Festivalet në vendin tonë pas viteve ’90 ishin playback, duke humbur në këtë mënyrë emocionin që të jep interpretimi live në skenë. Ky moment nuk la pas dhe Festivalin e Këngës në RTSH, i cili për 40 vjet me radhë ka qenë i tëri live, orkestra dhe këngëtari. Fatkeqësisht pas viteve ’90 kjo gjë u zhduk për disa vite, duke bërë që ky aktivitet muzikor të zbehet, ndërsa veprimtari të tjera që i kushtoheshin këngës të ishin më të mirëpritura nga publiku.
Pas disa vitesh diçka u përmirësua, por ende ishte larg asaj që ai ofroi për katër dekada me radhë. Kjo gjë bëri që pseudokëngëtarët të fitonin mbi ata që ishin profesionistë, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre u largua dhe skena. Pas viteve ‘90 pati një lloj frymëmarrje në krijimtarinë muzikore, duket që njerëzit u qetësuan dhe filluan të mendojnë ndryshe për këngën shqiptare, por ishte playback i cili goditi këngëtarët e vërtetë, ata emra që dinin të përcillnin më së miri këngën tek publiku. Kantautori i njohur Françesk Radi tregon se me playback fituan ata që nuk janë këngëtarë. “Më e rëndësishmja nga problematikat ishte se humbi interpretimi live. Për arsye të kushteve që u krijuan edhe interpretimi live që ishte për shumë dekada humbi.
Kjo ndodhi sepse shumë gjëra u rrënuan, filluan shumë probleme. Festivali i RTSH për disa vite nuk ishte live, as këngëtari dhe as orkestra, disa vite pas kësaj filluan vetëm këngëtarët të interpretonin live, por nuk ishte orkestra pasi ishte me playback. Me live përcaktohet këngëtari i vërtetë dhe çdo skenë festivali duhet të jetë live. Me playback ka fituar ai që nuk është këngëtar, prandaj po punojnë në RTSH që çdo gjë të jetë live në festivalin e këtij viti”, u shpreh kantautori Françesk Radi. Këngëtarët më të mirë shqiptarë sot njihen nga interpretimi live, ku doli e madhja Vaçe Zela, Anita Take, Tonin Tërshana, më vonë erdhën emra të tjerë si Sherif Merdani, Luan Zhegu, Myfarete Laze, Ema Qazimi, Irma Libohova etj, emra që dhe sot pas disa dekadash mbahen mend për emocionet që përcillnin tek publiku me këngët e tyre.
Mungojnë profesionistët në këngë
Kantautori Françesk Radi gjatë aktivitetit të tij artistik ka sjellë këngë, të cilat kanë mbetur tek publiku, përmendim këtu këngët “Biçikleta”, “Adresa”, “Telefonatë zemrash”, “Të kesh para”, “Kemi dasëm o” etj. Në ditët e sotme, kur në tregun muzikor shqiptar kanë triumfuar pseudokëngëtarët, kantautori Françesk Radi pohon se kënga shqiptare është në krizë, sepse muzikantët e vërtetë që njohin krijimtarinë artistike, njohin artin, kanë mbetur në hije sepse nuk iu jepet mundësia për të krijuar. “Nuk ju jepet mundësia, sepse kanë ndryshuar shumë gjëra.
Sot janë bërë këngëtarë ata që nuk janë të tillë. Janë bërë kompozitorë ata që nuk dinë se çfarë është muzika e vërtetë. Janë bërë orkestrues ata që nuk dinë se çfarë është akordi. Pra janë shumë gjëra që bëjnë që muzika të jetë kalimtare”, tregon kantautori. Reagimi i kantautorit vjen në vijim të reagimeve të shumë artistëve të tjerë që merren me krijimtarinë muzikore, të cilët pohojnë festivali nuk është një moment për ta paraqitur sa më bukur, nuk është më dekori, fonia apo ndriçimi e bukura e festivalit, por e bukura është që këngët dhe orkestra të interpretojnë drejtpërdrejtë.