me armë. Sipas të dhënave të besueshme prita ndaj forcave të policisë është kryer në një grykë në Gërxhun, ku forcat policore ndodheshin në pozicion të disfavorshëm. Aty mësohet se persona të paidentifikuar kishin hipur në lartësi dhe qëllonin mjetet e policisë, të cilat ndodheshin poshtë. Policia është kundërpërgjigjur me armë dhe në të njëjtën kohë janë njoftuar forcat speciale RENEA dhe FNSH, që ndodheshin në zonë, për shkak të operacionit të ndërmarrë antikanabis në të gjithë Jugun e vendit. Pas shkëmbimit të zjarrit mësohet se agresorët janë larguar, me qëllim për t’i shpëtuar arrestimit dhe mësohet se nga ana e forcave policore nuk ka pasur asnjë të lënduar.
Pas kësaj mësohet se të paktën 350 forca policore të RENEA-s, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit, Vlorës dhe të komisariateve Gjirokastër e Tepelenë kanë ndërhyrë në zonën malore të Kurveleshit në Tepelenë, për shkatërrimin e rrënjëve të bimëve narkotike dhe kapjen e agresorëve. Në operacion u përdorën pesë autoblinda dhe një numër i lartë mjetesh të tjera policore. Policia ka rrethuar zonën dhe ka kryer kontrolle nëpër banesa dhe hapësira publike, ku ka pasur informacion se ishte kultivuar kanabis.
Policia tha se ka sekuestruar tre automjete, me të cilat dyshohet se kanë lëvizur personat që qëlluan ndaj forcave policore. Megjithatë, burimet policore janë treguar të rezervuara për të dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me këtë operacion apo të dhëna mbi autorët, që u zunë pritë në zonat shkëmbore të Kurveleshit. Disa burime konfidenciale thanë se në orët e mesditës, policia arriti të shkatërrojë disa parcela droge. Forcat speciale mësohet se kanë shoqëruar disa të dyshuar, si të implikuar në kultivimin e bimës narkotike.
Me përplasjen e djeshme me armë, tashmë nuk është vetëm Lazarati që pret policinë me breshëri mitralozi dhe automatiku, por edhe fshatra të tjerë të Qarkut të Gjirokastrës. Ndërkohë, në lidhje me këtë incident, mediat nuk janë lejuar që të hyjnë në këtë zonë, e cila ishte blinduar nga forcat speciale. Nga raportimet në terren mësohet se gazetarët janë ndalur nga policia në dalje të Bënçës edhe për shkak të rrezikshmërisë në zonë, duke qenë se ishte ndërmarrë një operacion i gjerë antikanabis.
Precedenti
Dukagjin, policia qëllohet me armë
Forcat e policisë janë sulmuar me armë gjatë aksioneve antikanabis edhe në shtator të vitit të kaluar në zonën e Dukagjinit. Ato kanë hasur në rezistencën e banorëve të fshatit Shosh, kur në terren po bëhej prerja e të gjithë bimëve narkotike, të mbjella në një parcelë, që u evidentua pak muaj para ndërhyrjes nga fotografimi ajror. Ndërhyrja e policisë gjeti menjëherë kundërpërgjigjen e banorëve, të cilët tentuan të mbrojnë bimën e pjekur, e cila ishte bërë gati për trafikim. Por, për fat të mirë, nga breshëria e plumbave, lëshuar ndaj policisë nuk ka pasur asnjë të lënduar. Edhe në atë rast, uniformat blu janë detyruar që t’u kundërpërgjigjen banorëve, duke i qëlluar me armë, por pa arritur të kapin ndonjërin prej tyre. Që në fund të muajit shtator të vitit të kaluar, kur ndodhi ngjarja, ende nuk ka pasur njoftim zyrtar për identifikimin apo arrestimin e ndonjërit prej agresorëve.