Frika nga gjyqtaret Partizani shkund federaten

Frika nga gjyqtarët, Partizani shkund federatën

Nisur nga penalltia e fundit që përfitoi Skënderbeu ndaj Bylisit, përballje që u gjykua nga arbitri Eldorian Hamiti, drejtori i përgjithshëm i Partizanit përmes një apeli të bërë në "Panorama Sport" kërkon që FSHF të bëjë punën e saj dhe të mos bie pre e preferencave dhe ultimatumeve të klubeve. partizani iSipas Dervishit, rivali për titull po i merr në seri penalltitë, edhe të paqena, ndërkohë që ata u paragjykuan në fillim.

Ja problematika dhe kërkesat që paraqet drejtori i të kuqve në adresë të FSHF-së: "Duke parë situatën e javëve të fundit, i bëj thirrje federatës shqiptare dhe sektorit të arbitrave që ndeshjet e dy skuadrave pretendente t'i gjykojnë gjyqtarët më të mirë, ata që mbajnë stemën e FIFA-s. Në këtë pjesë të fundit luhen fatet e sezonit dhe është e pakuptimtë që të paguajmë për gabimet e gjyqtarëve të paaftë dhe të papërgatitur. Penalltia e fundit që iu akordua Skënderbeut është alarmante, pasi për javë me radhë çdo rënie në tokë e korçarëve në zonën e kundërshtarit vlerësohet penallti. Partizani u vu në shënjestër në javët e para për dy-tre penallti që na u dhanë dhe na paragjykuan.

Ndërkohë për penalltitë inekzistente që po akordohen nga java në javë për Skënderbeun ka heshtje dhe asnjë reagim, si nga aktorët kryesorë, por edhe mediat. Ne nuk i paragjykojmë "xhaketat e zeza", por ndeshjet e Partizanit dhe Skënderbeut duhet t'i gjykojnë arbitrat më të mirë, jo si ai i fundit që gjykoi në Korçë, i cili ndodhej pranë aksionit. Nuk aludoj për vendimin, por e shikoj si një gjyqtarë të paaftë, që nuk i takon të gjykojë në Superiore. Ka qenë po ky gjyqtar që na dënoi ndaj Bylisit në fazën e dytë".

Apeli

"I bëj thirrje shefit të arbitrave, Tahir Kastrati, që ta mbajë fjalën e dhënë në asamble. Nuk kemi pse të paguajmë për gabimet e gjyqtarëve, pasi indirekt nga këto veprime po përfiton rivali. Prandaj, në këtë javët e fundit, federata duhet të vendosë gjyqtarët më të mirë në ndeshjet ku luan Partizani dhe Skënderbeu, në mënyrë që gara të jetë e drejtë.

Unë kam besim maksimal te kasta e gjyqtarëve shqiptarë, por ata që nuk janë për Superiore nxehjen ta bëjnë te të rinjtë. FSHF nuk duhet të bjerë nën presion e presidentëve të klubeve, por të jenë të gjithëpushtetshëm në caktimin e arbitrave, duke u nisur nga përgatitja profesionale. Nëse klubeve të veçanta u përmbushen tekat me ultimatume për gjyqtarë të veçantë, atëherë edhe ne mund të dalim në kërkesa absurde, duke kërkuar që të mos na gjykojnë arbitra rrethesh, por vetëm të huaj. Arbitrat duhet t'i vendosë organi përkatës dhe jo presidentët e klubeve.

Titulli të vendoset nga ajo që do të japin klubet në fushë dhe jo nga veprimet e gjyqtarëve, të cilët nuk e kanë problem të japin edhe penallti të çuditshme në favor të rivalit tonë. Unë, si drejtor i përgjithshëm i Partizanit, kam besim maksimal te gjyqtarët shqiptarë dhe nuk i paragjykoj, por federata duhet të caktojë më të zotët në ndeshjet kryesore. Shqipëria do të luajë në Europian në verë, kështu që ka ardhur koha që edhe Kategoria Superiore të funksionojë me frymë evropiane dhe kushte presidentësh e klubesh".

Përgatiti: ILIR CARA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama