Frika manite dhe fiksimet e te famshmeve

Frika, manite dhe fiksimet e te famshmeve
Shqetësime psikologjike, pak a shumë të mëdha, fiksime të vogla dhe mani pa fund: edhe të famshmit vuajnë prej tyre. Ndryshimi? Tani nuk ngurojnë t’i tregojnë publikisht Shqetësimet obsesive-kompulsive, ashtu siç njihen në gjuhën mjekësore, janë patologji psikike që manifestohen në forma të ndryshme, por që kanë një skemë të përbashkët: mendime maniake, apo fiksime të vërteta, që mund të neutralizohen vetëm duke ndjekur një ritual të caktuar: të lash vazhdimisht duart apo të ecësh në trotuar pa i shkelur kurrë vijat e bardha, apo të rregullosh në të njëjtin drejtim objektet e shtëpisë.

Këto “shqetësime”, në dukje të vogla, mund të bëhen të mëdha, madje mund të arrijnë deri aty sa të paralizojnë krejtësisht jetën e atyre që i vuajnë: sipas disa vlerësimeve, vetëm në SHBA, janë 5 milionë individë që vuajnë prej patologjive të tilla. Për më tepër, mes tyre, ka një numër të madh yjesh. Ata që gjithmonë kur i shohim në ekran na duken thuajse perfekt, pa asnjë lloj defekti dhe tmerrësisht të sigurt te vetja. Megjithatë edhe për ta gjërat kanë ndryshuar. Nëse më përpara nuk tregonin asgjë nga shqetësimet që kishin, tani me pak kurajë i rrëfejnë publikisht frikërat, manitë apo veset e tyre. E fundit në radhë, sa i përket kohës, është Charlize Theron. Aktorja 36-vjeçare me origjinë afrikano-jugore, sapo ka adoptuar një fëmijë, Jackson.

Me këtë rast, e intervistuar nga një radio australiane dhe nga një tabloid britanik, ka treguar për problemet e saj psikike: “Jam një grua e prekur nga shqetësimet obsesive-kompulsive, që lidhen me nevojën që gjithçka rreth meje të jetë e rregulluar në mënyrë precize: shtëpia, objektet, duhet të jenë krejtësisht në rregull. Nëse kjo nuk ndodh, bëhem shumë keq. Kur jam gjetkë, nuk arrij të futem në ndonjë tualet ku mund të ketë qoftë edhe diçka që nuk është në vendin e vet.

Nëse e mendoj shumë, rrezikoj të mbetem pa gjumë gjithë natën”. Charlize, një vajzë shumë inteligjente, e di mirë që kjo nuk është aspak pozitive, aq më pak tani që ka adoptuar një fëmijë, e ndoshta për këtë “doli zbuluar” duke rrëfyer problemin e saj. Me pak fjalë, një lloj terapie mediatike. Por ajo nuk është e vetmja nga të famshmet që ka pranuar shqetësimet psikike. Një tjetër është Juliane Moore.

Nënë e dy fëmijëve, tregoi para pak kohësh se rutina e saj, për të ruajtur ekuilibrin, parashikonte daljen çdo mëngjes ekzaktësisht në të njëjtën orë, për të pasur edhe mundësinë që të kalonte më shumë semaforë jeshilë se të kuq. Pastaj duhej ta gjente shtëpinë në të njëjtën mënyrë që e kishte lënë: “Por me dy fëmijë që bëjnë rrëmujë të madhe, kjo nuk është aspak e lehtë. Prej tyre kam ‘braktisur’ shumë nga fiksimet e mëparshme në lidhje me rregullsinë në shtëpi”, përfundon ajo. Lista vazhdon me Cameron Diaz. Para disa vjetësh, ajo e pranoi publikisht se vuante nga fiksimi i larjes së duarve vazhdimisht.

Në 2010-n, i takoi bukuroshes Megan Fox që të dilte zbuluar te publiku, nga faqet e revistës “Allure”. Bukuroshja 25-vjeçare shpjegoi aty me detaje fiksimet e saj: tualetet publike ku nuk shkon kurrë apo karriget e restoranteve ku nuk do të ulet asnjëherë. “Ideja që dikush tjetër i ka përdorur para meje, më ngjall frikën”. Pas një viti, ishte radha e Jessica Alba, e cila thotë se problemet e saj obsesive lidhen vetëm me ritualet shtëpiake: “Çdo mbrëmje më duhet të kontrolloj dy herë nëse porta është e mbyllur dhe të heq prizat e çdo elektroshtëpiake, para se të shtrihem për të fjetur”, tha ajo.

Në listën e të famshëmve me fiksime, nuk përfshihen vetëm gratë. I pari nga meshkujt është Leonardo di Caprio. Disa vjet më parë, ai shpjegoi manitë e tij fëmijërore në sajtin “about.com”. “Problemi im ishin vetëm trotuaret. Nga shtëpia në shkollë, duhej t’i vija këmbët gjithmonë te të njëjtat blloqe, madje te të njëjtat pllaka”. David Beckham sipas asaj që gruaja e tij Victoria ka treguar për “Daily Mail”, është i fiksuar pas rregullit të vendosjes së ushqimeve në frigorifer. “Të gjithë sallatat duhet të vendosen në të njëjtin kat, ushqimi i gatuar në një tjetër dhe pijet më vete.

Porsa u përket këtyre të fundit duhet të jenë gjithmonë në të njëjtin numër: për shembull tre “Diet Coke”, tre shishe lëng portokalli e kështu me radhë”. Më i trishtuar, rrëfimi i Billy Bob Thornton. Aktori, ish-bashkëshorti i Angelina Jolie, ka shpjeguar se i ka përballuar abuzimet e pësuara në fëmijëri duke zhvilluar një fiksim për llogaritjet matematike dhe shifrat në përgjithësi: “Duhej me patjetër të përdorja dhe përsëritja disa numra edhe pse nuk më duheshin”. Por ka edhe tipe të tjera patologjish më të rënda, që prekin të famshmit. Catherine Zeta-Jones vuan nga shqetësimi bipolar, siç ka pranuar dhe vetë. Në këtë linjë edhe Sting, Ben Stiller, Jean-Claude Van Damme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama