Frederik Veseli flet per here te pare per ftesen ne Europian

Frederik Veseli flet për herë të parë për ftesën në Europian

Frederik Veseli, mbrojtësi që u bë temë diskutimesh pasi u ftua në mënyrë të papritur për pjesëmarrjen në Europian, ka folur sot për herë të parë që pas publikimit të listës së 23 emrave. Në konferencën për shtyp nga qendra stërvitore e ekipit kombëtar, Veseli ka lënë të kuptohet se do të jetë i gatshëm për të konkurruar jo vetëm Hysajn në krahun e djathtë, por edhe Canën e Mavrajn në qendër.

Frederik veseli

Si e priti grumbullimin

"E kam pritur me shumë stres se jam grumbulluar me vonesë me ekipin. Por jam shumë i lumtur që jam këtu".

Polemikat për listën

"Nuk kam lexuar asnjë koment të them të drejtën. Përqendrohem te grumbullimi, te skuadra, te puna personale dhe ajo e skuadrës. Ato që janë jashtë futbollit nuk më interesojnë".

Ndeshja me Zvicrën

"Me Zvicrën kam shumë emocione se është shteti ku kam lindur dhe do të takohem me disa lojtarë me të cilët kam luajtur bashkë. Por unë jam lindur shqiptar, kam qenë shqiptar dhe do të vdes shqiptar. Do të luaj për Shqipërinë si shqiptar, jo si zviceran".

Konkurrenca në ekip

"Konkurrenca është e madhe dhe e mirë. Është e mirë për skuadrën, ka lojtarë me eksperience, por ka edhe të rinj si Hysaj apo unë. Unë mund të luaj djathtas në vend të Hysajt apo ne qendër përkrah Canës ose Mavrajt. Kam mundësinë të mësoj shumë nga lojtarë të tillë. Unë mendoj se kam cilësi të mira, trajneri e di dhe nëse ka nevojë për mua, jam gati të jap maksimumin".

Marrëdhëniet me lojtarët zviceranë

"Nuk kam pasur kontakte gjatë kohëve të fundit. Lojtarët me të cilët fituam Botërorin U-17 me Zvicrën vijnë nga Zvicra gjermane dhe kemi humbur pak kontaktet gjatë viteve. Unë kam qenë në Angli për shumë kohë, gëzohem që i takoj edhe një herë, në një mënyrë shumë të bukur, me Shqipërinë në Europian dhe mua si pjesë e saj. Mund t'i takoj në një kontekst tjetër.

Veseli

E kaluara futbollistike

"Kam pasur probleme në Angli, disa dëmtime më hoqën mundësinë të jepja maksimumin edhe pse luaja përkrah lojtarëve më të mirë në botë. Jam i lumtur që tani jam në kombëtare falë punës time të këtij sezoni"

Izolimi nga policia në Francë

"Nuk mendoj se kemi frikë. Por kështu na jepet mundësia që të përqendrohemi te ndeshja me Zvicrën dhe te ky kampionat".



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama