Gjendja e medias në botë u keqësua ndjeshëm gjatë vitit 2014, duke arritur pikën më të ulët në 10 vjetët e fundit, thuhet në raportin më të fundit mbi lirinë e shtypit, të publikuar sot nga organizata Freedom House.
Elen Aghekyan, analiste në këtë organizatë, thotë se përsa i përket Ballkanit perëndimor, ky rajon ka shënuar gjithashtu rënie në shumë aspekte të lirisë së shtypit.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zonja Aghekyan tha se shkaqet duhen kërkuar te disa faktorë, siç është përdorimi i gjërë i ligjeve për shpifjen dhe fyerjen nga zyrtarë qeveritarë apo nga figura të tjera publike kundër gazetarëve.
Zakonisht, thotë ekspertja, në këto vende, radiotelevizionet publike kanë një prirje proqeveritare dhe kjo u jep koalicioneve në fuqi një avantazh, sidomos gjatë periudhave zgjedhore.
Në këto vende vërehen mjaft trysni editoriale nga pronarët e mediave. Ka gjithashtu dhunë, fizike ose verbale, kundër gazetarëve dhe zërave të pavarur, gjë që çon në vetëcensurë.
Sipas saj, pronësia mbi mediat në të gjitha këto vende është mjaft e errët dhe e panjohur për publikun, gjë që çon në konflikte të shumta me interesat e ndryshme politike dhe komerciale.
Për Shqipërinë, zonja Aghekyan vëren disa probleme:
“Shumë nga ligjet në Shqipëri përputhen me standardet e mira evropiane, por zakonisht ajo që mungon është zbatimi. Mungojnë aftësitë strukturore për zbatimin e ligjeve të tilla, si ai për lirinë e informimit. Problemi i vërtetë është te sistemi juridik, i cili nuk është i fortë sa duhet. Bizneset e mëdha kontrollojnë tregun e medias, i cili është shumë i vogël. Shumë nga institucionet e medias janë ende mjaft të reja dhe pa aftësi të forta pavarësie.”
Zonja Aghakyan thotë se përqendrimi i mediave në duart e biznesit në Shqipëri është është një problem mjaft i madh. Për të zgjidhur këtë duhen ligje të forta dhe me masa të forta zbatuese, kundër përqendrimit.
“Kërkohen gjithashtu ligje transparence që publiku të dijë se kush është pronari i këtij apo atij mediumi, apo kush ka aksione në një kompani që është pronare e një mjeti të caktuar informimi. Janë të paktë vendet që kanë patur sukses në këtë aspekt, por kjo është diçka absolutisht e rëndësishme.”
Zonja Aghakyan thotë se Kosova ka patur pothuajse të njëjtat probleme gjatë vitit të kaluar, pra jo shumë lëvizje përsa i përket klasifikimit të saj. Gjatë këtij viti ajo ka qëndruar në të njëjtat parametra. Kosova, thotë ekspertja, ka probleme që lidhen me mangësitë e sistemit juridik:
“Shikojmë gjithashtu mungesën e një shoqërie të fortë civile, që është me rëndësi kyçe për mbështetjen e lirisë së shtypit.”
Sipas saj, Kosova, si shtet i ri, duket se është në rrugë të mbarë, por i duhet dhënë kohë për t’i zhvilluar këto gjëra./VOA