Shtetet e Bashkuara janë afër marrëveshjes me qeverinë shqiptare për të shkatërruar kimikatet e Sirisë.Kështu shkruan sot Foreign Policy, duke iu referuar dy diplomatëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Artikulli është shkruar nga, Colum Lynch, reporter i Uashington Post në Kombet e Bashkuara dhe blogger në Revistën Foreign Policy. Sipas propozimit amerikan, i cili nuk është bërë publik, Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë qeverinë shqiptare me laboratorë të lëvizshëm të aftë për shkatërrimin e gazit, përmes një procesi të njohur si “hidrolizë”.
Ndërkaq, sipas Foregn Policiy, misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara nuk i është përgjigjur një kërkese për një koment lidhur me kërkesën. Po ashtu edhe misioni amerikan në Kombet e Bashkuara nuk kanë pranuar të komentojë për një marrëveshje, por është shprehur se “Ne inkurajojmë kombet, duke ofruar mbështetje, përfshirë personelin, ekspertizën teknike, informacionin, pajisjet, burime financiare dhe të tjerë.
Ne vazhdojmë të diskutojmë me partnerët ndërkombëtarë për gjetjen e mjeteve më efikase dhe të shpejta për eliminimin e programit të armëve kimike të Sirisë”. Ambasadori i Rusisë në OKB , Vitaly Churkin u ka thënë gazetarëve, që pjesëmarrja e Rusisë në këtë aksion është mjaft e mundshme. Qeveria siriane ranë dakord në shtator për një projekt ambicioz të Shteteve të Bashkuara për shkatërrimin e arsenalit të armëve kimike të Sirisë deri në fund të qershorit 2014. Në shkrim theksohet edhe plani i Asadit, për të kërkuar ndihmë nga SHBA-të për të përforcuar ushtrinë me kamionë të blinduar.