Frenohet tregu i sigurimeve ne 11 muaj te ardhurat 7.7 miliarde leke

Frenohet tregu i sigurimeve, ne 11 muaj te ardhurat 7.7 miliarde leke
Sigurimet e jo-jetës zënë pjesën më të madhe të tregut, prej 87.56% Sigurimet e jetës zënë rreth 12.22% të tregut. Këtë vit u paguan më pak dëme. Kur shqiptarët i referohen tregut të sigurimeve, gjëja e parë që u shkon në mendje është automjeti i tyre. Kjo, për shkak se edhe në statistikën e tregut të sigurimeve, sigurimi i mjeteve motorike zë vendin kryesor në treg. Kohët e fundit, jo se është bërë edukatë e qytetarëve, por kërkesë e formës së udhëtimit për jashtë vendit, kërkohet bashkë me biletën edhe sigurimin e jetës në udhëtim. Ndërsa sigurimi i pronës nga zjarri apo risqe të tjera mbeten ende në nivele të ulura.

Por gjithsesi edhe për vitin 2011, për 11-mujorin e formuluar tashmë në formë raporti nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vihet re se për vitin 2011 të ardhurat për tregun e sigurimeve kanë qenë jo shumë premtuese për tregun e sigurimeve, në krahasim me vitin 2010. Sipas të dhënave të AMF-së, të ardhurat nga primet e sigurimit në periudhën janar - nëntor 2011 arritën rreth 7,689 milionë lekë, ose 5.27% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar - nëntor 2011 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1 187 467, pothuajse duke dyfishuar numrin e kontratave e krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 87.56% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 12.22% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.22%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 54.98% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm motorik zënë 45.02% të totalit të tregut.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet në Sigurimin e Detyrueshëm Motorik arritën shifrën 3,461 milionë lekë, ose rreth 10.55% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti MTPL e brendshme, gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2011, pati një ulje prej 24.48% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 3.97% krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2010. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar - nëntor 2011 pati një rritje prej 1.88% për primet e shkruara bruto dhe një ulje të numrit të kontratave prej 2.21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar - nëntor 2011 pati një rritje prej 30.54% për primet e shkruara bruto, shoqëruar dhe me rritjen e numrit të kontratave prej 39.86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Primet e sigurimit vullnetar, në periudhën janar-nëntor të vitit 2011, arritën rreth 4,228 milionë lekë, ose 23.10% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, si dhe është shoqëruar me një dyfishim të numrit të kontratave. Vlen të theksojmë se rritja e konsiderueshme e numrit të kontratave në sigurimin vullnetar ka ardhur nga rritja e numrit të kontratave të sigurimit të shëndetit. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar - nëntor 2011, patën rritje me rreth 22.53% kundrejt periudhës janar - nëntor të vitit 2010.

Ulet niveli i pagesave të dëmeve

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar - nëntor 2011 u ulën me rreth 0.95% krahasuar me periudhën janar - nëntor të vitit 2010. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 1,537 milionë lekë, që përbëjnë rreth 79.88% të totalit të dëmeve të paguara bruto. Ndërkaq në tregun e sigurimeve në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,885 milionë lekë në total, vendin e parë e zuri sigurimi nga zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 50.47%, i pasuar nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 18.66%.

Në portofolin “Zjarri dhe rreziqet shtesë”, gjatë periudhës janar - nëntor të vitit 2011, ndihet një rritje prej 20.39% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 12.39% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2010. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit gjatë periudhës janar - nëntor 2011 arritën në rreth 812 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 140.85% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Kjo rritje është ndikuar nga rritja e volumit të primeve në klasën e sigurimit të shëndetit. Sigurimet e shëndetit zunë rreth 88.65% të të ardhurave të këtij grupi. Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2011 arritën rreth 940 milionë lekë, ose 30.37% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama