Fotot e ministrit te Shendetesise ne Spitalin Ushtarak

Fotot e ministrit te Shendetesise ne Spitalin Ushtarak
Të takosh ministrin e Shëndetësisë në një dhomë të repartit të Kirurgjisë të shtruar si dhjetëra pacientë të tjerë, është diçka që nuk ndodh shpesh! Por ja që edhe mund të ndodhë, për fatin e keq të vetë ministrit Petrit Vasili i cili u shtrua në Spitalin Ushtarak pas një aksidenti në Elbasan.

Krejt ndryshe nga sa mund ta shohësh në një ditë të zakonshme pune të veshur me petkun e ministrit, në spiralin Ushtarak e shikon si një pacient i cili nuk i shmanget dot sëmundjes. Sytë i ka me rrathë të nxirë, ndërsa një gërvishtje e madhe i është shënuar në ballë nga aksidenti. Nuk pranon të flasë gjatë por pas këmbënguljes sonë arrin të shqiptojë falenderimet e para ndaj mjekëve të qytetit të Elbasanit të cilët i kanë dhënë edhe ndihmën e parë. E pyesim se cilat janë anët pozitive të shërbimit shëndetësor që ai pa teksa ishte i detyruar të merrte ndihmë. Për këto nuk ngurron të përgjigjet: "Mendoj se kemi një staf shumë të kualifikuar mjekësh".

Ndërsa sa i takon anëve negative që mund të ketë vërejtur si pacient në shërbimin shëndetësor këtu thekson se e ka të vështirë të japë një përgjigje. "Kësaj i thonë të hash bukën dhe të përmbysësh kupën", pohon si me keqardhje dhe aty për aty shton:."Më besoni nuk kam parë ndonjë aspekt negativ në shërbimin që kam marrë".

Pohon më tej se në këto ditë të nxehta fushate dhe fluksi pune, problemet shëndetësore nuk po i mundësojnë të jetë as në zyrën e ministrisë e as në ballë të fushatës së partisë për zgjedhjet lokale. Ditën e fundit mjekët, nën drejtimin e doktorit Edmon Faber i bënë një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale në njërën këmbë për të kuruar një infeksion që sapo kishte nisur të agravohej. "Do të dal nga spitali kur mjekët ta shohin të arsyeshme nëse shëndeti im mundet ta përballojë. Kështu nuk mundem të jem padyshim as në ministri e as në fushatë", pohon ai për gazetën.

I ndodhur në pozicionin e pacientit prej disa ditësh, fakt ky që i ka prishur disi axhendën jo vetëm si ministër por edhe si politikan ku duhet të jetë në fushatën e partisë apeli i tij është që të bëhet kujdes ndaj aksidenteve. "Bëni kujdes në qarkullimin rrugor. Aksidentet po sjellin dëme të mëdha shendetësore ekonomike, madje edhe vdekje", thotë Vasili i cili duket ende i tronditur nga dëmtimet që i ka shkaktuar ende aksidenti.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama