Freskia e Festivalit te 48-te

Freskia e Festivalit të 48-të

Një ditë përpara festivalit, këngëtarët dhe kompozitorët janë në skenën e Pallatit të Kongreseve për provat e fundit me orkestrën e Radio-Televizionit. Dëgjojnë këngët, urojnë, pyesin njëri-tjetrin sesi kënduan. Tek e fundit sot u lejohen gabimet teknike që nesër skena nuk jua fal. Dëgjohen shpesh mes profesionistësh fjalët "edhe njëherë se nuk e dëgjoj zërin tim", "orkestra është shumë lart", "një provë tjetër, gati".

Ndërsa skenografia e Karlo Canes është ngritur tashmë dhe prezanton një koncept të kohës, ku vë re elemente ngjashmërie me skenën e Festivalit Evropian të Këngës, "Eurosong". Orkestra është lënë disi në hije dhe duket sikur e gjithë vëmendja i është lënë rrethit ku interpreton këngëtari, dhe një sfondi projektues që ndodhet pas figurës së tij.

Në "Perden Projektuese", siç e quan regjisori i Festivalit, Osman Mula, shihet imazhi i këngëtarit, ose gjetje të realizuara nga Canes në bashkëpunim me skenografin shqiptar Bashkim Zahaj. Piktura, figura, objekte abstrakte që lëvizin, dhe video të ndryshme ilustrojnë dhe i përafrohen tekstit të këngës.

Po ashtu, numrat e koreografisë dhe shoqërimi me instrumente, i jep më tepër gjallëri këngëve dhe duket sikur e çliron këngëtarin nga ndjesia se po e përballon vetëm skenën. Këto elemente u përmendën edhe nga regjisori Mula, në bisedën e bërë një ditë përpara festivalit, ku vështirë të gjeje një moment të qetë mes tigujve të lartë të orkestrës, provave të këngëtarëve me zërin dhe përgatitjeve të teknikës për një festival "live". Mula ndihet i entuziazmuar për pjesëmarrjen e të rinjve në skenë, kompozitorët me emër që kanë zgjedhur të krijojnë për festivalin, atmosferën e spektaklit në një natë Krishtlindjesh dhe frymën e së resë që ndihet në të. "Natën e dytë i japim një freski, një gjendje komplet tjetër. Fusim një botë rinore, ata që marrin pjesë për herë të parë, një pjesë edhe me naivitetin e moshës", tregon ai. Këtë zgjedhje ai e ka bërë edhe për prezantuesit e këtij viti, Miriam Cani dhe Alban Skënderaj, të dashur për publikun jo vetëm për këngët e tyre, por edhe historinë që i bashkon.

Festivali zhvillohet në katër net, më 24 deri më 27 dhjetor. Në natën e parë këndojnë 18 këngëtarët "big", në të dytën 18 këngëtarë të rinj. Nata e tretë është një natë spektakli, në të cilën këngëtarët këndojnë në duet me të ftuarit, duke i dhënë një mënyrë tjetër interpretimi këngës.

27 dhjetori është Finalja, ku juria shpërndan çmimet e përvitshme. Ajo përbëhet nga Zana Çela (producente), Luan Zhegu (kantautor), Flamur Shehu (kompozitor), Agron Tufa (shkrimtar), Olen Çezari (violinist), Vikena Kamenica (mexo-soprano), Saimir Braho (këngëtar). Skenarist Pandi Laço, udhëheqës artistik Selim Ishmaku, redaktor përgjegjës Françesk Radi, drejtor fotografie Franco Ferrari, skenograf Karlo Cane dhe koreograf Julian Bulku.

Z. Mula, si është konceptuar Festival i 48-të i Këngës?

Ndryshe nga vitet e tjera. Festivali zhvillohet në 4 net dhe në gjirin e tij janë futur edhe 18 këngëtarë të rinj. Nëse në standartin e festivaleve të tjera, dihej që në natën e parë janë këngëtarët profesionistë, pastaj në natën e dytë duetet, dhe në të tretën çmimet, mendoj se gara sivjet është shumë më e madhe.

Çfarë ndodh në këto 4 net?

Nata e parë, që quhet nata e këngëtarëve "Big", u është lënë këngëtarëve më të mirë, kompozitorëve më të mirë, orkestruesve më të mirë. Natën e dytë i japim një freski, një gjendje komplet tjetër. Fusim një botë rinore, ata që marrin pjesë për herë të parë, një pjesë edhe me naivitetin e moshës. Do ta pranojmë si një vlerë naivitetin sepse në këtë botë kështu futesh. Në fillim si amator, pastaj fillon e mësohesh me skenën. Kemi menduar t'i japim mjedisit të festivalit më shumë dashuri për këngën nga rinia. Kanë ardhur mjaft këngë të rinjsh, sa mezi u përzgjodhën 18. Nata e tretë është nata e të rriturve, ku futen edhe duetet, që kanë një rëndësi të madhe sepse e paraqesin këngën ndryshe. Në këtë natë ftohen këngëtarët më të mirë të traditës, që shpeshherë refuzojnë të vijnë në festival. Në natën e të rriturve futen në garë edhe dy të rinj, fituesit e natës së të rinjve. Në finale këndojnë 18 "vipat", plus dy të rinjtë, pra 20 këngë.

Për pjesën e spektaklit çfarë keni menduar?

Në pritje të garës bëhet spektakli, si gjithmonë. Këtë vit nuk kemi marrë këngëtarë nga jashtë. Nuk kishim dëshirë për të sjellë këngëtarë që publiku i ka parë, dhe do të ishte një shpenzim i tepërt. Menduam që më mirë të bëjmë natën e të rinjve. Kanë ardhur mjaft këngëtarë italianë, apo grekë, edhe fituesit e festivaleve i kemi sjellë. Le ta provojmë të jemi brenda familjes sonë njëherë. Nata finale futet për të parë artistët shqiptarë, këngët shqiptare, garën shqiptare dhe kush do të na përfaqësojë në "Eurosong". Çdo këngë do të ketë një pjesëz të spektaklit. Këngëtarët nuk këndojnë më vetëm. Vijnë të shoqëruar me këngëtarë të tjerë, me trupa baleti, me skenografi, me gjetje të reja. Mendoj se secila këngë do të sjellë një minifestival. Të gjitha këto të bashkuara në të tërën do të sjellin një katër netësh shumë të bukur.  Ne kemi ftuar një trup baleti, koreografi është shqiptar, Julian Bulku.

Po skenografia a i përshtatet kësaj fryme të re të festivalit?

Katër netët e këtij festivali janë ndryshe të konceptuara edhe në skenografi. Nuk është një skenografi e thjeshtë. Çdo këngë do të ketë ilustrimin përkatës në perden e projeksionit. Ky festival ka pak dozën e konceptit të "Eurosongut". Shumë këngë janë të shoqëruara me balet, ose nga instrumentistë. Janë videoklipe skenike që i shërbejnë të ardhmes, për të qenë sa më pranë edhe kërkesave moderne.

Festivali ynë ka frymën rinore. Sidoqoftë, ai do ta ruajë traditën. Është i 48-i dhe konceptet tona nuk duhet të fluturojnë aq sa të "humbim" traditën. Ndërsa paraqitja skenike dhe ndriçimi janë realizuar nga mjeshtrit italianë që kanë ardhur. Skenografi italian Karlo Cane bashkëpunon me skenografin tonë Bashkim Zahaj, është ndriçuesi dhe fonist, me eksperiencë të madhe. Mendoj se do të jetë një festival shumë i mirë. Festivali i sivjetshëm është vazhdim i festivaleve shumë të mira që ka bërë Radio-televizioni. Unë do të vazhdoj rrugën e traditës së kolegëve të mi, që kanë punuar më parë për të.

Kujt i është besuar prezantimi?

Prezantuesit e këtij viti janë Miriam Cani dhe Alban Skënderaj, që jo vetëm do të prezantojnë, por do të performojnë edhe këngët e reja. Do të këndojnë edhe një duet bashkë. Miriam Cani interpreton edhe një numër nga musicali "Chicago", të cilin e ka kënduar edhe më përpara, por tani do të japi një fragment ndryshe, punuar me një tjetër koreografi. Do të ketë edhe elmentë të tjerë spontanë. Mund të jenë edhe pjesëtarë të jurisë, që do t'u themi "Çfarë di të bësh në skenë?". Gjithmonë kam preferuar të zgjedh prezantues të rinj.

Përse kjo zgjedhje?

Ky është festivali i 12-të që marr përsipër si regjisor. Kam filluar që në 1975, në të cilin ka fituar kënga "Nënë moj do pres gërshetin". I fundit ishte i 96-s, në të cilin fitoi për herë të parë këngëtarja Elsa Lila. Spikerët që unë kam zgjedhur për të drejtuar këto festivale, kanë dalë për herë të parë në skenë.

Dhe të gjithë ata kanë vazhduar një jetë artistike. Kujtoj Ilir Bibollin, Zana Çelikun kur ishte maturante, që më pas mori pjesë nëpër filma. Më pas Anisa Markarjanin, maturante në gjimnazin "Partizani", pas festivalit ajo filloi filmat, filloi të shkruajë. Kam marrë Matilda Makoçin, edhe atë në gjimnaz. Pas festivalit, ajo u bë aktore shumë e njohur e kinemasë. Kam nxjerrë për herë të parë Ndriçim Xhepën, ishte student asokohe. Gjithashtu, Amin, e cila ka dalë për herë të parë tek Festivali i Këngës Popullore, që kam organizuar dhe e kam vënë në krah me Silvana Braçen.

Gjithashtu, Leon Mekshin, Dhimitër Gjokën, që e kanë filluar artin prej kësaj skene. Prandaj unë kam marrë dy spikera të rinj. Natyrisht, kam përshtypjen se do ta justifikojnë veten dhe do të performojnë shumë mirë. Janë simpatikë dhe kanë vokal të bukur. Nuk është puna të zgjedhësh një spiker që të thotë të gjithë tekstin. Unë dua që spikeri të jetë pjesë e spektaklit dhe mendoj që këta të dy janë pjesë e spektaklit, vallëzojnë, këndojnë. Mendoj se kemi bërë edhe një zgjidhje tepër të duhur. E kemi afruar natën e parë të festivalit në Natën e Krishtlindjeve. Filloi festivali të spostohej nga data 10, 12 dhjetor. Festivali e ka vendin në fundvit afër festave.

Si ndiheni një ditë para festivalit?

Ndjej një ankth që gjithmonë e kap regjisorin. Nuk flitet thjesht për konceptin dhe konstatimin që kam unë, por në momentin që je tek pulti janë shumë anë teknike që duhet të jenë shumë korrekte. Të gjitha këto më japin një lloj shqetësimi sepse e di ç'do të thotë teknikë.

Për më tepër, tek një festival "live"...

Të gjithë këngëtarët do të jenë "live". E gjithë orkestra, që është mbështetur tek harqet, do të jetë "live", gjithashtu pianoforte dhe kompleksi vokal. Vetëm bateria dhe basi janë të orkestruara. E rëndësishme është që të gjithë këngëtarët do të këndojnë drejtpërsëdrejti.

Prezantuesit e Festivalit të Këngës Miriam Cani dhe Alban Skënderaj

Prezantuesit e Festivalit të 48-të të Këngës janë Miriam Cani dhe Alban Skënderaj, që kanë rrëmbyer vëmendjen e publikut për një kohë të gjatë jo vetëm për këngët dhe videoklipet e realizuara, por edhe për historinë e dashurisë që ata po jetojnë. Për herë të pare emri i Miriam Canit u përmend në spektaklin "Miss Globe International", ku interpretoi bashkë me grupin e saj "Preluders". Cani kishte një karrierë të sajën në Gjermani si këngëtare, moderatore dhe producente. Kthehet sërish në Shqipëri për musicalin "Chicago", si dhe me një bashkëpunim me këngëtaren Alketa Vejsiu në këngën "Don't Surrender". Për një kohë të gjatë, historia e saj me këngëtarin Alban Skënderaj u qendroi larg publikimeve mediatike dhe intervistave. Kurse, vitin e kaluar ata deklaruan në media se përveç marrëdhënies së punës, projekteve, muzikës, i lidhte edhe pëlqimi i përbashkët. Së fundmi, kanë realizuar këngën "Lermë të vdes me ty" (Let me die with you), të cilën Skenderaj e kishte kompozuar kohë më parë për Canin.

 

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama