Ju jeni nga Shkodra me origjinë, nga djepi i jares shkodrane, pastaj ju keni udhëtuar drejt muzikës së lehtë shqiptare, por gjithnjë duke qenë nën ndikimin e muzikës së lehtë botërore sidomos muzikës italiane, si jeni ndjerë në rininë tuaj në këtë mjedis muzike?
Me të vërtet femërinë time e kam kaluar në Shkodër, dhe ajo është pjesa më e bukur e jetës time, pasi aty u edukova, isha koherent me muzikën, me jaret, me këngëtarët shkodranë të atyre viteve, pra çdo gjë e asaj kohe ka lënë gjurmë te unë thjesht si fëmijë, dhe më vonë gjithë këto ndikime, gjithë këto emocione, kanë ndikuar dhe në formimin tim muzikor.
Kush ka qenë idhulli juaj si këngëtar në fillimet e rinisë suaj dhe si jeni përpjekur të shkoni drejt tij me talentin tuaj si këngëtar dhe si kantautor?
Kam dëgjuar Tonin Tërshanën, pasi ai e ka filluar karrierën jo në ndonjë diferencë të madhe moshe me mua, po ai këndonte në moshë shumë të vogël në disa lokale në Shkodër dhe mbaj mend zërin e Toninit, një interpretues shumë i mirë, shumë profesionist, Vaçe Zelën që në atë kohë ishte mbreti i këngës, Pjetër Gjergjin, Anita Taken që më kanë bërë përshtypje në atë kohë dhe jam frymëzuar prej tyre.
Në atë kohë në mënyrë klandestine dëgjohej muzika italiane dhe Adriano Çelentano, si ka ndikuar kjo në krijimtarinë tuaj muzikore?
Them se kemi qenë me fat që morëm dhe u ndikuam nga muzika italiane, sepse ajo ka qenë gjithmonë një muzikë profesionale që ia vlente të merrej si model i muzikave botërore, pra jo vetëm unë, por dhe brezi im ka qenë me fat që u ndikua nga kjo lloj muzike dhe sidomos në vitet ‘70 që mbahet si periudha e artë e muzikës, jo vetëm e muzikës italiane, por dhe asaj botërore, dëgjonim Çelentanon, Morandin, Luço Batistin e shumë të tjerë të cilët ishin modele të arta për ne kantautorët e rinj.
Kush ka qenë dashuria juaj e parë, kitara apo një dashuri e vërtetë?
Të them të drejtën kitara ka qenë pasioni i parë edhe pse kushtet kanë qenë të vështira, unë në fillim kam filluar me mandolinën, sepse nuk kisha instrument, duke e përdorur mandolinën si kitarë me akorde, e ndjeja se ishte i vetmi instrument që mund të më shoqëronte gjatë këngës.
Kur e keni ndjerë veten se mund të këndonit jo vetëm për veten, por dhe për të tjerët?
Që në moshë të vogël, pastaj me shoqërinë, më pas konkurrova në Liceun Artistik të Tiranës. Prindërit e mi nuk e dinin se unë kisha konkurruar. Simon Gjoni ishte në juri, na bënë dëgjime notash, kënduam një këngë dhe më pas u aprovova.
Duhet pranuar se ka qenë një kohë e vështirë për artistin e vërtetë, për këngën dhe muzikën e asaj kohe. Si e ndjenit ju trysninë e survejimit të kontrollit dhe pasionit për të bërë muzikë të vërtetë?
Realizmi socialist kishte atë kornizën e vet dhe ishte e vështirë të dilje nga kjo kornizë, megjithatë gjërat bëhen më të bukura kur janë të ndalura. Ne e dëgjonim dhe përfitonim nga ajo lloj muzike, mënyra e konceptimit, mënyra e akordeve i zbërthenim tonalitetet, domethënë ka qenë një ndihmë e madhe. Kishte probleme shkolle, fletërrufesh, etj.
A mund të na tregoni ndonjë rast të këtyre përpjekjeve për të shkuar tek muzika e vërtetë dhe që ju keni hasur ndonjë pengesë?
Ka pasur shumë raste, unë në atë kohë shikohesha si pak modern, pasi bija në sy me kitarë. Bujar Kapexhiu më ftoi që të marr pjesë në një premierë, por më parë duhet të më dëgjonte komisioni. Unë shkova dhe mu duk vetja si në gjyq. Këndova një këngë “Në aksion ishim bashkë ne të dy”, më vjen njëri dhe më thotë duhet të jesh më i qeshur se po i këndon “Aksionit”, e këndova dhe njëherë, komisioni e aprovoi, po u bë nami se dola me golf në skenë. Më erdhën drejtuesit dhe me thanë se kush ju ka dhënë urdhër të dilni me golf në skenë dhe unë ju thoja se më ka thënë drejtori, më thoshin ik vish diçka tjetër. Ishte një situatë aq komike, por dhe e rrezikshme.
Kënga “Adresa”dhe “Biçikleta” ju kanë afirmuar si kantautor. A keni ndonjë peng për këto këngë që nuk mundët t’i këndonit dot ashtu siç e ndjenit?
Peng i kam patur të dyja, sepse ato në atë kohë nuk janë kënduar siç kam dashur unë, por siç donin ata që kontrollonin. Mbaj mend se kur kam regjistruar “Adresën” dhe me thoshin “Franko regjistroje një çik më thjeshtë” arriti deri aty sa që më thoshte tekniku (kuptohet për mirë) “A ka mundësi ta interpretosh keq se për ndryshe kënga nuk mund të kalojë”.
Si u ndjetë në hapësirat e lirisë së artistit pas ‘90-ës dhe si i shfrytëzuat këto hapësira?
Për mua ishte një kohë relativisht e gjatë kur unë isha i shkëputur nga profesioni pasi më ishin mbyllur të gjitha dyert. Pas viteve ‘90 filloi një erë e re për mua, ato që kisha ndrydhur në memorien time tani më në fund arrita t’i shpreh. Habitem si pas 20 vjetësh shkëputje nga muzika, them si kam arritur t’i realizoj këto këngë.
A mund të na thoni diçka për këngën me të cilën ju do të konkurroni në festivalin e fundit në RTSH?
Unë rikthehem në festivalin e RTSH-së mbas shtatë vitesh kjo ndoshta për faktin se nuk jam bindur shumë për atë që kam bërë më parë. Sepse pjesëmarrja në festival është me përgjegjësi sidomos për brezin që unë përfaqësoj, atë të viteve ‘70-‘80. Unë nuk përfaqësoj vetëm brezin, por të gjithë ata këngëtarë që kanë marrë pjesë në këtë festival që kanë lënë gjurmë në historinë e këngës shqiptare duke filluar që nga këngëtarja e madhe Vaçe Zela, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Liljana Kondakçi e Kozma Dushi. Dhe më duket vetja pak me përgjegjësi se më duket sikur përfaqësoj ato ngjyrat e skuadrës time dhe të kohës gjithashtu.
Në lidhje me këngën, unë kam bërë një bashkëpunim me poetin Agim Doçi. Kur bisedova me Agimin në lidhje me këngën i thashë se këtë këngë dua t’ia kushtoj komunitetit Rom i cili në Shqipëri nuk është i pakët, unë dua të bëj një këngë që të mos shprehë diskriminim apo racizëm, por përkundrazi, unë dua të evidentoj në këngë atë shpirtin e tyre të lirë, atë shtegtimin e tyre që duket se është zili për shumë njerëz. Për mënyrën se si ata shtegtojnë, buzëqeshjen e tyre, se si ata janë gjithmonë në humor, në qejf, që bëjnë dasma bukur dhe nuk mendojnë shumë, por mendojnë më tepër për jetën.
Ky është një mishërim për të gjithë ata që e shijojnë jetën. Dhe Agimi që më tha “mirë por çfarë do të themi në këngë” dhe si përfundim e vendosëm ta quajmë “Kemi dasmë o”. Është një këngë që trajton një dasmë rome është me nota të bukura është me nota optimizmi që të gjithë ata që e kanë dëgjuar janë ndjerë mirë pasi kjo sjellë një lloj optimizmi për jetën, për lirinë e njerëzve që të jetojnë të lirë të shëtisin.
Po përsa i përket rrymës muzikore, jeni te i njëjti stil i këndimit apo kemi diçka të re?
Franko nuk ndryshon, ndryshojnë vetëm notat apo koncepti që i bëj unë muzikës, kam marrë motive popullore, kjo dominon te këngët e mia pasi dua që t’i jap ngjyrë, nuk dua ta lë pa nuancë.
Pra, edhe këtë herë ju vini më një stil ndryshe nga kompozitorët e tjerë, kujt ia dedikoni këtë stil muzikor, ndoshta pushimit të gjatë apo është diçka tjetër?
Ndoshta edhe kjo ka të bëjë pasi ky nuk është thjesht pushim po akumulim, sepse përgjegjësia është e madhe dhe unë matem shumë kur dal në aktivitete të tilla sepse festivali është një tribunë e këngës shqiptare dhe të gjithë presin diçka tjetër nga unë. Kënga është e thjeshtë, fillon me nuancat e veta me stilin tim, me kitarën time. Kam futur dhe një violinë për të futur simbolin e muzikës rome.
Fansave tuaj të cilët e kanë ndjerë mungesën tuaj për shtatë vite. Çfarë do të dëshironit t’i thonit sot?
Fansave të mi dua t’u them që këngën ta dëgjojnë me vëmendje pasi do të mbetën shumë të kënaqur. Besimin që fansat kanë pasur te kënga ime besoj që në këtë festival ua kam shpërblyer.
Kush është kënga më e dashur për ju?
“Adresa” dhe “Biçikleta”