Frike e feste Europian ndryshe

Frikë e festë, Europian ndryshe

Frikë dhe entuziazëm. Të jesh në Francë për të ndjekur Kampionatin Europian, me siguri që do të ndiesh dy ndjesi. Një kompeticion paksa ndryshe nga të tjerët, kjo për shkak të kërcënimeve të terrorizmit dhe masave ekstreme që janë marrë për të garantuar sigurinë.

13397085_1194157843936880_1789554417_oAtmosfera Sapo avioni ulet në pistë, duket qartë që siguria është në një nivel maksimal me shumë forca policore që kontrollojnë me detaje çdo gjë.

Në rrugë shpalosen flamuj të ndryshëm, por ajo që vihet re është atmosfera disi e vakët. Në lokale dhe thuajse të gjitha rrugët gjithçka duket e qetë. Madje, edhe kur kalon pranë stadiumit, nëse nuk do të dëgjosh zhurmat nga brenda dhe të shohësh ndriçimin, nuk e kupton se aty është gati të nisë ndeshja e parë e evenimentit më të rëndësishëm të vitit.

Rreth stadiumit nuk ka lëvizje dhe gjithçka është e qetë. Çdo gjë është menduar deri në detaje. Në bulevardin kryesor përpara Kullës Eifel është krijuar "Fan Zonë".

Përpara ekranit gjigant janë mbledhur rreth 100 mijë tifozë për të ndjekur ndeshjen Francë-Rumani. Njerëz nga të gjitha vendet e botës, në një kohë që atmosfera është elektrizuese. Mijëra tifozë kanë ndjekur sfidën.

Dhe aty nuk ka si të mungojë as flamuri shqiptar. Kuqezinjtë do të jenë për herë të parë në një kompeticion të tillë dhe mijëra shqiptarë ndodhen në Francë. Siguria Në të gjitha ambientet publike, bien në sy forcat e shumta policore. Rreth 13 mijë policë janë angazhuar për të garantuar sigurinë e Europianit.

Në një kohë që pritet që numri të shkojë deri në rreth 20 mijë gjatë ditëve në vazhdim. Në aeroport rrugët kryesore dhe "Fan Zonë", policët janë në një numër të konsiderueshëm. Të armatosur dhe gati për çdo ndërhyrje. Terrorizmi është frika që kërcënon këtë kompeticion.

Pasndeshja është e qetë dhe të gjithë shpërndahen paqësisht. Nuk ka tension dhe përplasje. Francezët dhe rumunët nuk krijojnë probleme dhe shpërndahen të qetë.

Nga i dërguari ynë në Francë
ERMAL KUKA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama