Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka paditur në Prokurorinë e Përgjithshme ambasadorin Agim Isaku dhe dy gjyqtarëve Ken Dhima dhe Klorinda Çela të cilët akuzohen për fshehje të pasurisë.
Në një deklaratë për shtyp të ILDKP-së thuhet se ambasadori Agim Isaku ka fshehur transaksionin dhe burimin e krijimit të shumës për blerjen e apartamentit me sip.268m2 dhe çmim 147.000 euro, me adresë në rrugën e Elbasanit, Tiranë; fshehje të depozitave bankare në emër të familjarëve të tij; mungesë e burimit financiar të identifikuar për blerjen e apartamentit në Tiranë, me sip.110,94 m2, në pronësi të vajzës, në vlerën prej 49.920 euro dhe mosdeklarim të interesave private periodike vjetore për vitin 2010.
Gjyqtari Ken Dhima, sipas ILDKP ka bërë deklarim i rremë i vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese në shumën prej 2.770.000 lekë, ka mungesë të burimit të krijimit të depozitës prej 1.050.000 lekë nga subjekti, përdorur për blerjen e apartamentit, deklarim të rremë për huamarrjen nga shtetasi A.Ç. të shumës prej 2.000.000 lekë për blerjen e apartamentit në Rr.”Don Bosko” dhe gjithashtu ka bërë edhe disa deklarata të rreme dhe ka fshehur disa depozita bankare.-
Ndërkohë, gjyqtarja Klorinda Çela ka bërë deklarim të rremë të vlerës së këstit të parë të paguar për blerjen e apartamentit në favor të shoqërisë ndërtuese në shumën prej 2.770.000 lekë, ka mungese burimi të krijimit të depozitës bankare në shumën prej 719.800 lekë nga subjekti, përdorur për blerjen e apartamentit si dhe deklarata të tjera të rreme dhe fshehje të disa depozitave bankare.