Frankfurti perjashton Kapllanin sulmuesi Luaja edhe ne te treten

Frankfurti përjashton Kapllanin, sulmuesi: Luaja edhe në të tretën

Edmond Kapllani është zyrtarisht një lojtar i lirë, pasi nuk do ta vazhdojë karrierën te FSV Frankfurt. Jo vetëm kaq, por sulmuesi shqiptar nuk është ndarë në mënyrë miqësore me klubin gjerman, siç ka treguar vetë ai për prestigjiozen gjermane "Bild".

Edmond KapllaniKapllani ka luajtur për katër sezone me FSV Frankfurt, duke u kthyer në golashënuesin më të mirë të Bundesligës 2 për këtë skuadër me 37 golat e tij.

Por tashmë klubi ka vendosur ta ndërpresë kontratën duke nervozuar futbollistin. "Ata u thanë tifozëve që do të më mbanin, por nuk vepruan siç duhet.

Mua do të më pëlqente të luaja në kategorinë e tretë në Gjermani dhe kisha mbajtur edhe apartamentin në Frankfurt", shpjegoi futbollisti 33-vjeçar.

Bisedimet - Kapllani tregoi se si kishin rrjedhur ngjarjet me klubin që ra nga Bundesliga 2 në fund të sezonit të kaluar. "Unë u thashë drejtuesve që dëshiroja të shihja se kush do të bëhej trajneri dhe drejtori i ri sportiv në klub.

Më pas më erdhi një ofertë njëvjeçare me të drejtë rinovimi. Kjo duhej të negociohej mes palëve, por pastaj nuk mora asnjë telefonatë.

Tani vjen një sulmues i ri 35-vjeçar dhe i kanë bërë një kontratë dyvjeçare", tha Kapllani. Zhgënjimi - "Gjithçka është shumë zhgënjyese, pasi ata vepruan pas shpinës sime.

Megjithatë, i uroj suksese FSV-së në sezonin e ardhshëm", deklaroi lojtari, i cili është vënë në kërkim të një klubi të ri.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama