Fotot nga pallati Edi Rama vazhdon te banoje me qira ne apartamentin 75 m2

Fotot nga pallati, Edi Rama vazhdon te banoje me qira ne apartamentin 75 m2

Kryeministri anashkalon çdo privilegj që ia jep ligji, nga rezidenca qeveritare për banim deri te punonjësit e shërbimit.

Të gjithë ata që kanë lexuar librin “Kurban” të shkruar dy vite më parë nga Kryeministri aktual Edi Rama, me siguri që kanë memorizuar disa detaje pikante që kanë të bëjnë me jetën e tij private, si dhe me banesën e tij. Ja si shkruan Rama: “Jetoj me Lindën në një kat të lartë të Tiranës, 75 metra katrorë, e marrë me qira qysh se u martuam. Librat disagjuhësh me skeletin gri të bibliotekës ndajnë në vend të murit ndenjjen nga gjumi dhe kravatat janë varur anash krevatit….”

 

Me këtë përshkrim , Rama na lë të kuptojmë se hapësira e ndarë në dy ambiente nga një dollap librash është mjaft e vogël, duke pasur parasysh se banuesi është një individ që ka marrë disa përgjegjësi të mëdha dhe minimumi i duhet një studio pune.

 

Gjithsesi, ju mund të mendoni se kjo është një histori që i përket të kaluarës, kohë kur Rama nuk ishte ende Kryeministër dhe ky mund të ishte një sistemim provizor. Ndërsa sotm si kryeministër ai mund të ketë gjithë komoditetin normal që ka dikush në pozicionin e tij, duke i mundësuar vetes dhe familjes të gjitha kushtet që nuk janë luks, por nevojë. Por jo, fotot e realizuara nga papaparaci ynë vetëm pak ditë më parë, ku shihet Rama duke dalë nga shtëpia në mëngjes për të shkuar në punë, dëshmojnë se ai vijon të jetojë në ata 75 metrat katrorë të ndara me dollap që përshkruan në librin “Kurban”. Pallati ku jeton Rama, gjendet përballë Drejtorisë së Policisë, në një zonë të mirë të Tiranës, por që është pak a shumë si çdo pallat tjetër i kryeqytetit, i ndërtuar vitet e fundit.

 

Mbase të jep thjesht idenë se ka më shumë siguri, sepse është përballë një drejtorie policie dhe mbase kjo ka bërë që edhe punonjësit e sigurisë jashtë pallatit të tij të jenë shumë të paktë. Madje duket qartë edhe nga fotot se Rama në dalje të pallatit nuk shoqërohet nga askush, gjë që lë të kuptojmë se ai ka zbritur pa roje nga ashensori, meqë banon në kat të lartë dhe në dalje të tij nuk bëhet ndonjë mur rojesh, duke lënë kështu të lirë edhe syrin kureshtar të kalimtarëve të rastit, të cilët e kanë vetëm pak metra larg Kryeministrin e tyre. Po çfarë mund të bënte ndryshe Kryeministri, që të mos jetonte si çdo qytetar i këtij vendi, në një banesë komunitare?

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe me disa ndryshime të Këshillit të Ministrave bërë dy vite më parë, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka për detyrë të sistemojë Kryeministrin në një nga vilat apo rezidencat qeveritare me gjithë familjen e tij dhe t’i vërë në dispozicion një kuzhinier dhe një punëtor pastrimi. Nëse Kryeministri dëshiron të qëndrojë në banesën e tij, ai mund të marrë dy punëtorët për t’i shërbyer, por dhe shërbime të tjera. Por me siguri që ata punëtorë nuk ekzistojnë në shtëpinë aktuale të Ramës për arsye të përmasave të vogla të saj. Kuptohet se kjo zgjedhje e Ramës nuk mund të lërë askënd indiferent.

 

Kjo sepse në më shumë se dy muaj si Kryeministër, ai përveç eskortës, nuk ka marrë asnjë privilegj që i takon me ligj. Përdor makinën e partisë  së tij dhe nuk ka punëtorë shërbimi në shtëpi. Natyrisht kjo sjellje e bën atë që të duket i thjeshtë dhe i përulur para popullit dhe sidomos para atyre që e kanë votuar, por natyrisht nuk tregon gjithçka në lidhje me këtë fakt. Tani pyetja që lind natyrshëm, është: edhe sa kohë do banojë Rama në 75 metra katrorë? Një vit më parë, në media u tha se Rama dhe bashkëshortja e tij Linda janë duke ndërtuar një vilë në zonën e Dajtit, e cila me sa dimë, tashmë është drejt përfundimit. Mbase Rama po pret të vendoset aty si një dashamirës i fshatit, meqë dikur ka jetuar në Pezë. Ndërsa rezidencat qeveritare mund t’i përdorë ashtu si paraadhësi i tij, Berisha, vetëm për takime zyrtare. Por, në ndryshim nga Rama, të paktën Berisha i kishte 250 metra katrorë banesë personale, që e bënin të ndihej komod në punët e tij edhe jashtë zyrës. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama