Forumi Mysliman ISIS demton emrin e Islamit thirrje besimtareve te distancohen

Forumi Mysliman: ISIS demton emrin e Islamit, thirrje besimtareve te distancohen

Forumi Mysliman i Shqipërisë (FSHM) , nëpërmjet një komunikate për media ka theksuar se me indinjatë të thellë po përcjell aktet e dhunës dhe vrasjet masive të një organizate terrori e ashtuquajtur kalifat i ISIS, e cila pas masakrës se mijëra myslimanëve në Siri dhe Irak, së fundmi ka kulmuar me dëbimin dhe vrasjen masive të popullsive minoritare të krishtera, që për shekuj kanë qenë nën mbrojtjen dhe në bashkëjetesë me myslimanët e atyre vendeve.

“FMSH refuzon me neveri atribuimin e akteve të tilla, si praktika të myslimanëve dhe distancohet haptazi dhe prerë nga sjellje të tilla. Si një organizatë e shoqërisë civile, e cila beson në vlerat më të larta dhe fisnike të Islamit, që kulmon me versetin kuranor ‘Nuk ka dhunë në fe, është sqaruar e vërteta nga e kota’, Forumi u bën thirrje të gjithë shqiptarëve myslimanë dhe jo vetëm, t’i përmbahen diturisë, përuljes dhe respektit, si vlera për të cilat shoqëria jonë ka kaq shumë nevojë dhe si shembulli më i mirë për të cilën kjo fe na mëson”.

Forumi Mysliman i Shqipërisë e ka konsideruar dhe e konsideron aktivitetin e kësaj organizate të dyshimtë, anonime, nën maska të zeza e flamuj të zinj, si një ndër demet më të mëdha të organizuara në mënyrë sistematike ndaj emrit të Islamit dhe myslimanit.

FMSH gjithashtu po ndjek me vëmendje arrestimet e fundit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. “Ne inkurajojmë organet kompetente në përpjekje për të frenuar ekstremizmin, po në të njëjtën kohë u tërheqim vëmendjen, që të bëjnë dallimin mes ekstremistëve dhe personave të paditur dhe te manipuluar. Me këtë deklarate FMSH konfirmon publikisht angazhimin e saj të kahershëm e të vazhdueshëm për t’ u bërë promotore e frenimit të çdo lloj lajthitjeje dhe devijimi, si kontribuuese e vlerave progresive islame për të mirën e përbashkët individuale e publike”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama