Franca ka tashmë zonjën e parë. Në faqen e parë të gazetave të së dielës në Francë shkruhej: ata u matuan! po nuk u publikua asnjë fotografi e presidentit francez Sarkozi dhe Karla Brunit. Me martesën presidenti francez zgjidhi njëherësh të gjitha problemet protokollare që ishin shfaqur pas bërjes publike të lidhjes së tij me ish-modelen. Në vizitën e fundit të Sarkozisë në Arabinë Saudite për shembull, Bruni nuk u lejua të merrte pjesë, sipas protokollit të vendeve islamike.
Nëse martesa do ta ndihmojë të ngjisë sërish shkallët e vlerave të ulëta në sondazhe, kjo nuk dihet. Një parizien i ri dyshon: "Që të jemi të drejtë, Karla Bruni, ka pasur kaq shumë burra para Sarkozisë, tani u martua me të, është goditje shokuese për francën. Nuk besoj se kjo do t'i sjellë pikë, përkundrazi. Të presim se çfarë do të thonë njerëzit, po nuk besoj se kjo do ta ndihmojë."
Studiuesit e opinionit janë të kujdesshëm në prognoza. Sipas tyre francezët i irritoi së tepërmi shou mediatik i lidhjes së tij me ish-modelen 40 vjeçare. Madje ata duhet të jenë ndjerë të lehtësuar që ceremonia e martesës u bë në një rreth të ngushtë pa mediat. Megjithëse modeles së njohur Bruni duket se nuk i ka pëlqyer një gjë e tillë, si shprehet një mik i Sarkozisë, Patrik Balkany:
"Sarkozi i ka pas vetes gjithë kohës paparacit. Kështu ai vendosi të martohej në një rreth të ngushtë. Ne kemi biseduar për këtë. E di që Karla do ta kishte dëshiruar mjaft një ceremoni në bashki."
Në fund të fundit martesa ishte një premierë për modelen që po hedh edhe hapat si këngëtare. Bruni sjell një djalë 6-vjeçar në martesë, ndërsa Sarkozi është martuar tre herë dhe ka dy fëmijë nga martesa e parë dhe një me gruan e dytë, Cecilian.
Për muaj mjalti çifti i ri duket se nuk do të ketë shumë kohë, megjithëse spekullohet për një udhëtim në Itali. Ditën e hënë presidenti francez fluturon për në Rumani. Kalendari i presidentit është mjaft i ngjeshur.
Claudia Deeg (DW)