Fotoreporteri francez Ne shtypin shqiptar fotografia eshte thjesht ilustrim i tekstit

Fotoreporteri francez: Ne shtypin shqiptar fotografia eshte thjesht ilustrim i tekstit
Përcaktimi i një hierarkie të subjektit për të është krejtësisht i pakuptimtë. Ekzotika po ashtu nuk përbën vlerë. Historia është thelbësore në punën e tij. Përgjithësisht ai mbetet një fotograf gjeneralist. Përmes tragjedisë që shkakton cunami, fushatës presidenciale franceze, konfliktit ruso-gjeorgjian, çfarë ndodh në murin ndarës mes Izraelit dhe Palestinës, apo luftës në Libi, ai përpiqet të sjellë përmes fotove histori të vogla njerëzore. E për të kuptuar epokën në të cilën jetojmë, duhet të bashkosh gjithë këto histori si pjesët e një puzzle. Disa prej këtyre pjesëve fotoreporteri Arnaud Brunet i solli në një ekspozitë edhe në Tiranë.

Z. Brunet, nga fotot që keni ekspozuar në Tiranë duket se ju jeni në çdo vend ku ka konflikt dhe ndodh një tragjedi. Si e zgjidhni subjektin e fotove tuaja?

Pjesa më e madhe e fotove këtu janë nga tragjedia në Haiti pas tërmetit të vitit 2008-ës. Sapo isha larguar nga Agjencia Gama. Tashmë isha një fotoreporter i pavarur. Isha ndër të parët fotoreporterë që mora njoftimin për atë që kishte ndodhur në Haiti dhe menjëherë vendosa të blija një biletë e të nisesha për atje. Qëndrova tri javë në Haiti dhe qëllimi im kryesor ishte që të tregoja përmes fotove se çfarë kishte ndodhur . Është e vërtetë që në përgjithësi kam shkuar në ato vende ku ka patur konflikte dhe katastrofa natyrore si në Indi, Bregu i Fildishtë, Gjeorgji, Izrael, Palestinë etj. Por subjekte të fotove të mia janë edhe shumë probleme sociale që ka Franca sot, si papunësia, krahu i lirë i punës etj. Por edhe e bukura është subjekt që unë e parapëlqej. Kam qenë në Himalaje për të fotografuar bukuritë e mrekullueshme atje. Në punë time thelbësore është historia. Një nga shefat e mi më thoshte gjithmonë: Teksti është korniza e fotografisë.

Sa e kuptuan këtë studentët e Akademisë së Arteve dhe të Gazetarisë gjatë leksioneve që ju mbajtët për fotoreportazhin?

Në fillim ata nuk arrinin të kuptonin faktin se duhej të kishe një histori e pastaj ta dokumentoje atë përmes fotografisë. Për ta ishte e kundërta; mbi fotografinë ndërtonin një histori. Kjo është e gabuar sepse nuk është e rëndësishme të kesh një aparat e të bësh disa shkrepje e pastaj mbi ato të ngresh një histori. E rëndësishme është që në fillim të kesh një histori për të treguar dhe atë ta dokumentosh përmes fotove. Pra formati duhej të ishte histori-foto. Studentët gjithashtu përpiqeshin ta gjenin historinë jo në jetën e përditshme por diku tjetër, kërkonin subjekte të mëdha, personazhe të njohur, duke harruar se subjekti më i bukur është ajo që na ofron jeta e përditshme. Fotot e atyre historive të vogla që ndodhin përditë janë dokumentimi i asaj që ndodh sot në shoqëri.

E keni parë shtypin shqiptar këto kohë të qëndrimit tuaj në Tiranë? Në këndvështrimin tuaj, si qëndron raporti mes tekstit dhe fotografisë?

Jo vetëm në shtypin shqiptar, por për shumë vende fotografia është thjesht ilustrim i tekstit. Fotoreportazhi nisi me luftën në Vietnam. Ishte SHBA-ja me “New York Times” dhe “Newsweek” dhe agjencitë franceze që i vunë fotografët dhe gazetarët e tyre të punonin bashkë dhe shpesh silleshin këndvështrime të ndryshme nga lufta në Vietnam. Më vonë dhe shumë vende të tjera kuptuan se fotoreportazhi është shumë i rëndësishëm në rrëfimin e një historie. Sot në botë ka dhe një problem; njerëzit lexojnë gjithmonë e më pak.

Fotografia me ngjyra apo bardhë e zi godet më shumë në historinë që ju rrëfeni përmes fotove?

Kjo varet nga historia që dua të tregoj dhe zgjedhjen e kam unë në dorë.

Gjatë qëndrimit në Tiranë keni gjetur ndonjë histori për ta dokumentuar me foto?

Ajo që unë kam parë këto ditë është një potencial i madh zhvillimi që ka ky vend. Në kaq ditë qëndrimi kjo është ajo që kam konstatuar. Si fotoreporter, kudo që shkoj nuk kam si qëllim që thjesht t’i bëj foto një qyteti, por gjithmonë kërkoj një histori dhe pastaj atë histori e tregoj me foto. E kësaj radhe nuk pata mundësi që ta bëj një gjë të tillë, sepse kam punuar gjatë gjithë kësaj kohe me studentët e Akademisë së Arteve dhe Gazetarisë dhe qëllimi im ishte që t’u mësoja atyre se si një histori ta kthejnë në foto. Për ne fotoreporterët fotografia është si stilolapsi që përdorni ju gazetarët për të shkruar historinë.

Kush është Arnaud Brunet

Lindur në vitin 1976, ai jeton dhe punon në Paris. Sipas radhës, ai pasi studioi për Letërsi Moderne dhe Filozofi, punoi si shitës, shofer etj., për të siguruar financiarisht studimet e duhura për t’u bërë fotograf. Dhe nga viti 2004-2008, Arnaud Brunet punoi si fotoreporter i Agjencisë Gama. Qysh prej vitit 2008, ai është një fotoreporter i pavarur. Gjatë kësaj kohe ka udhëtuar në shumë vende të botës, kryesisht në ato ku ka patur konflikte dhe katastrofa natyrore, duke sjellë fotoreportazhe jo vetëm për neusphotos por dhe për mediat më prestigjioze franceze.

Fotoreporteri francez Arnaud Brunet ishte këto ditë në Tiranë, i ftuar nga Ambasada franceze në kuadër të ‘Pranverës së Frankofonisë’ si pjesë e një projekti, ku zhvilloi një workshop me studentë të Akademisë së Arteve dhe Gazetarisë mbi fotoreportazhin dhe çeli një ekspozitë personale

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama