Foto Strakosha Kur Gramoz Ruci nuk me lejonte te shkoja tek Dinamo

Foto Strakosha: Kur Gramoz Ruci nuk me lejonte te shkoja tek Dinamo
Ishte e diel, 2 qershor 2001, në Heraklio të Kretës. Futbollistët e ekipit përfaqësues të Shqipërisë sapo kishin përfunduar drekën, disa orë para se të fillonte ndeshja kundër Greqisë. Ishte një ndeshje pa asnjë interes të veçantë kompetitiv për të dy ekipet, të cilët, rrugës drejt Kretës, kishin humbur çdo pretendim për Botërorin 2002 që do të zhvillohej në Lindjen e Largme (Kore-Japoni). Por ajo ishte një ndeshje prestigji për të dy palët, e sidomos për grekët, të cilët donin me çdo kusht të merrnin revanshin për humbjen 0-2, tetë muaj më parë në Tiranë.Të dy ekipet takoheshin në tokën greke, për herë të dytë brenda më pak se një viti e gjysmë. Në tetor 1999, grekët kishin fituar 2-0 në Athinë, në një stadium olimpik ku kishte dominuar ngjyra e kuqe.

Në pushim të ndeshjes, tifozë të të dy palëve kishin djegur flamujt e njeri-tjetrit. Ai zjarr kalamanësh në stadium kishte qenë i mjaftë për të ndezur mërinë e përbashkët, mëri që nga ndeshja në ndeshje (mes këtyre dy ekipeve përfaqësuese) fryhej më keq në të dy anët e kufirit dhe natyrisht jo nga futbollistët.

Nga frika se incidentet e tetorit të 1999-s mund të përsëriteshin, federata greke e futbollit e kishte caktuar ndeshjen e radhës të luhej në Kretë.
Ndoshta këto po mendonte Foto Strakosha, portieri i kombëtares shqiptare, kur i ra zilja e telefonit. Ishte gruaja e tij, fliste kaq e tronditur, saqë Foto më tepër mori me mend se sa dëgjoi, që djali i tij i madh kishte rënë nga ballkoni i shtëpisë dhe e kishin çuar urgjentisht në spital.
Vetëm prindi mund ta kuptojë e ndjejë dhimbjen e merakun për fëmijën. Strakoshës iu lidh fyti komb, e që nga ai çast mendja e tij ngriu në një mendim të vetëm: tek peripecia që po vuanin të dashurit e tij. Sikur mos të mjaftonte ankthi për gjendjen e djalit, ishte dhe brerja e ndërgjegjjes. Ka disa momente në jetë që nuk mund të neglizhohen kurrë, e një nga këto është pikërisht kur fëmija yt pëson një aksident; nëse atëherë je larg, i bie kokës me grushta, sekondat të duken shekuj e duhet të jesh titan i vërtetë që të arrish të shtysh kohën e udhëtimit që më në fund të gjendesh pranë krijesës tënde që e don më shumë se vetë jetën tënde.

Ashtu siç varej jeta e fëmijës në një fije peri, edhe Foto Strakosha e ndiente veten e vet si të qëndronte në tehun e një brisku.

Duhej të merrte një vendim. Në Athinë e thërriste djali i tij, ndërsa rreth Strakoshës e futbollistëve të tjerë, qindra emigrantë shqiptarë të ardhur nga gjithë anët e Greqisë brohoritnin ritmikisht emrin e atdheut të tyre.

Vazhdimin e kësaj historie po ia le vetë Strakoshës, ashtu siç po ma tregonte këto ditë gushti, në një kafeteri të Nea Zmirnit, lagjes ku ai banon.

“Për veten tonë çdo gjë që të na ndodhi, ndoshta kemi forcën shpirtërore që ta përballojmë, mirëpo për fëmijtë tanë është shumë e vështirë, e pamundur do të thoshja... Atë ditë në Kretë, humba çdo logjikë, nuk isha në gjendja të vendosja se çfarë duhej të bëja. Me këtë rast unë dua të falënderoj mjekun e familjes sime, me të cilin jemi dhe miq. Ai më informonte vazhdimisht për ecurinë e gjendjes shëndetësore të çunit. Me thënë të drejtën vendosa të luaj, mirëpo edhe sot e kësaj dite nuk mund ta imagjinoj se në çfarë gjendje kam qenë gjatë ndeshjes... Mjeku pra më merr në telefon para se të fillonte ndeshja, pasi i bënë skanerin çunit e më thotë që “nëse kishe për të luajtur njëherë, tani duhet të luash dy herë, edhe për çunin. Pse ka shpëtuar nga rreziku. Zoti jo vetëm ta shpëtoi çunin, por si duket ti ke bërë vetëm mirë në jetë dhe zoti ta shpërbleu me shpëtimin e djalit”.

Përtej përmasave të ngushta intime, kjo histori ka edhe një përmasë tjetër, po aq njerëzore. Ndjenjën e lartë të përgjegjësisë që karakterizoi Foto Strakoshën, gjatë 15 vjetëve që qëndroi në portën e kombëtares kuqezi dhe jo vetëm kaq. Ajo ndjenjë përgjegjësie e ka karakterizuar Foton gjatë gjithë karrierës së vet, në Shqipëri e Greqi, brenda dhe jashtë fushës së blertë....

Foto Strakosha u lind (më 29 mars 1965) dhe u rrit në Memaliaj, qytetin minator pranë Tepelenës. Por rrënjët e tij ndodhen ende të ngulitura në Dhërmi, njerin prej 7 fshatrave të krahinës së Himarës, i cili është bërë i famshëm përveçse bukurive natyrore, edhe për faktin se thirrej si “fshati i shoferëve”.

Shofer ishte dhe babai i Fotos, Lefter Strakosha. Mbi shpatullat e të cilit rëndoi që herët barra e diferencimit dhe persekutimit, ngase i jati i vet dhe kunati (vëllai i gruas), ishin arratisur për në Greqi qysh në vitet e para të pushtetit komunist. Falë zanatit të vet, Lefteri kishte mundur të sistemohej me punë në Vlorë, ku gëzonte gjithë “privilegjet” e të damkosurit nga regjimi. Prandaj, në rastin e parë që iu dha, veproi dhe doli vullnetar në përgjigje të thirrjes për të shkuar në Memaliaj, ku miniera kishte nevojë për drejtues automjetesh.

Lefter Strakosha e mblodhi mendjen top të ndërtonte jetën e vet në atë mjedis jo fort të përshtatshëm e gati të huaj në fillim. I vetmi aleat i tij ishte korrektesa dhe ëndrra e tij për t’i rritur sa më mirë, (aq sa e lejonin kushtet), katër fëmijtë e tij, dy djem e dy vajza.

Kur e pyes Foto Strakoshën nëse e ndiente diskrimiminimin në qytetin minator, ai i shmanget përgjigjes dhe unë e marr me mend se ai, pas kaq vjetësh, nuk do ta prishë zemrën me kujtime të pakëndshme.

Për ta nxitur, apo ndoshta pse fjalët më dolën instiktivisht, i tregoj një histori nga fëminia ime, nga vitet e shkollës 8-vjeçare. Megjithatë, ai këmbëngul të mos flasë për atë kohë. Mjaftohet vetëm me dy fjalë të çiltra: “Unë nuk isha dhe aq nxënës i mirë, si vëllai dhe dy motrat...”.
Por ky nxënës “jo dhe aq i mirë”, kishte një dhunti tjetër, që duket se e kompensonte që ç’ke me të përparimin e tij në mësime. Foto Strakosha ishte portier i lindur.

Qysh në fëmininë time të hershme, kisha krijuar mendimin se shtylla e ekipit është portieri. Jo thjesht pse edhe detyra e tij ka një lidhje etimologjike me shtyllën: ai qëndron nën një shtyllë tranversale që mbahet mbi dy shtylla të tjera vertikale. Tek shkruaj, më del para syve Sep Majeri i Gjermanisë, apo Tomashevski i Polonisë, Mariç i Jugosllavisë, tre portierë që unë i mbaj mend nga i pari botëror që pata fatin ta ndjek nëpërmjet televizionit në vitin tashmë të largët 1974, kur isha 11 vjeç e gjysmë. Qysh atëherë e kisha bindur veten se portieri duhet të jetë kapiteni de facto i ekipit, njeriu më me autoritet, fjala dhe veprimi i të cilit është ligj për lojtarët e tjerë. Por që para së gjithash duhet të jetë njeriu i cili, duke bërë çmos për të ruajtur portën të paprekur, duhet njëkohësisht t’u japë kurajë dhe forcë bashkëlojtarëve për ta fituar ndeshjen. Edhe sot e kësaj dite mbetet e paharruar Holanda e ’74-s. Por unë, “analisti” 11 vjeçar, mendoja atëherë se Holanda e humbi Botërorin ngase Jangblud (nëse e shkruaj mirë), nuk ishte portier kaq i hajrit dhe se pikërisht pse kishte portier shumë të mirë, portier – lider, siç do të mësoja të shprehesha më vonë-, e fitoi Gjermania Perëndimore. Apo, Polonia vërtet kishte një Lato apo një Dejna, por nuk mund ta merrte vendin e tretë, nëse nuk kishte në portë Tomashevskin...

Për Strakoshën ishte më e thjeshtë. Ai nuk ishte i sëmurë pas futbollit dhe, siç më thotë, arsyeja e vetme që ai rrinte para ekranit bardhezi të TV-së të dielave, ishte për të parë Perlat Mustën, një tjetër legjendë të madhe të futbollit shqiptar. “Arsyeja që isha tifoz me Partizanin, ishte thjesht Perlat Musta. Edhe sot e them me kënaqësi se ai ishte idhulli im, heroi im. Dhe nuk mund të përshkruaj emocionet që kam ndjerë, kur arrita të luaj si kundërshtar përballë Mustës”...

Foto Strakosha do të mund të ishte sot një qytetar anonim, apo një emigrant gjithashtu anonim, nëse nuk i jepej me kaq përkushtim pasionit të tij. I jati nuk donte në asnjë mënyrë që edhe djali tjetër i tij të merrej me futboll, aq më tepër që djali i madh, një mesfushor shumë i mirë, siç thotë Foto, kishte vrarë keq gjurin pikërisht në një ndeshje futbolli. Por Foto, që shkonte fshehurazi në stërvitje, ashtu si gjithë fëmijtë, kishte aleate të petundur nënën e tij, një punëtorë të thjeshtë në spitalin e qytetit, por me zemër të madhe e të ndjeshme ndaj pjellës së vet.

Nëna ishte që i mbushi mendjen Lefterit ta linte Foton, nxënës në klasën e gjashtë, pra 12 vjeç, të shkonte si portier i qytetit të vet në një kampionat kombëtar të shkollave 8-vjeçare që u zhvillua në Lezhë. Skuadra e Fotos, Memaliaj, doli nënkampione, pasi u mund nga Burreli 0-1. Por vetë Foto kishte bërë një paraqitje të shkëlqyer dhe përveç se kishte pësuar vetëm dy gola, kishte pritur të gjitha penalltitë në dy ndeshje eliminatore.

Foto, me buzën në gaz, kujton një ndodhi pas kthimit nga Lezha.

“Babai po rrinte në oborr të shtëpisë e po lexonte gazetën, duke ngritur herë pas here një gotë me raki, siç bënte çdo pasdite. Kalon andej Miço Maçi, trajneri i ekipit tonë e i thotë: “Na nderoi djali yt, ishte Mace e Zezë”. (Për lexuesin e ri në moshë kujtoj se ky epitet i ishte vënë portierit Sul Maliqati një ndër portierët më të mirë të të gjitha kohërave që ksihte luajtur në vitet 1950-1960). Babai u bë për hekura, vazhdon Foto, e prekën shumë ato fjalë, pse i kujtoi si sharje. “Ç’janë këto që më thua?!... mace e zezë djali im?!”...

Foto më thotë se babai ishte shumë i rreptë në familje dhe fjala e tij ishte ligj. Pavarësisht se ai i merrte vesh fjalët e mira që thuheshin për të birin dhe natyrisht, duhej t’i bëhej qejfi, vendosi shumë vonë që të shkonte e ta shihte krijesën e vet në një ndeshje. Foto Strakosha kishte kaluar tashmë portier i parë i Minatorit të Tepelenës. Ishte pak më shumë se 18 vjeç dhe ndesheshin në Gjirokastër me Luftëtarin vendas që atë vit kishte rënë në kategorinë e dytë. Lefterit i kishte rënë rruga nga qyteti i gurtë, dhe nuk besoj se ishte thjesht kurioziteti që e shtyu të shkonte në stadium. Aq i azhornuar ishte me punët e futbollit, saqë nuk shkoi tek tifozëria tepelenase, por tek gjirokastritët!... Pa u rehatuar në shkallët e stadiumit, dëgjoi tifozët që shanin Foton, ndërsa rezultati ishte 0-2 për Minatorin. Më vonë do t’i tregonte Fotos se kishte ikur thuajse me vrap, nga halli se mos ndeshej me ndonjë të njohur, që do t’u thoshte të tjerëve se ai ishte i jati i portierit.

Rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe Foto kujton me emocion se, kur autobusi i ekipit mbërriti në Tepelenë dhe sportdashësit që qenë grumbulluar tek sheshi para Turizmit u vërsulën dhe e ngritën në krahët e tyre. I jati i vet kishte qëndruar në një cep dhe i ndiqte këto skena, duke përjetuar për herë të parë kënaqësinë e të qenit baba futbollisti.

“Kënaqësia e tij kaloi dhe tek unë, - kujton Foto, - pse munda t’i tregoj që edhe unë bëja diçka”.

Ishte koha që Foto qe “betonuar” në portën e Minatorit dhe këtu kishte luajtur rol rastësia, një aksident që i kishte ndodhur portierit të parë, Sandër Qiqit, thuasje moshatar me Foton dhe, siç thotë Strakosha, portier shumë i mirë.

“Ne ishim katër lojtarë që kishim shoqëri shumë të madhe dhe çdo ditë, pasi mbaronim stërvitjen, gjuanim penallti dhe kush humbiste qeraste me ëmbëlsirë. Në një moment, gjatë një kërcimi që bëri Qiqi, ra dhe shembi kavilen. E çuam në spital dhe aty ia vunë këmbën në allçi. Në kthim, trajneri Reshat Sala më thotë: “Foto, ç’pate, i mbushe brekët nga frika?”. Ai e kishte fjalën që unë do të zëvendësoja tashmë Sandrin në portë. Nuk kam qenë tip “hazërxhevap”, por në ato momente ia ktheva: “Mirë unë, por më duket se frikën më të madhe e ke ti, profesor”... Unë s’i kisha mbushur 18 vjetët dhe pas tri ditësh do të ndesheshim në Fier me Apoloninë, që sapo kishte rënë nga kategoria e parë dhe kishte lojtarë të tillë si Majaci, Tole, Tego”.

Në atë ndeshje Tepelena vërtet humbi, por Strakosha mban mend se kishte bërë një nga ndeshjet e veta më të mira për atë kohë.

Por atëherë natyrisht nuk mund t’i shkonte mendja se po çelte udhën e një karriere kaq të madhe, e cila do të zhvillohej njëkohësisht në dy vende.

Jeta e përditshme e Foto Strakoshës ishte e njëjtë me atë të qindra moshatarëve të tij në gjithë Shqipërinë, që kishin favorin e madh të aktivizimit me ekipet e futbollit të qyteteve të tyre provinciale. Duke qenë në postin kyç të portierit, dhe sidomos duke demonstruar qysh atëherë të dhëna tepër premtuese, Strakosha, kuptohet, bënte pjesë në “elitën” e vogël të futbollistëve minatorë.

Veç futbollit, të cilit i qe përkushtuar tashmë, jeta e tij, ashtu si e shumicës së banorëve të Memaliajt, ishte e lidhur me minierën e qymyrgurit.
Pas stërbitjes së lodhshme, qerasjes me ëmbëlsirë, dhe xhiros së zakonshme të mbrëmjes në rrugën kryesore të qytetit, Foto shtrihej për gjumë dhe të nesërmen çohej më pesë të mëngjesit që të kapte autobusin për në minierë. Aty, “i deklasuari” Foto Strakosha gëzonte vetëm privilegjin e 6-orëshit, si gjithë futbollistët. Ndërsa në punë ishte i barabartë me gjithë të tjerët, madje, puna që bënte nuk qe fort e lehtë për djaloshin 17 vjeçar. Transportonte tranversa, i ngarkonte në vagona që i shtynte vetë dhe i çonte thellë në galeri. Atëherë ndoshta e mendonte thjesht si një punë që duhej kryer patjetër. Por sot, pas dy dekadash e gjysmë, është i vetëdijshëm ae ato vitet e punës në minierë e ndihmuan të krijinte një karakter të fortë. “Kur hipën kolla majë kalit, rrëzohesh shpejt”, kjo është një proverbë që ai e përsërit gjithmonë.

Pavarësisht se, falë formës sportive dhe karakterit, ai gëzonte respektin e gjithë shoqërisë, “ceni i biografisë” e ndiqte pas si një hije e përhershme. Përgjithësisht, opinionet dogmatike për të “prekurit” politikisht, dominonin në provincë. Por në rastin e Strakoshës, goditja do t’i vinte nga lart, drejt e nga Tirana.

Paraqitja e tij e mirë kishte tërhequr vëmendjen ekipeve nga rrethet fqinje me Tepelenën: Apolonia, Luftëtari dhe Butrinti i Sarandës. Oferta e fierakëve ishte më joshëse, aq më tepër që ata po “marshonin” drejt kategorisë së parë. Do ta sistemonin menjëherë në punë dhe do t’i jepnin të drejtën e studimit për ndjekur me korrespondencë shkollën e fizkulturës. Por Gramoz Ruçi, n’ atë kohë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, dhe “dorë e fortë” qysh atëherë në Tepelenë, nuk lejoi që Foto të largohej.

Lefter Strakosha, i jati i Fotos, kishte një njohje me Gramozin qysh prej kohës që ky i fundit punonte si mësues në fshat. Lefteri rrinte dhe e priste sa mbaronte mësimin, që ta merrte me vete në Tepelenë. Ndonëse i rreptë e gati patriarkal, ai nuk donte që t’i prishej “aveniri” të birit. Kështu që vendosi që të shkonte e të bisedonte vetë me Gramozin. Ndonëse nuk kishte mbyllur takim, kryetari i komitetit e priti menjëherë. Pasi shkëmbyen fjalët e rastit dhe Lefteri i tha “Kam një hall”, Gramozi ia priti: “Më kërko ç’të duash, vetëm mos më thuaj për Foton”. Babai u ngrys, u ngrit dhe duke dalë, i tha: “Ma paç në qafë djalin!”. “Në qafë do ta kem!”, iu përgjigj Gramoz Ruçi.

Mirëpo, nuk kaluan veçse pak muaj, kur Foton e thirrën në Komitetin Ekzekutiv dhe i thanë të shkonte në Tiranë, tek Klubi Dinamo e të takonte Bejkush Birçen, trajnerin e ekipit të futbollit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama