Trajneri i Kombëtares italiane, Antonio Konte, ka vetëm dy dyshime përsa i përket formacionit që do të zbresë sot në fushë në 15:00 kundër përfaqësueses së Suedisë.
Në krahun e majtë të mbrojtjes pritet që ish-trajneri i Juventusit t'i japë besim mbrojtësit të Milanit, Matia De Shiljo, i cili me shumë mundësi do të zëvendësojë Mateo Darmianin.
Një fanellë titullari mund t'i rezervohet edhe Florencit, i cili është në balotazh në mesfushë me Parolon. Pjesa tjetër e ekipit do të jetë ajo që fitoi ndeshjen e parë kundër Belgjikës. Sulmuesi Pele, autori i golit të dytë kundër belgëve, është rikuperuar nga dëmtimi dhe pritet të formojë repartin e avancuar me lojtarin e Interit, Eder.
Ja precedentët me Viktor Kasein
Do të jetë hungarezi, Viktor Kasei, arbitri që do të vendos drejtësi në sfidën e sotme midis Italisë dhe Suedisë, e cila do të luhet në stadiumin "Municipal" të Toluzës.
40- vjeçari drejton ndeshjen e tij të dytë në këtë Europian, teksa ishte ai që vërshëlleu startin e kompeticionit në sfidën Francë-Rumani. Sfida e sotme nuk është e para në CV-n e tij me të kaltrit.
Hungarezi më herët ka drejtuar takimin Spanjë-Itali, ndeshja e parë e të kaltërve në Europianin e vitit 2012-të, e cila përfundoi në barazim, 1-1.
Ndërsa Kasei nuk ka asnjë precedent me përfaqësuesen suedeze, të cilën do ta arbitrojë për të parën herë në sfidën e sotme kundër ekipit të Kontes.