Tre atentate në tre pjesë të ndryshme të botës po trondisin opinionin publik ndërkombëtar në këto orë. Në Kuvajt, një sulm ndaj një xhamie, ka shkaktuar 15 të vdekur dhe është rivendikuar nga ISIS. Në Francë është sulmuar një depozitë gazi në Lion dhe qeveria franceze e ka cilësuar ngjarjen si sulm terrorist. Por akti më i rëndë me sfond të ekstremizmit fetar ka ndodhur në Tunizi, ku janë sulmuar resortet turistike, me 27 viktima, ndër të cilët shumë të huaj.
Shumëkush pyet se çfarë po ndodh këto orë? Mesa duket e gjitha është një pasojë e asaj që paralajmërohej me dhjetra mesazhe që vinin nga përfaqësuesit e ISIS nga zonat e luftës në Siri dhe Irak. Atentatet e njëkohshme janë mesazhi që Shteti Islamik po kërkon të japë për Perëndimin, në lidhje me rritjen e organizimit të tij si organizatë terroriste, e cila po vjen duke e ngushtuar rrethindrejt Europës. Të shohim se cili do të jetë reagimi i botës demokratike ndaj këtij rreziku që po afrohet me hap të shpejtë.