Frika per kursimet – Greket zbrasin llogarite bankare

Frika per kursimet – Greket zbrasin llogarite bankare
Gjithnjë e më shumë grekë për shkak të krizës po i heqin paratë dhe po i mbyllin llogaritë e tyre në banka. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit janë nxjerrë nga bankat mbi 22 miliardë euro. Vangelis Kritikós ka shumë punë. Ky sipërmarrës i cili paratë e para i ka fituar në Gana të Afrikës, para 12 vjetësh ka krijuar një shoqatë për mbrojtjen e kredimarrësve dhe aksionerëve të vegjël. Ai i ndihmon njerëzit për dalje nga borxhet dhe këshillon ata të cilët kanë para në banka.

“Në fillim janë të pasurit ata të cilët i nxjerrin paratë e tyre dhe i investojnë në vende të tjera, jo vetëm për shkak të krizës, por edhe për faktin se atje nuk paguajnë tatime si në Greqi. Ndërkohë edhe qytetarët e thjeshtë po i nxjerrin nga bankat paratë e tyre. Ka madje edhe të tillë të cilët paratë i fusin në dhe, nëpër kopshte apo vende të tjera. Ndërkohë që shumë të tjerë i nxjerrin kursimet për të mbijetuar. Kjo do të vazhdojë”, thotë Kritikos.

Frikë nga falimentimi i shtetit

Shoqata greke e bankave ka përsëritur edhe një herë se kursimet deri në 100.000 euro janë të sigurta. Megjithatë shumë grekë janë të brengosur nga mundësia e falimentimit të shtetit. Hapja e kontove në vendet tjera evropiane nuk mund të pengohet, kështu që në Qipro apo Zvicër ndërkohë janë dërguar miliarda euro nga Greqia. Të tjerët më shumë preferojnë t’i mbajnë paratë në shtëpi apo të investojnë në aksione të sigurta, thotë analisti Vangelis Haratsis.

“Njerëzit kanë frikë nga humbja e kursimeve dhe pasurisë. Edhe ata që kanë në bankë vetëm 20.000 apo 30.000 euro po kërkojnë alternativa tjera, mundësisht pa rreziqe. Aksionerët që duan siguri më së shumti blejnë letra me vlerë të shtetit gjerman. Ndërsa ata që duan më shumë përfitime, investojnë në aksione të sipërmarrjeve.“

Agjencitë e vlerësimit e e kanë ulur renditjen për bankat greke.Rënie e besimit – Agjencitë e vlerësimit e kanë ulur renditjen për bankat greke. Bankat përballen me problemin e likuiditetit

Bankat në Greqi po përballen me problemin e mungesës së parave për qarkullim të përditshëm. Prej shpërthimit të krizës financiare ka rënë me 45 miliardë sasia e parave në banka. Në qoftë se njerëzit edhe më tej nxjerrin kursimet e tyre, shumë banka kërcënohen nga falimentimi, thotë Vangelis Haratsis. Sipas tij, bankat greke kanë probleme të mëdha në shumë sektorë, si mungesa e aftësisë kreditore dhe renditja më e ulët tek agjencitë e vlerësimit.

Vangelis Kritikós sheh edhe një problem tjetër: atë me politikën e tatimeve, që shumë qytetarë i ka shtyrë të mbyllin llogaritë e tyre në banka.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama