Fotografi qe flasin per grate e dhunuara ne Kosove dhe Shqiperi

Fotografi qe flasin per grate e dhunuara ne Kosove dhe Shqiperi

Suzana Varvarica Kuka sjell në ekspozitën e saj pjesë e Festivalit “Femme Fatales” që po zhvillohet në Prishtinë, dhunën ndaj grave. Kuratorja Suzana Varvarica Kuka shtjellon temën “Kështu nuk vritet një grua”, një ekspozitë e përcjellë me shenjën e policisë, por edhe me rrëfime të vërteta të grave të dhunuara në Shqipëri e në Kosovë.

Varvarica Kuka thotë se në këtë ekspozitë tregohet edhe për përdhunimet e grave në Kosovë gjatë luftës. “Në Kosovë, këto përdhunime kanë ndodhur si rezultat i luftës së fundit, ndërsa në Shqipëri janë kapur momente nga gratë e ngujuara në kulla për shkak se burrat e tyre kanë vrarë dhe janë në hasmëri. Pra, në Shqipëri, kapem më shumë me mentalitetin dhe nivelet e ulëta kulturore e politike, nivelet e ulëta të jetës në përgjithësi. Probleme të tilla, ne do të na vijnë prapa derisa të mësohemi të edukojmë intelekt tek rinia jonë. Në këtë ekspozitë ka gra të dhunuara, por ka edhe burra që e pësojnë nga gratë”, – thotë kuratorja.

Greta Dhaskali Lami, Marta Zadrima dhe Gai le Japon janë artistet e kësaj ekspozitë, secila me rrëfimin dhe fotografitë që lidhin historinë e vuajtjes dhe gjendjes emocionale të grave të dhunuara në situata të ndryshme.

Diku në tokë në skenën e vogël të teatrit, është vendosur  portreti i kuratores Suzana Varvarica Kuka. Dhe kjo e ka një kuptim. “Dua të më shkelin njerëzit kur kalojnë nëpër ekspozitë, sepse nuk dua të tregohem profane ose e pafajshme. Doja pak a shumë emocionin dhe gjendjen që i karakterizon gratë e dhunuara. Unë jam simbol po si këto gra”, – shton Varvarica në hapjen e ekspozitës. Pjesë e ekspozitës janë dhe pesë vajza që shfaqen me veshje tradicionale. Ato janë veshje të një gruaje të vdekur, të një vuajtjeje që nuk arriti ta tregonte deri në fund tregimin e saj. Saranda Bogujevci, e njohur për historinë e saj familjare, ka vendosur që rrobat të nënës së saj t’ia transmetojë publikut me anë të duarve të Besa Nezirit Rugovës, në premierën “Në kujtim të nënës”. “Një emocion i veçantë të sjellësh këto veshje nga një grua e cila nuk jeton më. Kisha probleme sepse gjithmonë isha në ankth nëse asaj, po të ishte gjallë, do t’i pëlqente ajo që unë po bëj, për më tepër është përgjegjësi e madhe kjo që më është besuar nga Saranda”, – tregon dizajnerja Rugova.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama