Freedom House Shqiperia pjeserisht e lire perparim prej 2014-es

Freedom House: Shqiperia pjeserisht e lire, perparim prej 2014-es

Pavarësisht se jo në një liri absolute, Shqipëria ka bërë përparime përsa i përket kësaj çështje. Në raportin vjetor të Freedom House për liritë, Shqipëria dhe Kosova vlerësohen si vende pjesërisht të lira, ndërkohë që gjendja e lirisë në botë vazhdon të pësojë një rënie për të nëntin vit radhazi.

Në këtë raport vlerësohet se Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi, në një sistem matës me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.

Vlerësimi për vendin tonë nuk ka pësuar ndryshime gjatë një viti, ndërkohë që në Kosovë është shënuar përparim, duke u përfshirë për herë të parë mes vendeve me demokraci elektorale. Sipas raportit, mosndryshimi i vlerësimit ka të bëjë me kombinimin e problemeve të rrënjosura institucionale dhe reformave pozitive por që janë ende në fazat e para.

Raporti nënvizon se qeveria e kryeministrit Edi Rama siguroi në vitin 2014, statusin e vendit kandidat pas tre shtyrjeve të mëparshme dhe është vlerësuar për masat ndaj krimit të organizuar, ligjit të ri për lirinë e informacionit dhe ligjit për proceset e konsultimit për hartimin e legjislacionit dhe strategjive të rëndësishme për politikat.

Megjithatë, vazhdon Freedom House, vendi vazhdoi të vuante pasojat e mosmarrëveshjeve politike, përfshirë bojkotimin e parlamentit nga opozita, mosndëshkimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe një trashëgimi emërimesh politike në postet e gjyqtarëve.

“Sigurisht që ne do të preferonim që Shqipëria të kishte shënuar më shumë përparim”, thotë Arch Puddington, zv/president për kërkimet tek kjo organizatë.

Ai ia atribuon mungesën e përparimit, historisë së shtypjes së regjimit totalitar të Enver Hoxhës, që ai thotë ishte më i rëndë sesa vendet e tjera të Evropës Lindore.

“Mendoj se vendi ende po përpiqet të dalë nga ajo errësirë ku ishin zhytur nën regjimin Hoxha. Prandaj mund t’u duhet pak më shumë kohë. Ata kanë shënuar përparime të rëndësishme. Por një nga gjërat që kemi mësuar është se kur një vend anëtarësohet në BE, ka prirjen t’i respektojë standardet demokratike në mënyrë të qëndrueshme, kështu që ne shpresojmë që Shqipëria ta arrijë atë synim”, tha Arch Puddington

Raporti i plotë i Freedom House


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama