UPDATE/ Franca dhe Zvicra e mbyllën në "paqe" sfidën e fundit të vlefshme për Grupin A. Ndeshja e luajtur në "Stade Pierre-Mauroy" përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0.
Me këtë rezultat Franca kualifikohet si e para e grupit me 7 pikë, ndërsa Zvicra në vendin e dytë me 5 pikë. Në vendin e tretë renditet Shqipëria me tri pikët e marra ndaj Rumanisë. Kuqezinjtë e De Biazit presin përfundimin e të gjitha ndeshjeve në grupe për të mësuar nëse do të kualifikohet apo jo për në turin e 1/8-ve, si një ndër katër ekipet më të mira të vendeve të treta.
Pjesa e parë
Është mbyllur pa gola por jo pa emocione pjesa e parë e takimit mes Zvicrës dhe Francës, që do të përcaktojë emrin e skuadrës fituese të Grupit A.
Në një ndeshje shumë të luftuar, të dy skuadrat kanë pasur rastet e tyre për shënim.
Mundësinë më të mirë e shpërdoroi Pogba në fillimin e ndeshjes, duke goditur traversën.
Ajo që ra në sy gjatë takimit ishte se si fanellat e Zvicrës shqyheshin me shumë lehtësi. "Viktima" kanë mbetur Xhaka dhe Mehmedi, të cilët janë detyruar të ndryshojnë fanella gjatë 45 minutave të para.