Formulari A2 MASH nxjerr kalendarin e plotesimit sipas rretheve

Formulari A2, MASH nxjerr kalendarin e plotesimit sipas rretheve
Ministria e Arsimit nxjerr kalendarin e plotësimit të Formularit A2 sipas rretheve në mënyrë elektronike. Drejtori i Pranimeve në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, Arben Fagu, sqaron se plotësimi i formularit do të nisë me maturantët e kryeqytetit në datat 23 dhe 24 korrik, duke qenë se ata përbëjnë edhe numrin më të madh krahasuar me rrethet e tjera të vendit. “Procedurat e aplikimit online fillojnë në qytetin e Tiranës, meqë ka numrin më të madh të maturantëve dhe vazhdon dy ditë. Në datat 25-26 është në rrethinat e Tiranës, Kamza, Durrësi, Kruja dhe me radhë.

Kështu rreth pas rrethi, të gjitha aplikimet do të bëhen në laboratorët e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të Shqipërisë”, – sqaron Fagu. Më tej ai thekson se për arsye sigurie dhe për probleme të tjera që mund të lindin maturantët duhet ta plotësojnë Formularin A2 edhe me dorë. “Çdo maturant do ta ketë formularin mbi tavolinë, i cili do të jetë në raste ekstreme, të themi ndërprerje aksidentale e energjisë elektrike, por ne na shërben pastaj plotësimi me dorë, për një ‘double check’, kontroll të dyfishtë”, – shpjegon Fagu.

MASH ka nxjerrë tashmë edhe udhëzimin për plotësimin online të formularit, ku detajohen të gjithë hapat. “Në pjesën e sipërme maturantit i shfaqen të gjitha gjenealitetet si dhe pikët/nota mesatare e shkollës së mesme si dhe notat e marra gjatë provimeve të Maturës Shtetërore, të cilat duhet t’i kontrollojë me kujdes. Çdo maturanti i vihet në dispozicion një formular i korrigjimit të pasaktësive në të cilin ai evidenton gabimet e evidentuara në të dhënat e tij. Poshtë të dhënave personale të maturantit është një ‘Drop Down List’ e cila i jep mundësinë atij që të përzgjedhë njërin nga 303 programet e studimit që ofrohen për vitin akademik të ardhshëm nga IALP-të.

Pas përzgjedhjes, më poshtë, shfaqen pikët që maturanti grumbullon në këtë program studimi dhe pikët e fituesit të fundit për tre vitet e kaluara. Duke i krahasuar pikët e tij të grumbulluara me ato të tre viteve të mëparshme, maturanti mund të marrë vendim që ta përzgjedhë ose jo atë program studimi. Për ta përzgjedhur një program studimi ai duhet të klikojë mbi butonin ‘Përzgjidhe Programin’. Sistemi informatik nuk të lejon që të përzgjidhem më shumë se 10 preferenca, por lejon që të fshihet ndonjëra prej tyre si dhe të rirenditen ato.

Nëse duhet të heqim një program studimi, mjafton të klikojmë te butoni ‘Hiqe’, ndërsa për t’i rirenditur në kutizat anësore duhet të shtypim renditjen e re të propozuar dhe më pas klikojmë mbi butonin poshtë ‘Ruaj Renditjen’ (Kujdes! Gjatë vendosjes së renditjes se re nuk duhet të kemi përsëritje numrash”, – sqarohet në udhëzim. Në të theksohet fakti se për suksesin e aplikimit me Formularin A2 janë të rëndësishme jo vetëm llojet e programeve të studimit të përzgjedhura, por dhe renditja e tyre.

Ndaj, për të ruajtur sistemin nga gabime të mundshme apo ndërhyrje të paautorizuara, përcjellja e të dhënave të formularit në sistem bëhet vetëm pasi mbikëqyrësi i sallës fut kodin e tij në kutizën “Kodi i Mbikëqyrësit” dhe më pas klikon mbi butonin “Dërgoje Formularin”. Pas këtij hapi shfaqet një dritare tjetër dialoguese, e cila i jep mundësinë maturantit të bëjë konvertimin e formularit të tij A2 në formatin PDF. Për të rritur sigurinë e procesit të aplikimit me Formularin A2 është vendosur që çdo maturant të hedhë edhe një herë preferencat e përzgjedhura në kopjen në letër të Formularit A2 të personalizuar. Por, kujdes, preferencat e shkruara me dorë në Formularin e personalizuar A2 duhet të përputhen plotësisht me preferencat e përzgjedhura online dhe të shtypura nga printeri i laboratorit.

Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë përbëhet nga:

a) Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 26307

b) Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 700

e) Kuotat për të verbrit (të veçanta) 20

c) Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët 20

Elementet vlerësues të Maturës Shtetërore për çdo maturant:

1. Nota mesatare e shkollës së mesme

2. Nota e provimit të detyruar D1 (Letërsia)

3. Nota e provimit të detyruar D2 (Matematika)

4. Nota e provimit me zgjedhje Z1

5. Nota e provimit me zgjedhje Z2

6. Nota e provimit me zgjedhje Z3

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama