Kur është shkrepur fotoja juaj e famshme, ajo qe ne të gjithë e kemi parë më shumë?
Mesambaj mend ishte 7 gusht 1991, rreth mesditës, madje ora duhet të ketë qenë 1 ose 2:00. Ishte një gusht i nxehtë, por edhe një ditë si gjithë të tjerat, duke pritur pak a shumë ato që duhet të ndodhnin.
E.T: Si u gjende në port? Po njerëz që shkonin në këmbë rrugës për në Durrës kishte? A e mban mend si ishte për ty ajo ditë në Durrës?
Ishte kohë e zakonshme, bënte vapë, as që nuk e dija se çfarë do bëja dhe që do të mund të gjendesha atje. Jo vetëm atje, por edhe gjatë asaj dite dhe në kthim njeriu mediton për skenën, apo shfaqjen dhe gjendjen në të cilën u përball atje, apo edhe atmosferën e përgjithshme dramatike. Ishte zymtësi dhe varfëri njerëzish, të cilët përballeshin me vdekjen pas një fije shprese ku fija e shpresës nga larg dukej si një fill i zakonshëm, por në fakt qe një litar për një jetë më të mirë, që gjithmonë mendohej se ishte në perëndim, ku asnjë nuk mendonte për rrezikun e jetës, por vetëm të ikte. Kishte kohë që në Tiranë ishte përhapur lajmi se nëpërmjet anijeve në Portin e Durrësit, po shkonin drejt Italisë shumë njerëz. Por në fakt, ne nuk është se dinim ndonjë gjë të saktë. Fjalët ishin si avull por asgjë nuk besohej! Unë në atë kohë punoja fotoreporter në ATSH, dhe me të marrë vesh lajmin u nisa. Rrugës, andej në fund të Kombinatit shikoja njerëz të hipur në skoda transporti të zbuluara, të tejmbushura, njerëz mbi suprinën e autobusit, të gjithë vraponin. Midis makinave shikoja edhe njerëz që atë rrugë të gjatë e kishin marrë në këmbë, por edhe me biçikleta. Madje turmat kishin nisur që te “21 Dhjetori” e vazhdonin pak nga pak… As nuk mund ta mendoja se çfarë do të të shikoja kur të mbërrija atje.
Më përshkruaj pak kohën kur u gjende në port, sa njerëz mund të kishte në det? (në këtë pyetje herë-herë mbyll sytë dhe flet)
G. XH: Ishte si një turmë e madhe si në stadium me kurriz nga unë dhe vështrimin në det. Në kalatë qëndronte anija “Vlora” që duhet të kishte aty orë të tëra, sepse në çastin që mbërrita unë ishte e mbushur plot me njerëz, mizëri e turmë që donte vetëm të ikte. Mbi kalatë, por edhe te direkët shquheshin vetëm kokat e njerëzve. Ndërkohë, edhe pse dukej sheshit që në anije nuk kishte vend për të gjithë, por ama nuk kishte vend fare, në det njerëz të tjerë vazhdonin të luftonin me lirinë. Më shumë kishte të rinj, por edhe gra me fëmijë në duar. Më shumë se njëqind njerëz mund të ishin në det! Se ma kujtove tani që po më pyet për detin, ishte edhe një litar i madh i lidhur me bregun dhe kuvertën, ashtu siç duket edhe në foto, madje duken edhe të tjerë që përpiqen ta shfrytëzojnë këtë litar si urë nga toka në anije. Njerëz që zvarriteshin në litar, por edhe që binin, por edhe ata që bënin i mbaj mend që nuk hipnin dot lart më pas, sepse kishte shumë njerëz. Por ndonjë edhe çau!
Si e kuptove se çfarë duhet të bëje, dhe se i gjithë çasti ishte historik, që nuk mund të vinte më… Ky ishte me të vërtetë një eksod i dytë, kështu duhet quajtur?
Po, ashtu duhet quajtur, sepse i pari tashmë kishte ndodhur dhe nuk kishte pikë krahasimi me këtë. Gjatë muajit mars të vitit 1991 me qindra dhe mijëra shqiptarë kishin zbarkuar në Brindisi, por ishin pak. Unë edhe këtë kohë e kam në foto. Në këtë rast bëhet fjalë për rreth 20 mijë emigrantë që ishin të gjithë brenda në një anije, nga ku nuk doja të më kalonte asnjë çast pa mbaruar me gjithë stresin tim për të bërë fotot atje… Në port kishte kakofoni të madhe. Dukej si vend bletësh, grenxash dhe mizash. Humbje po mos të dije se çfarë kërkoje. Si për çudi, atë ditë të gjitha dyert e portit ishin të hapura, nuk dihej pse i kishin hapur! Turmat hynin sikur do të shkonin për të parë ndonjë ndeshje në stadium… Kur mbërrita buzë detit për fat të mirë aty gjendeshin disa stiva të larta, që nuk më kujtohet mirë se çfarë ishin, hipa mbi to dhe prej aty nga e majta në të djathtë dukej se e gjithë vija buzë detit ishte e mbushur rrafsh me njerëz. Një vijë që mund të shkonte pa frikë rreth një kilometër.
Kjo është një ndër fotot e tua më të famshme, dhe shumë e përfolur se shumica e njerëzve nuk e njohin se kush e ka bërë. A e ka kjo foto një titull? Po e kuptoje që po bëje një foto historike, e cila nuk bëhet kurrë më?
Jo vetëm këtë, por unë e kuptova që me fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri, dhe me ngjarjet e ambasadave. Isha fotoreporter, të gjithë kishim frikë, sepse fotot tona shikoheshin ende nga sipër. Pra edhe fotot që i bënim, i bënim edhe me frikë. Jo vetëm që fotografoja si i frymëzuar nga ngjarje të rëndësishme historike, të cilat do të pasoheshin me ndryshime dhe data. Unë mendoja edhe për gjendjen time, por ngjarjet ndodhnin për të shkruar histori dhe detyra ime ishte që t’i regjistroja, sepse isha i bindur se ndryshimet do të vinin shpejt. Kishte pak njerëz që besonin kështu, dhe nuk u vinin rëndësi fotove që bënin. Ndoshta kolegë të tjerë nuk besonin në ndryshimet që do të pasonin dhe prandaj nuk u angazhuan. Por shtysa ishte edhe profesionale e më pas edhe politike. Koha e vërtetoi që unë isha menduar mirë në fillim të viteve nëntëdhjetë, sepse pas eksodit të ambasadave unë i kam fotografuar ngjarjet në mënyrë kronologjike.Po, për nga jeta është një ndër fotot e mia më të dashura, është ajo gjendja siç ndihem unë kur bëj foto. Është foto që edhe unë vetë nuk e bëj dot më për shumë arsye! Edhe në albumin tim “Rilindje”, e kam titulluar “DREJT PERËNDIMIT”.
Charles Bukowski shkruan diku se shumica e njerëzve ishin të çmendur, por edhe pjesa që nuk ishin të çmendur ishin të zemëruar. Dhe pjesa që nuk ishin as të çmendur e as të zemëruar ishin thjesht të budallepsur. Më shumë kjo shprehje shkon si pyetje për atë ditë, po njerëzit si dukeshin atje?
Atyre që u kam bërë foto unë, ishin pothuaj të veshur me bluza të bardha, me pantallona teritali dhe xhinse… E ke vetë parasysh nga ekrani atë profilin shqiptar të viteve nëntëdhjetë, ashtu ishin… Zotërohej një atmosferë e zymtë, njerëz që përshëndeteshin me duar, të shqetësuar e të mërzitur. Gra me fëmijë, por kishte edhe nga ata që në det luftonin me detin, mundin, kohën dhe jetën. Ndërsa aty ku kam bërë unë fotot kishte vetëm heshtje, spektatorë të heshtur. Qanin! Pasi fotografova anën panoramike të kësaj tabloje, zbrita dhe po fotografoja edhe njerëz nga afër. Është një foto ku duken dy gra, njëra që ka një fëmijë në krah dhe me sy të trishtë po shikon një burrë para saj, dhe një tjetër grua me sy të kaplyer që vështron drejt meje në profil; duke qëndruar mbi një grumbull hekurishtesh, me sytë të tretur te anija “Vlora”. Vështrimet e njerëzve mbanin trishtim të zymtë. Me ata sy që tashmë u erdhi fati në dorë dhe nuk mundën të bënin gjë me të.
Ka edhe një arsye tjetër, që shumica prej nesh nuk e dinë, madje shumë pak njerëz e njohin që fotoja “Drejt Perëndimit” është e juaja. Ajo mbetet shokuese për liri dhe trishtim, si me dhe pa ngjyra, si shembull për eksod, por edhe për diktaturë… Por ka edhe një fakt tjetër tejet interesant, çfarë ka ndodhur më pas me këtë foto?
Foton bardhë e zi, e gjen në të gjithë shtypin e shkruar shqiptar dhe të huaj të atyre viteve. Madje sa herë që shkruhet për ato ndodhi, fotojadelende sot në skenë. Në vitin 2010 zbuluam bashkë me tim bir se në Flickr, fotografia e 7 gushtit 1991, pra fotoja drejt Perëndimit, është paraqitur në faqen zyrtare të Benetton në Flickr si fotografia më e mirë në rreth 30 foto të reklamës së po kësaj kompanie, foto të cilat janë të përmbledhura në 20 vite. Aty lexuam edhe shënimin se fotoja është anonime, pa autor, dhe në të djathtë të saj shkruhet se të drejtën për këtë foto e ka Benetton. Një foto e cila është përdorur gjatë nga Benetton, kudo ku ka shfaqur reklamat e veta…
Pse fotoja paraqitet në Flickr nga bardhë e zi e manipuluar me ngjyra?
Sipas ligjit ky quhet cenim i veprës së tjetrit pa lejen e tij. Dhe pas këtij verifikimi filluam të interesohemi për të kërkuar të drejtën e autorit të vërtetë që jam unë, dhe për këtë qëllim mblodhëm provat e nevojshme, duke filluar që nga filmi origjinal. Ajo foto është pasqyruar në albumin tim me titull “Rilindje”, përmbajtja e të cilit ka proceset demokratike në Shqipëri. Më shkon çdo ditë e më shumë në mendje se si ka mundësi që një kompani si Benetton i lejon imazhit të saj një përdorim të tillë të veprës së tjetrit nga e cila mund të ketë vetëm reklamë nga ato që nuk mund ta ketë kurrë, propagandë, por edhe përfitime materiale financiare, dhe si mund ta bëjë një gjë të tillë në kurriz të një fotografi shqiptar i cili nuk kërkon gjë tjetër veç se të drejtën e tij si autor. Madje, kompania ka vendosur lart fotos në të majtë edhe logon e saj, të gjelbër me si shkronja të bardha, ku shkruhet: UNITED COLORS OF BENETTON.
Ju e keni ende filmin origjinal?
Patjetër që e kam filmin. E ruaj jo vetëm si shenjë dëshmie, por edhe profesionale, por bashkë me të edhe shkrepje të tjera që përbëjnë ciklin e fotografive të kësaj ngjarjeje. Gjë që më bën të fituar në gjyq, sepse atë foto nuk mund ta ketë bërë asnjë fotograf italian, siç mund të shkruhet lartë e poshtë. Pra të drejtat e fotos mbeten të miat. Tashmë kam nisur punën me një dosje timen për të rifituar të drejtën e autorit.
Me çfarë aparati e ke shkrepur foton atë ditë?
Me një “Nikon 73”.
Gjatë kohës që ishe duke bërë foto, a vdiqën njerëz, a pati të mbytur?
Shiko, unë e kisha mendjen te fotot, edhe ajo që shikoja ishte e shpejtë, pak a shumë edhe vegimthi. Mbaj mend që kam parë tre apo katër djem që shpëtonin një të mbytur, e më pas nuk e mora vesh në e shpëtuan apo jo! Por duhet të ketë pasur të mbytur, të shtypur apo të hedhur, veçanërisht të mbytur me aq sa mbaj mend duhet të kenë qenë gjashtë apo shtatë vetë. Më pas mbaj mend që kishte edhe të humbur, por nuk po u futem me detaj këtyre historive, sepse unë jam ai që i sheh gjërat më nga jashtë.
Fotoja është tepër shokuese, si ajo me ngjyra dhe ajo bardhë e zi. Duke marrë shkas nga origjinali të gjithë kur e shohin atë mbeten të habitur, madje edhe ata që e njohin foton me ngjyra kujtojnë se është e Benetton! A është kjo foto një detaj i asaj që ka ndodhur realisht?
Nga ana profesionale kjo fotografi është kompozuar profesionalisht në mënyrë të saktë, sepse ajo vërtet është një detaj i asaj që po ndodhte në dimensione shumë më të mëdha. Nga këndvështrimi i shikuesit të pas atyre viteve, mund të themi se është një foto simbol për të gjithë emigracionin botëror, sepse në një ditë dhe në një anije kanë vërshuar rreth 20 mijë njerëz. Kjo e ka shkakun te vetëizolimi i regjimit diktatorial komunist që sundonte në Shqipëri për rreth gjysmëshekulli, qytetarët dhe njerëzit kur regjimi ra menduan se Perëndimi ishte toka e dëshiruar. Shpejt provuan edhe zhgënjimin, sepse nuk qe edhe aq e thjeshtë dhe shumë prej tyre u rikthyen me detyrim nga Italia në Shqipëri, ashtu të paveshur siç ishin. Kjo që po ndodhte për ta ishte jo vetëm një zhgënjim, por edhe një përkeqësim i gjendjes dhe situatës drejt mjerimit që sundonte në vend. Nuk mund të fajësojmë shtetin italian, sepse menaxhimi i këtyre mijëra njerëzve të papritur dhe befasisht ishte i vështirë, por gjithsesi respekti ndaj tyre duhej treguar më vonë më pas në Itali u sistemuan e u pranuan. Mund të them që me këtë ide përgatita dhe botova një album me titull “Rilindje” që është pritur jashtëzakonisht mirë dhe është i vetmi botim me fotografi që i dokumenton këto zhvillime politike të viteve nëntëdhjetë e pak më tutje.
P.S: Gani Xhengo ka lindur në Korçë më 2 dhjetor 1943 dhe ka kryer studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Prej vitesh ka punuar si fotoreporter në ATSH dhe si i tillë është bërë i njohur nëpërmjet botimeve në organet e shtypit dhe organizimit të ekspozitave fotografike brenda dhe jashtë vendit.
Më 5 prill të vitit 2011, Presidenti Bamir Topi i akordoi fotoreporterit z. Gani Xhengo Medaljen “Pishtar i Demokracisë” me motivacionin: “Për kontribut dhe profesionalizëm në dokumentimin e ngjarjeve të mëdha të transformimeve demokratike, nëpërmjet, fotografisë dhe botimit të një sërë albumeve, si dëshmi të historisë kombëtare”.