Fragmente qytetesh neper Shqiperi

Fragmente qytetesh neper Shqiperi
Gjithmonë ka tipare të përgjithshme dhe të veçanta. Në çdo mjedis, e sidomos në qytete të mëdha. Gjithmonë keni vënë re që tjetër atmosferë përthithni në Vlorë e tjetër në Korçë, pavarësisht se kjo nuk barazohet kurrë me individualitetin e çdo qytetari, i cili mund të ngrihet mbi kufizimet e mjedisit dhe bashkësisë ku jeton: “Veriu është i ashpër”, “Labëria, trime, por e ashpër”, “Shqipëria e Mesme më e buta, më e mira”, “gjirokastritët lidhin macen”, “ja korçare, ja hiç fare”, “shkodranët qejflinj”, “durrsakët liberalë” etj, etj.

Përtej mbrëmjeve që, vetvetiu si të lidhura me  një rregull të heshtur e të përbashkët thuajse në të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë, përveç Tiranës, e përveç stinës së verës, mbyllen të gjitha shpejt e shpejt aty nga ora 6-7 e mbrëmjes e pas kësaj i mbulon ankthi dhe heshtja ‘xhang xhing’. Përveç afrimitetit në komunitet dhe thashethemeve si pasojë e kësaj, përveç shumë e shumë tipizimeve që mezi iu gjendet fundi dhe hapësira për të folur për to, çfarë spikat më fort sot në qytetet kryesore të vendit? Çfarë është aq dalluese sa të lërë më shumë shenjë? Një bisedë me sociologun Zyhdi Dervishi për të thënë shkurtimisht disa ide, përjetime objektive-subjektive rreth qyteteve tona dje, por sidomos sot.

Korça, elitare, aristokratike

Shprehja “O korçare, o hiç fare!” duket se përmbledh shumë të mira bashkë. Sidomos të grave, por jo vetëm grave korçare. Pa i hyrë të mirave të tjera, ajo që rigjen të pazhbërë sa herë viziton Korçën e për të cilën shqiptarët në përgjithësi janë ende kaq defiçitarë, është eleganca e sjelljes së korçarëve.

“Korça mbart aristokraci elitare në shumë aspekte, por dhe në sjellje dhe komunikim, edhe në sajë të Liceut Francez, pushtimit francez, që bënë të depërtojnë elemente të kulturës franceze. Por për fat të keq këto elemente nuk janë fitimtare dhe shtypen nga arroganca primitive në rastet kur korçarët puqen me të tjera zakone nëpër Shqipëri. Kanë shumë edukatë komunikimi dhe pune, mençuri dhe talente natyrale, shije estetike, marrë edhe nga kultura të tjera, falë emigracionit. Duan të jenë gjithmonë të veçantë”, shtjellon edhe shkaqet sociologu Zyhdi Dervishi.

Shkodra me sa shumë biçikleta!

Biçikleta! Sa shumë biçikleta në Shkodër! Janë ato të parat që të godasin vështrimin dhe të habisin ende. Shkodranët kësisoj rezultojnë qytetarët me standard më të lartë ekologjik dhe ambientalist se shqiptarët e tjerë në këtë aspekt. Biçikleta thua nga varfëria? “Jo, s’është thjesht ajo. Biçikletat në Shkodrën e kulturuar në breza, me mirësi, shpërfillje ndaj zonave rurale dhe të hapur ndaj Perëndimit, biçikletat kanë qenë traditë. Edhe në vitet ’30, edhe në regjimin komunist, Shkodra ka përdorur shumë biçikletat. Në vitet kur kishte vështirësi për të udhëtuar nga Shkodra në Tiranë, tifozët shkodranë ndiqnin ekipin e tyre me biçikletë deri në Tiranë. Kushtuar edhe këtij ‘huqi’ është xhiruar një film; ‘Odisea e tifozëve’. E në rendin e varfër socialist biçikleta nuk shprehte varfëri. Ai që e mëson biçikletën, e ruan traditën në Shkodër. Por e përdor edhe për tregti të vogla, për të shëtitur rreth e qark liqenit. Një shkodran me humor mbi biçikletë duket vizualisht më interesant.

Vlora, e ashpër, por edhe fisnike

“Vlora dallohet për dy pamje në aspektin social. Për atë që nuk i njeh nga afër vlonjatët dhe këqyr nga jashtë mënyrën e tyre të komunikimit, krijon përshtypjen se ata janë njerëzit më të vrazhdë në botë. Deri vonë në Vlorë kamarieri sillej me klientin si pronar. Ka pasur raste që iu është thënë klientëve: ‘E mo ti, kur flet me mua hiqi syzet! Kjo ndoshta nuk ndodh në asnjë vend të botës”, hulumton sociologu Dervishi. Por më tej shtjellon se po t’i njohësh nga afër vlonjatët, shpirtin e tyre, përgjithësisht mjaft fisnik, humorin e tyre potent, brilant, krijon një tjetër përshtypje. Edhe ai që shpërfaqet me komunikim vulgar brenda një kohe të shkurtër po të dish t’i fitosh zemrën, bëhet gati të të ndihmojë me gjith֛çka, lë kokën për ty. Por fatkeqësisht shumica e turistëve vendas apo të huaj nuk arrijnë të zbresin thellë në shpirtin e tyre.

Përveç detit, Sheshit të Flamurit, xhamisë, dhe imazheve krenare të vlonjatëve, në Vlorë emocionojnë edhe palmat, sidomos ato tepër të larta buzë detit gjatë gjithë rrugës së plazhit Skelë-Uji i Ftohtë.  “Mbeten kurora më e lartë dhe e bukur palmore e vendit”, jep një ide arkitekti Gjovalin Shytani. Tipike, domethënë, vetëm në Vlorë.

Durrësi, mbi eshtrat e qytetërimeve

Ndërtimet. Ato spikasin më tepër, por edhe për keq në këtë qytet të lashtë. Më masivet dhe dëmtueset se kudo tjetër në Shqipëri këto njëzet vitet e fundit ato janë ngritur në Durrës.  E pohojnë këtë një mori kaq e madhe arkitektësh, inxhinierësh ndërtimi apo qytetarësh që ‘kanë shumë apo pak erë’ nga estetika, saqë e kotë të përmendësh emra të tyre. ‘Durrësi është i vetmi qytet shqiptar ku mbivendosen shtresëzimet e disa qytetërimeve. Ndoshta në Durrës pas Luftës së Dytë Botërore nuk duhej ndërtuar asnjë godinë. Durrësi i përpara kësaj kohe duhej gërmuar dhe shndërruar i tëri në park arkeologjik. Çdo godinë e ngritur dhe që vazhdon të ngrihet në Durrës, është një dhimbje që ngrihet mbi eshtrat e disa qytetërimeve, zbulimi i të cilave do t’i shërbente jo vetëm kulturës shqiptare, por europiane e më gjerë”, analizon sociologu Zyhdi Dervishi. Për të, durrsakët e vërtetë mbeten njerëz të ngrohtë, dashamirës, me prirje të natyrshme për t’i kundërqëndruar në mënyrë pasive dhe të qëndrueshme politikave ekstremiste. Më tepër se banorët e gjithë qyteteve të tjera të Shqipërisë, të paktën që Pas Krishtit, durrsakët kanë komunikuar shpirtërisht me kulturat perëndimore. “Një shpirti i madh, liberal, por i vakët, me pretendime të pakta për jetën dhe për t’u angazhuar në jetën politike të vendit”, përfundon perceptimin analitik Dervishi.

Sa shumë u martokërkan në Elbasan!

Këtë rrok më fort se çdo gjë tjetër të mirënjohur nga ky qytet. Vetëm në rrugët kryesore të Elbasanit mund të numërosh rreth njëzet dyqane me fustane nusërie, si askund tjetër nëpër Shqipëri. Rreth dhjetë janë vetëm në bulevardin kryesor. E çdo rrugë në Elbasan po ashtu e ka edhe nga një dyqan me fustane nusërie. ‘Këtej nga ne martohen në moshë të vogël, si në qytet dhe në fshat, por kërkesa kemi sidomos në zonat rurale’, thonë shitëset e dyqaneve. Në bibliotekën publike të qytetit të Elbasanit arsimdashës në shekuj syri të rrok përditë më shumë të rinj që hyjnë e dalin, se sa në biblioteka të qytete të tjera. Dhe nuk kanë humbur jo vetëm ballokumja, por edhe bugaçja, ëmbëlsira sulltan etj. “Elbasani ka qenë dhe mbetet qytet kryesisht për elbasanllinjtë. I ngohtë për vendasit, i ftohtë për të ardhurit në këtë qytet. Historikisht, por edhe në ditët tona, banorët e tij përpiqen t’i zgjidhin problemet me njëri-tjetrin, duke mënjanuar të ardhurit”, shton sociologu Zyhdi Dervishi.

Berati, magjepsës dhe spiritualist

Berati si gjithmonë të mallëngjen! Qyteti që magjeps ende më shumë se kushdo tjetër në Shqipëri për nga bukuria masive muzeale. Habi dhe mahnitje e çdo turisti. Me dy faqet e tij kodrinore dhe të gjitha kthinat e tij tërësisht muzeale; arkitekturë mesjetare dhe paramesjetare. Një kala kështjellë spiritualiteti me 37 kisha apo rrënojat të tyre. Një pasuri kulturore dhe fetare me vlera të jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë, por gjithë Ballkanin. Plot me banorë edhe sot në çdo shtëpi të vjetër disashekullore, duke shpirtëzuar gurët dhe historinë, e sikur përhapin frymë mirësie, misticizmi, besimi fetar, por dhe dijetarie në gjithë hapësirat përreth. Dhe sa gatime të shijshme ha sa herë shkon në Berat apo rrethinat e tij! ‘Në do të hash bukë të mirë, ha në Berat!”, thuhej një herë e një kohë në ato anë.

Gjirokastra e mistereve, aventurave dhe ambicieve

Mbetet qyteti më misterioz i Shqipërisë. Qyteti më i gurtë i hapësirave shqiptare. Qytet që i bën sfidë vetes. Qytet i ekstremeve. Ndodhet në jug të Shqipërisë dhe shpesh ka klimë më të ftohtë se qytetet e Veriut. Qyteti që i ka dhënë më shumë nëpunës dhe drejtues të posteve të larta perandorisë turke dhe qeverisë shqiptare. Gjirokastra ka dy pamje: godinat tradicionale që harmonizohen natyrshëm me kalanë dhe formatojnë pamjen e një qyteti ku njerëzit duket sikur nuk kanë jetë reale, por merren me art dhe shkencë. Ndërsa pjesa e re e qytetit duket si çiban i ngjitur pjesës tjetër tradicionale. Ndërkohë pjesa tradicionale po shkatërrohet dhe çibani po zgjerohet. “Banorët e saj shfaqen ende me prirje më shumë se kudo tjetër për t’u marrë me shkenca si profesionistë. Tek gjirokastritët mund të gjesh jo vetëm shpirtin e kursimit, por dhe shpirtin e aventurës, ide të çmendura, lindin dhe ushqehen me pretendimin dhe formatohen historikisht me vizion lideri perandorak, kësisoj për të qenë shumë të rëndësishëm”, specifikon hulumtimet e tij sociologu.

Saranda e mirëqenies

Nuk para të vritet syri nga mjerimi në Sarandë. Me sa duket, turizmi, emigracioni i hershëm dhe afërsia në distancë me Greqinë janë përcjellë gradualisht në çdo detaj. Nuk mungon mirëqenia as në Tiranë, madje është edhe më e lartë, por Saranda përcjell një lloj standardi uniform, pa ekstremet e varfërisë që has në Tiranën apo Durrësin me shtresëzime të theksuara. Shpërfaqet si tek pamjet e njerëzve ‘të mbajtur nga koka tek këmbët’ dhe mënyra e tyre e të jetuarit bashkëkohore, ashtu edhe tek ndërtesat e reja apo të mirëmbajtura.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama