Frika eshte me mua. E prape une veproj

'Frika eshte me mua. E prape une veproj'
Siç është e bërë e ditur gjatë gjithë ditës së djeshme nga mediat në mbarë botën, Vaclav Havel, heroi i “revolucionit të kadifenjtë” nuk jeton më. Muajt e fundit ai i kaloi në shtrat i rënduar nga problemet e vjetra në frymëmarrje. Duhanpirja për kohë të gjatë, puna e detyruar për disa vjet si i dënuar politik, emocionet dhe frikërat që përjetoi në aventura ku e hodhën fati dhe historia, – siç thoshte ai, – nuk e penguan megjithatë që Havel të mbërrijë kufijtë natyralë të jetës, 75 vjeç. Ai vdiq në shtëpinë e tij në veri të Republikës Çeke, i rrethuar nga e shoqja Dagmar dhe një nga murgeshat që kujdeseshin për të muajt e fundit.

Haveli kujtohet sot kryesisht për angazhimin e tij qytetar e politik në një periudhë kulmore si lider i atij revolucioni që çoi në shkëputjen e Çekosllovakisë nga perandoria komuniste nëntorin e vitit 1989; si presidenti i parë jokomunist, i ardhur natyrshëm në pushtet në krye të Çekosllovakisë deri më 1992. Sa për dhjetëvjeçarin 1993-2003, kur ai drejtoi Republikën Çeke, vepra e tij politike është në qendër të kritikave si një realitet që nuk i përgjigjej më idealeve të hershme mbi lirinë, përgjegjësinë e demokracinë.

“Vdiq një luftëtar i madh për lirinë e kombeve dhe demokracinë” thotë Lech Walesa një tjetër aktivist antikomunist si ai i cili themeloi në Poloninë fqinje lëvizjen “Solidaritet”.

Mesazhet e ngushëllimit në adresë të familjareve e presidentit çek vijnë edhe nga Shqipëria. Havel kishte ardhur për një vizitë zyrtare në Shqipëri më 1999. Në mesazhin e kryeministrit Sali Berisha thuhet: “Me vdekjen e Vaclav Havel, kombi çek dhe mbarë Evropa humbën liderin dhe shkrimtarin e madh të lirisë. Kombet ish- komuniste humbën frymëzuesin e kalimit të tyre paqësor nga diktaturat totalitare në liri, mikun e tyre të madh”.

Dhe mesazhi i liderit të opozitës, Edi Rama: “Vaclav Haveli ishte frymëzim i madh për ne kundër regjimit, shembulli i tij unik në marrëdhëniet me pushtetin do mbetet gjithnjë frymëzues.”

Vjeshtën e vitit 1989, Evropa u përfshi nga ngjarjet e mëdha: në Jugosllavi nacionalisti Sllobodan Milosheviç u zgjodh president, në Poloni zgjidhet i pari kryeministër jo komunist, në Hungari janë 60 mijë gjermano-lindorë që kalojnë kufirin prej këndej drejt Austrisë, kur në Bullgari e Rumani partitë komuniste hoqën dorë nga monopoli mbi pushtetin, në Çekosllovaki shkrimtari disident Vaclav Havel është presidenti i ri i vendit, në Gjermaninë Lindore më 9 nëntor hapet Muri i Berlinit duke shënuar fundin e luftës së ftohtë, fundin e komunizmit dhe ribashkimin e Gjermanisë.

Më 1989 Havel kishte bashkëthemeluar Forumin Civil organizimi që ndihmoi për një kalim paqësore drejt demokracisë, lirisë së shprehjes, shoqërisë civile dhe vendosjes së ligjit.

Emri i Vaclav Havel-it shfaqet pas pushtimit të Pragës nga rusët dhe fundit të Pranverës së Pragës. Shkroi poezi dhe botoi libra, por me dramën e absurdit, – “Festa e kopshtit”, “Memorandumi”, “Joshja”, “Audienca”, “Protesta”, “Gabimi” – ai shënoi hapin cilësor drejt letërsisë, dhe njëherësh drejt shkrimit politiko-filozofik. Dramat i ndaloheshin, po aq dhe esetë të cilat krahas veprës së disidenti rus Andrei Sakharov, vlerësohen si “analizat më elokuente mbi çfarë i bëri komunizmi shoqërisë dhe individit”. Havel thotë që vija ndarëse ndërmjet viktimës dhe shtypësit kalon faktikisht përmes çdo njeriu, sepse gjithsecili ka qenë, sipas mënyrës së vet, edhe viktimë, edhe përkrahës i sistemit njëherësh.

Themelon “Charter 77”, organizatë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë dhe shkruan rregullisht mbi shtypjen dhe disidencën të cilat u botuan më 1978 në librin “Fuqia e të pafuqishmit” i cilësuar një nga librat më të mirë me ese politike të shkruar ndonjëherë.

Pikërisht për këtë angazhim të tijin u dënua më 1979 me 4 vjet e gjysmë punë të detyruar, gjatë të cilës shkroi “Letra Ollgës”.

Ja çfarë shkruan ai për disidencën: “Ti nuk dëshiron të përlyhesh me ndyrësinë që të rrethon, dhe një ditë papritur, zgjohesh dhe kupton që je disident, që je aktivist për të drejtat e njeriut… Edhe me mua ndodhi pak a shumë kështu. Vetëm më vonë, në burg, nisa të reflektoj për procesin dhe çfarë kisha bërë e si kisha vepruar. Duhet të ekzistojë dhe i ashtuquajturi burim transhendental i energjisë që ju ndihmon të përballeni me gjithë këto sakrifica. Njerëzit mund të mos jenë dakord me këtë, por unë e ndjej. Në burg kam menduar shpesh pse njeriu vendos që të jetë ashtu si duhet të jetë, njeri me integritet, edhe në rrethana kur ai ose ajo është krejt i vetëm, kur askush nuk i kupton veprimet dhe mendimet tuaja, me përjashtimin tuaj. Edhe në këto rrethana, njeriu ndihet keq, me vetëdijen të turbulluar, e bren pendimi. Pse pra ndodh e gjithë kjo? Si është e mundur? Përgjigja ime është që duhet të ekzistojë një tjetër sy vëzhgues mbi gjërat – një dallim që nuk ta bëjnë njerëzit që ju rrethojnë. Nuk mund të provoj ekzistencën e një syri të tillë, por bazohem në sigurinë e arketipit për një ekzistencë të tillë.”

Siç shihet Vaclav Havel ka përfaqësuar “një rast përjashtimi në skenën evropiane, një nga ata intelektualë të disidencës që ia doli të jetë edhe politikan, dhe jo thjeshte një intelektual që konteston pushtetin”.

E pikërisht këtu ndahen opinionet. Periudha e fundit e Havelit politikan, president i vendit është më e kritikuara qoftë në aspektin institucional për reformat e papërshtatshme, qoftë në aspektin e jetës së tij presidenciale. Pushteti si afrodiziak, kështu ia kanë quajtur këtë marrëdhënie “të re” të Havelit president në kështjellë me politikën. Më 1996 i vdes e shoqja Olga Havel, heq dorë nga duhani për shkak të një tumori dhe martohet me Dagmar Veskrnova, aktore teatri njëzet vjet më e re se ai.

Më 2007 i kthehet dashurisë së parë, skenës. Boton “Në largim” që e bën film më 2010. Historinë e një presidenti në pension. Është historia e viteve të fundit të jetës së tij. Filmi u shfaq në Festivalin e Durrësit 2011 dhe u vlerësua me çmim special.

Asgjë prej dramave dhe mendimit të tij politik nuk ka të përkthyer në shqipe.

I tërhequr nga politika por jo nga jeta publike 9 vitet e fundit, Vaclav Havel, vlerësuar me çmimet më prestigjioze për paqen dhe të drejtat e njeriut.

Vaclav Havel

Mbi lidershipin

Bota post komuniste kishte shansin për udhëheqës të rinj moralë, sepse në atë periudhë tranzicioni në këto vende nuk ekzistonin politikanët e karrierës apo politikanët profesionistë. Kjo u dha mundësinë intelektualëve të hynin dhe të sillnin një shpirt të ri në procesin politik. Por me kalimin e kohës njerëzit u ndrydhën dhe shumë nga kjo mundësi u zhduk.

Mbi kurajën

Kurajoja në sferën publike nënkupton dikë që në emër të së vërtetës shkon kundër mendimit të shumicës (duke rrezikuar njëherësh që të humbasë pozitën e tij). Dhe unë kam pasur një admirim sublim për ato personalitete të historisë që kanë qenë të aftë të bëjnë pikërisht këtë.

Mbi frikën

Kam ndjerë dhe ndjej një mori frikërash. Ka nga ato që zotërojnë energji më të madhe se frikërat e të tjerëve. Por edhe përpjekjet e mia për t’u përballur me to ka qenë ndoshta edhe më e fortë se ato vetë. Frika ime më e madhe vjen nga përfytyrimi që mund të lë në baltë dikë, që mund të poshtëroj dikë dhe atëherë më bren ndërgjegjja… Gjithnjë e kam pasur këtë pasiguri; gjithnjë kam qenë njeri që vuan nga emocioni, nga frika. Frika është me mua, e pavarësisht asaj, unë veproj.

Mbi humorin

Kur një burrë apo grua qoftë është i gatshëm të sakrifikojë për çështje serioze, ndodh që ai/ajo, rezulton në fund një njeri që e merr tejet seriozisht. Fytyra e tij/e saj bëhet e sertë, pothuajse jonjerëzore, dhe një njeri i tillë bëhet monument. Dhe siç e dini, monumentet që bëhen prej guri apo allçie e kanë të vështirë të ecin. Ecjet e tyre janë të ngathëta. Nëse dikush uron të mos e humbasë njerzillëkun, të qëndrojë njerëzor, ka rëndësi që të ruajë njëfarë distance. Për të ruajtur këtë ftohtësi duhet të jeni të gjendje që të shihni se ekziston një lloj absurdi, madje qesharak, në veprat e njeriut.

Mbi lirinë dhe përgjegjësinë

Liria pa përgjegjësi është pothuajse ëndrra e çdo njeriu që dëshiron të bëjë ç’të dojë pa marrë asnjë përgjegjësi për atë që bën. Po sigurisht që kjo do ishte jetë utopike. Dhe gjithashtu, jeta pa përgjegjësi nuk do të kishte kuptim. Mendoj se vlera e lirisë është e lidhur me përgjegjësinë. Nëse liria nuk është e lidhur me kaq përgjegjësi atëherë ajo humbet përmbajtjen, kuptimin dhe peshën.

 

Jeta

1936  U lind në Pragë në një familje me aktivitet kulturor e politik.

1951-54 Punon në një laborator kimie.

1963 Shkruan dramën “Festa e kopshtit” e cila shfaqet premierë në Teatrin e Pragës.

1964 Martohet me Olga Splíchalová, punonjëse shërbimi në këtë teatër

1968 Merr pjesë në Pranverën e Pragës. Pas kësaj dramat e Havelit ndalohen, por fillon të gëzojë emër jashtë Çekosllovakisë. Drama “Memorandumi” luhet në Teatrin Publik të Nju Jorkut

1969 Havel dënohet me punë të detyruar.

1977 Në manifestin e organizatës “Charter 77” shpallet që në Çekosllovaki të drejtat e njeriut ekzistojnë vetëm në letër.

1979 Dënohet me 4 vjet e gjysmë burg.

1989 Merr pjesë në Revolucionin e Kadifenjtë që rrëzon qeverinë komuniste. Me 29 dhjetor Havel zgjidhet president.

1992 Jep dorëheqjen pas pavarësisë së Sllovakisë

1993 Zgjidhet president i Republikës Çeke

1996 Vdes e shoqja Olga. Havel martohet me aktoren Dagmar Veskrnová.

2003 Merr fund mandati i tij si president.

2007 Botohet “Në largim” drama e tij e parë pas afro njëzet vjetësh.

20011 Shfaqet premierë “Në largim” filmi i parë dhe i fundit i Havelit

1989 – ardhja në pushtet: Havel bën shaka me një anëtar të lidhjes disidente polake “Solidaritet” qershor 1989

1977 – Maj 1978 në emër të grupit disident çekosllovak Charter 77, një figurë kyçe e revolucionit të kadifenjtë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama