Kampioni i botës në Formula 1, Luis Hamilton, ka fituar "pole position"-in në Çmimin e Madh të Kanadasë, raundi i shtatë sezonal.
Në pistën e Montrealit, piloti anglez i Mercedesit arriti "pole" e 53-të të karrierës së tij, duke realizuar një superkohë 1'12´´812. Hamilton ia rrëmbeu vendin e parë të nisjes për shumë pak shokut të skuadrës Niko Rosberg (1'12´´874) që kompleton radhën e parë të monopolizuar nga Shigjetat e Argjendta.
Vendi i tretë shkoi për gjermanin e Ferrarit, Sebastian Fetel (1'12´´990), i cili lë pas Red Bullin e australianit Daniel Riçiardo, i cili e ndali kronometrin në kohën 1'13´´166 dhe holandezin Mak Verstapen me kohën 1'13´´414).
Radha e katërt e nisjes u plotësua nga Uilliams me finlandezin Valteri Botas (1'13´´670) dhe brazilianin Felipe Masa (1'13´´769). "Nuk ka rëndësi se sa larg jeni përpara dhe sa kohë udhëhiqni, - tha Hamilton pas kualifikuesve të djeshme. - Në provat e lira kishte një diferencë shumë më të madhe.
Në kualifikuese nuk kisha ritmin e një dite më parë, por qartazi që kjo ishte e mjaftueshme". Gara për Çmimin e Madh të Kanadasë zhvillohet sot në orën 20:00.