Prej një muaji Enton Kaca po punon në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Të premten, më 17 tetor, shihet rezultati i punës mbi veprën e një autori tashmë biling i shqipes dhe i rumanishtes, i njohur më së shumti si prozator, Ardian Christian Kyçyku, i cili jeton prej dy dekadash në Rumani.Ashtu si në eksperimentimet e deritanishme, kryesisht me autorë shqiptarë, Kaca ka operuar me regjinë e teatrit mbi një tekst bazë që është "Shkëlqesi" i Kyçykut.Ai ka bërë ndërthurje me dy tekste të tjera të rëndësishme për të ndjekur një linjë të tijën, linjë të cilën Kaca e ka përvijuar në performancat "Udhëtimet e Lizës" me të cilën u vlerësua në festivalin e teatrit të të rinjve "Regjisori më i mirë" (2007), apo te "Net shqiptare" vënë në skenë në Shkup dhe Prishtinë (2009).
Kësaj here tekstit të Kyçykut i pranëvë "Fragmente të një diskutimi për dashurinë" të Roland Barthes-it dhe "Tre Motrat" të Anton Çehovit.I pari, i botuar më 1977, përmban një listë "fragmentesh" prej letërsisë botërore dhe prej mendimit filozofik të vetë Barthesit, fragmente nga këndvështrimi i një të dashuruari, "mbi disa situata apo rrethana që njeriu i dashuruar krijon dhe vepron kur ndjehet i tillë. Dëshiron të njëjtin, gjysmën e tij, të ngjashmin e tij, e do për vete, është xheloz", shpjegon Kaca. "Nëse Kyçyku fliste për Zotin, unë zgjodha njeriun.Nëse ai fliste për humbjen e Zotit, unë flas për humbjen e dashurisë apo pamundësinë për ta pasur atë sepse jemi egoistë. Pastaj është Çehovi që iu ofron vajzave aktore tekste me interes mbi pamundësinë, fatkeqësinë, dëshirat, kohën që ikën."
Kaca ndërhyn sërish te tekstet e autorëve me gjuhën e aktorëve, të cilëve regjisori u ka kërkuar një kontribut nga ana e tyre nëpërmjet kujtimeve, imazheve dhe ideve të tyre kryesisht për dashurinë.Interpretojnë Arjela Ajeti, Arta Selimi, Egzona Ademi, Shkëlzen Veseli, Shpëtim Selmani, Vedat Haxhiislami. Kostumet janë realizuar nga Albulena Borovci
Gjithçka zhvillohet brenda një rrethi.
Shfaqja zhvillohet brenda rotativit. Skenografia është një korridor me mure të hapur si dritare, ku spektatorët që janë të ulur në të katër anët mund t'i shikojnë aktorët në shumë plane.Kaca thotë se shfaqja ruan një linjë të tijën, nuk ka ngjarje, emra personazhesh, marrëdhënie ndërpersonale, është punuar mbi tingullin, fjalët, ndërthurjet e teksteve dhe veprimeve me imazhet. Loja bazohet te ndjesitë, forma është poetike.
Të kësaj linje janë elementët që ai i ka përdorur në shfaqjet e mëparshme e që do të jenë edhe te ky realizim, elementë si: zjarri, uji, guri, dheu, mollët, vera, vezët, trëndafilat, sapuni, valixhe, fenerë, pasqyrë, thasë lini, kazan i vjetër, enë porcelani e balte, gërshërë, pushkë, bukë, patate etj."Të gjitha këto elemente u përpunuan dhe në fund u shkrinë me njëri- tjetrin, thotë Kaca para premierës "Shkëlqesi". Fragmente të një diskutimi për dashurinë". "I rëndësishëm për mua ka qenë procesi dhe puna e jo rezultati final, i cili mund të ketë miliona variante."
Gazeta Shekulli