Frantz Helmer Me vjen mbare shpirti politik i Ionescos

Frantz Helmer: Me vjen mbare shpirti politik i Ionescos
"Leksioni" i Eugene Ionescos me regji të Frantz Helmer shfaqet premierë sonte, në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. Me aktorët Vasjan Lami, Marsela Lena, Natasha Sela. Për kostumet dhe skenografinë ka punuar skulptori Genc Mulliqi që është hera e parë që e shohim të angazhuar në teatër.

"Leksioni" (kështu e ka përkthyer regjisori dhe pedagogu i teatrit Mehmet Xhelili, dramën komike "La Leçon", 1951) është dramë me një akt ku nuk ngre peshë fabula, as karakteret. Si në gjithë teatrin që Ionesco (1909-1994) shkroi nisur nga absurdi i situatave njerëzore. Ai vetë e ka quajtur dramë "të pastër" që paraqet "aktin shembullor të një natyre universale".

Një akt për të cilin flet në shënimet për teatrin: "Do doja të isha në gjendje që, ndonjëherë, t'i hiqja veprimit teatral gjithçka që e bën veprim teatral; fabulën, tiparet aksidentale të personazheve, emrat, statusin social, të dhënat e tyre historike, shkaqet e jashtme të konfliktit dramatik, gjithë pretekstet, shpjegimet, logjikën e konfliktit..."

Te "Leksioni" një mësues përpiqet t'i imponojë një nxënëseje mësimin e gjuhës, mësim që ka pasojë... vdekjen e vajzës. Studiuesit e lexojnë si "leksioni" mbi dijen që imponon çdo regjim totalitar. Duke folur mbi këtë dramë ku komikja ndërthuret me momente të tiranisë së mësuesit, autori francez shton: "Gjithnjë kam përshtypjen se komunikimi është i pamundur, një përshtypje vetmie, zbrazëtie; unë shkruaj që ta luftoj këtë burg; shkruaj edhe që ta nxjerr jashtë frikën që kam nga vdekja."

Frantz Helmer ka punuar në fushën e kulturës për Ministrinë e Punëve të Jashtme Franceze, me detyrën për të bërë të njohur klasikët francezë jashtë territoreve të Francës. Ka punuar në Tiranë në vitin 2009 për vënien në skenën e Akademisë së Arteve të komedisë së Molierit "George Dandin", prodhim i Teatrit të Metropolit. I shtyrë nga dashuria për muzikën, vallet tradicionale shqiptare, Helmer, futi te kjo vepër shtatëqindës qeleshet, shtëpinë me plithar, pusin në oborr, vallet popullore shqiptare etj.. Nuk ndodhi ajo që mund të bëjë klarineta me muzikën jazz.

Ndërsa si aktor, me rolin e mjekut në dramën "Vojcek" e Georg Büchner-it, në Akademinë e Arteve, 2010, Helmer dha një profil të mprehtë satirik.
Tani ka këtë përvojë në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar. Projekti i Helmerit angazhon nje asistent regjia, Klara Shehun, tre aktorë, vetëm njëri prej tyre është i trupës së Teatrit Kombëtar, Vasjan Lami, pra është një prodhim me pak para me mbështetjen e Ambasadës Franceze dhe aleancave franceze në Tiranë dhe në rrethe.

Pas premierës së sotme, 19 maj, ora 20.00, do të ketë tre shfaqje më 20-22 maj. Turi në rrethe vazhdon: në Teatrin "A. Z. Çajupi" Korçë më 25 maj; në Teatrin "Skampa" Elbasan më 26 maj; në Teatrin "Migjeni" Shkodër më 29 maj dhe në Qendrën Kulturore "Margarita Tutulani" Berat më 3 qershor.

Në konferencën e djeshme për shtyp, në mungesë të drejtorit të Teatrit Kombëtar foli aktori kryesor i "Leksionit" Vasjan Lami. Ai tha se Ambasada Franceze e dëgjoi zgjedhjen e regjisorit Helmer dhe e mbështeti sepse kjo vepër e Ionescos gjen në Shqipëri jehonën dhe domethënien e saj të qartë. Lami shtoi: "Është një nga bashkëpunimet e frytshme që Teatri Kombëtar ka pasur me ambasadat e huaja në Tiranë për t'u hapur dhe për të krijuar lidhje, për të zbutur në këtë mënyrë pak dhimbjen financiare, pamundësinë për t'i paguar këta regjisorë të huaj që vijnë të punojnë në Shqipëri."

Hyrja në kalendarin e Teatrit Kombëtar të kësaj vepre është njoftuar vonë, sepse kjo është metoda e të punuarit të teatrit, aty për aty, sot për sot. "Leksioni" mbyll sezonin e pranverës. Një vepër me regji të Altin Bashës mendohej ta mbyllte, sipas vendimit të bordit të vjetër. T'i gjesh fillin vendimeve të bordit të Teatrit Kombëtar është si të kërkosh gjilpërën në kashtë.


Intervista me regjisorin Frantz Helmer

Çfarë keni për të thënë me këtë pjesë të Ionescos?

Së pari i bëjmë homazh Ionescos. U bë dy vjet që mendoj për këtë vepër. Vitin e shkuar Ionesco kishte 100-vjetorin e lindjes. Arsyeja e vërtetë pse vendosa për "Leksionin" është se teatri i Ionescos që është teatër i absurdit, në thelb është teatër thellësisht politik. Ai u lind në Rumani, dhe në moshën 15-vjeçare u vendos në Paris. Rumania ka kaluar nëpër dy periudha totalitare, fashizmin para Luftës së Dytë Botërore dhe më pas komunizmin. Pra tek ai kishte lënë vragë frika nga regjimi totalitar dhe i gjithë teatri i tij nuk flet veçse për këtë. Veçanërisht te "Leksioni" ai aludon për këtë.

Ju shikoni pas meje një dekor, ku është varur një tablo dhe me siguri e keni e kuptuar tashmë referencën që bëjmë me një formë të totalitarizmit që Shqipëria ka kaluar. Por drama ka me të vërtetë ngjyra humori. Personazhet e Ionescos, mësuesi, nxënësja dhe shërbyesja, janë marioneta dhe gjithë kjo formë e ardhur nëpërmjet marionetave përcjell një ngarkesë e cila bart të gjithë nëntekstin e tij politik. Me këtë lidhet edhe konceptimi im regjisorial.

Çfarë evidenton regjia juaj?

Në një vepër respektojmë tekstin dhe shpirtin e tekstit. Ajo që unë marrë nga shpirti i tekstit, e thashë edhe pak më parë, është mesazhi politik kundër gjithë formave të diktaturës dhe diktatit. "Leksioni" është metaforë e diktatit.

Dua të sqaroj se nuk i referohem aspak ndonjë situate aktuale që po kalon vendi juaj. E sa për këtë, unë besoj se demokracia në Shqipëri po rritet. E nëse doni, pjesa i referohet një kohe historike të rëndë. Është shkruar gjashtë vjet pas luftës, në një kohë kur dihej se çfarë kishte ndodhur me kampet e përqendrimit. Këtë dije Ionesco e ka përfshirë në vepër.

Si ka lëvizur në praktikë këndvështrimi ndaj veprës së Ionescos?

Pavarësisht dimensionit politik dhe komik, është një teatër metafizik që interesohet për gjendjen njerëzore. Shumë njerëz e klasifikojnë si teatri i ëndrrës. Janë gjithë ankthet njerëzore që ai vë në skenë: Përse jemi në tokë? Çfarë ndodh mes nesh?

Po ju jap një shembull nga "Leksioni". Profesori pyet nxënësen deri në sa është në gjendje të numërojë. Ajo përgjigjet se mund të numërojë deri në pafundësi. "Jo zonjushë, ne nuk mund të numërojmë deri në pafundësi. Ne duhet të limitohemi." Çfarë do të thotë kjo? Nëse mbërrijmë në pafundësi, mbërrijmë te Zoti, dhe kështu kemi mbërritur në kufirin ku shtrojmë pyetje për ekzistencën e zotit. Të gjitha fetë e mëdha thonë se nuk mund ta mbërrijmë njohjen e perëndisë.

Pafundësia të fut frikën. Nëse mbërrijmë aty, rrezikojmë të takojmë perëndinë. Atëherë cili është zoti? S'e dimë. Ky është gjithë teatri i Ionescos: nga gjëra kaq të thjeshta hapet një thellësi metafizike. Dhe këtë anë e kam parë me shumë kujdes.

Çfarë përmbush zgjedhja e këtyre tre aktorëve, po edhe bashkëpunimi të tjerë që punojnë për herë të parë në teatër, si skenografi e kostumografi Genc Mulliqi?

Takimi në vetvete është një akt interesant. Shqipëria tashmë është krejt e hapur, regjisorë të huaj sjellin përvojë dhe marrin nga këtu përvojë. Nga ky bashkëveprim pritet një rezultat.

Është viti i tretë që vij në Shqipëri për luajtur dhe për të vënë vepra në skenë. Unë merrem me shpërhapjen e kulturës franceze në vende të ndryshme të botës. Kam punuar me aktoren Marsela Lena dhe mendova të vë një pjesë duke njohur Marselën. Personazhi i nxënëses nga "Leksioni" m'u duk shumë i përshtatshëm për të.

Takova dhe një aktor të shkëlqyer të Teatrit Kombëtar, Vasjan Lamin, për të luajtur rolin e profesorit dhe zonjën Natasha Sela e cila luan rolin e shërbyeses.
Skenografit Genc Mulliqi ia njoh punën si skulptor dhe jam shumë i gëzuar nga rezultati i tij.

Në Shqipëri keni vënë në skenë një komedi nga Molieri, keni interpretuar te "Vojcek" i Büchner-it, dhe tani me Ionescon. Në të vërtetë cilat janë shijet tuaja për teatrin?

Duke iu referuar njohjes së historisë së tetarit francez them se Ionesco është trashëgimtar i drejtpërdrejt, jo vetëm i Molierit, por edhe Feydeau-së, Labiche, i gjithë këtij teatri të fundit të shekullit të XIX dhe i fillimit të shekullit XX. Te Ionesco e gjejmë gjithë këtë përvojë në mënyrë të përmbysur. Në thelb, në planin teatral, ai nuk është më shumë novator se kaq. Ai vazhdon një linjë. Unë gjej shumë gjëra moliereske te "Leksioni".

Duket e pabesueshme por gjej aty inatin e profesorit të Ionescos, i ngjashëm me nervin e personazheve të Molierit, për shembull te "Martesa e sforcuar".

Pse në sallën e vogël?

Sepse është e vogël, madje është pak më madhe se ç'duhet. Kjo pjesë luhet në Paris prej vitit 1954 pa pushim, çdo mbrëmje, prej 50 vjetësh. Aktorët e parë që kanë luajtur profesorin, nxënësen, shërbyesen kanë vdekur dhe tanimë janë të tjerë. Bashkë me "Këngëtaren tullace", "Leksioni" luhet në Théâtre de la Huchette. Është një sallë me 50 vende dhe skena është një e katërta e kësaj që kemi këtu.

Vasjan Lami: Në çdo xhep kemi nga pak komunizëm

"Personazhi i profesorit është jashtëzakonisht kompleks. Personazhi i profesorit përmbledh gjithë farat e karaktereve njerëzore brenda vetes. Ai është timid, është shpirtëror, poetik, është agresiv, i dhunshëm. Nuk e di se çfarë do të shihni në shfaqje.

Ju më pyesni a vlen përvoja ime si aktor që ka jetuar dhe punuar në dy kohë, nën regjimin komunist dhe sot. Ju përgjigjem se herë pas herë e ndjej veten të indoktrinuar, sepse njeriu që ka kaluar 30 vjet nën diktaturë, atë ushqim që ka ngrënë e ka në tru. Kështu që te ky personazh kam aq shumë për të dhënë. Në çdo xhep ka nga pak komunizëm.

Puna me Franz Helmer dhe kërkesat e tij për këtë rol më ka ndihmuar shumë për të njohur dhe kuptuar Ionescon. Gjithmonë gjendet një mesatare midis asaj që regjisori do dhe asaj që ne bëjmë konkretisht. Duhet të shkojmë ne me këtë mënyrë pune, me këtë eksperiencë që kemi drejt shijeve të regjisorit. Kjo është e domosdoshme."

Marsela Lena: Pak shanse për teatër, por jam e kënaqur

"Kam bashkëpunuar me Frantz Helmeri në komedinë "George Dandin" të Molierit. Atëkohë diskutonim për vepra të mundshme të ardhmen dhe ai konkludoi se ishte mirë të vihej "Leksioni" për mesazhin politik që i fliste kohës dhe vendit tonë dhe sepse unë i dukesha e përshtatshme për rolin e nxënëses. Personazhi im është i ndërtuar në shumëllojshmëri situatash. Është hera e parë që dal në skenë me Vasjan Lamin. Përveçse i duhet të më kafshojë veshin në rol sepse nuk duron që nuk e dëgjoj, jashtë skenës është prapë i rreptë, kërkon korrektesë në orare e disiplinë. Është nder për mua që luaj me një aktor si ai.
U bë katër vjet që kam mbaruar Akademinë e Arteve dhe nuk mund të mos jem e kënaqur me angazhimin që kam pasur deri tani parë me shanset që të jep teatri në Tiranë aktualisht."

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama