A na duhet apo s’na duhet Akademia?! Pas reformës, që ka ndodhur në vitet e fundit me të, njerëzit as nuk e dinë dhe, më shumë akoma, as i çudit fare ekzistenca e saj. Por, së fundi, debati, që po bëhet për ftesat e saj, shpërndarë në Botë për një akademi solemne më 26 nëntor, është nga më të pabesueshmet. Ndër to spikat mungesa e profesor Rexhep Qoses, i cili, sipas pretendimeve të shumta, nuk është ftuar sepse ka cenuar në shkrimet e tij z.Berisha. Publiku shqiptar e ka përcjellë tepër i tendosur, ndërsa vetë Qosja, që këto ditë ka pësuar një fatkeqësi familjare, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes së tij, ka preferuar të heshtë dhe është nisur për një pushim të gjatë në Bjeshkë. Vetë kryetari i Akademisë, z. Beqiraj, e ka hedhur poshtë këtë variant dhe ka thënë se është një komision, që ka zgjedhur emrat.
I pari, që ka reaguar publikisht, ka qenë historiani Arben Puto. “Arsyet ishin të thjeshta, na thanë të mos i ngatërronim me qeverinë, sepse ai është shprehur kundër Kryeministrit. Po sa janë shprehur kundër Kryeministrit?! Kjo nuk e justifikon aspak këtë qëndrim,” tha Puto. Emrat e tjerë të konfirmuar deri më tani janë: Kristo Frashëri, Ismail Kadare, Arbën Xhaferri, Françesko Altimari, Pëllumb Xhufi, Oliver Schmit nga Gjermania, Tito Johalas nga arvanitasit e Greqisë etj. Z.Beqiraj, kryetari i Akademisë shqiptare, ka larë duart me një argument ‘të thjeshtë’: “Është zgjedhur një komision, që ka pasur më shumë sensin për të ftuar personazhe që lidhen me historinë. Pse nuk kujtohen për ish-kryetarin e Akademisë të Kosovës, Besim Bokshi që nuk është ftuar..''.
Në fakt, veprimi i fundit, ka nxjerrë pas një harresë të gjatë, veprimtarinë e Akademisë sonë. Për shumë nga njerëzit, Akademia është e identifikuar më shumë për heshtjen e saj për probleme madhore të vendit, por edhe përkuljen e saj dhe mos thënien e mendimit për shumë probleme me të cilat përballet vendi. Një enciklopedi e dobët përgatitur nga ajo, një aftësi e dobët parashikimi për probleme të ndryshme teknike që ka pasur vendi, pavarësi e brishtë dhe shpesh e nëpërkëmbur...
Megjithatë, shumë anëtarë të saj, as nuk e çojnë nëpërmend mosardhjen e Qoses. Profesor Jorgo Bulo do të shprehet se, “Që profesor Rexhep Qosja të mos ftohet për të marrë pjesë në Akademinë Solemne që organizon Akademia e Shkencave e Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, duhet të ishte jashtë çdo diskutimi”. Po me të njëjtën gjatësi vale përgjigjet dhe akademikja Floresha Dado: “Nuk e quaj të arsyeshme mos thirrjen e Prof. Qoses. Në të gjitha arsyetimet, ky personazh i madh i letrave shqipe ka vendin e tij të pamohueshëm në kremtimet e Pavarësisë dhe në Konferencën që do të organizohet me këtë rast”.
Një arsyetim, që mund t’i vlejë më shumë, thashethemnajës është se ftesa e Qoses nuk është bërë edhe për arsye të mosmarrëveshjes së tij me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare. Duke mos dashur të ketë fërkime dhe duke shfrytëzuar dhe gjuhën e ashpër të Prof. Qoses ndaj Berishës, atëherë vendimi duket se është i prerë, që ai nuk do të jetë. Por, me këtë potencë intelektuale, që ka Shqipëria dhe me nivelin e studiuesve të saj, a ia vlen vallë që të shmanget Qosja?! Me sa duket po. Dhe, për të keqen e kësaj Akademie, që pas reformës që i bënë njerëzit e z.Berisha, nuk po e merr dot më veten...Të paktën, këtë tregoi edhe njëherë sëfundmi....
Profesor Gudar Beqiraj, Kryetar i Akademisë së Shkencave
“Ju lutem mos besoni fjalët, që thuhen andej-këndej. Me pak fjalë, kur filloi të mendohej për një aktivitet të tillë, u parashikua që Akademia t’i përgjigjej me një Konferencë kushtuar 100 vjetorit. Çdo gjë do të bëhej nga Instituti i Historisë sepse dhe Konferenca do të ishte e fokusuar më shumë në problemin historik. U përgatit një strukturë dhe vendosëm që të thërrasim disa emra, mes tyre dhe Kristo Frashëri, Kadare, Altimari, Arben Puto etj. As nuk e menduam kurrë që kjo do të ngrinte këtë stuhi dhe as kemi ndonjë paragjykim për z. Qosja. Aq më tepër, për atë që thuhet se ai ka pasur mosmarrëveshje me z.Berisha dhe kjo është arsyeja. Më çudit fakti, pse këta njerëz që gjoja u vjen keq dhe që fyejnë lart e poshtë nuk kujtohen për z.Besim Bokshi, kryetar i Akademisë së Kosovës...Pra, s’ka asnjë paragjykim për të...”.
Akademik Vaso Tole:
“Akademia e Shkencave, në kuadrin e përgatitjeve për kujtimin, festimin dhe lartësimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ka ideuar dhe ndërrmarrë një sërë nismash, projektesh dhe botimesh me shtrirje mbarëkombëtare. Pjesë e rëndësishme e kësaj fryme që çmon realisht rëndësinë e këtij viti për shqiptarët kudo ku janë, është edhe konferenca jubilare e 100 vjetorit të Pavarësisë. Si anëtar i Asamblesë së Akademisë së Shkencave, kam pasur rastin të konstatoj angazhimin dhe preokupimin e të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe të Kryesisë së saj, për të pasur një sërë veprimtarish shkencore sa me gjithëpërfshirëse, e posaçërisht, për këtë konferencë është ngarkuar edhe një komitet shkencor, i cili ka përcjellë në të gjithë «botën» akademike shqiptare e më gjerë, thirrjen për pjesëmarrje të akademikëve dhe albanologëve.
Është kënaqësi të konstatosh se kontributet që priten të prezantohen në këtë konferencë janë të shumëllojshme, e po të larmishme janë edhe firmat autoritare të shkencës sonë dhe asaj botërore që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij aktiviteti, ende në përgatitje. Debati i gjallëruar ditët e fundit në lidhje me «gjoja përjashtimin» e shumë të nderuarit Akademik Rexhep Qoses nga kjo konferencë, mendoj se është tipik për ambjentet e politikës dhe jo të shkencës dhe kërkimit shkencor. Përgatitja e konferencës është ende në proces dhe jam i bindur se ditët që do të vijnë do të sjellin edhe pjesëmarrjen dhe kontributin e pritshëm dhe të çmuar të Akademik Rexhep Qoses në të”.
Profesor Jorgo Bulo
“Që profesor Rexhep Qosja të mos ftohet për të marrë pjesë në Akademinë Solemne që organizon Akademia e Shkencave e Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, duhet të ishte jashtë çdo diskutimi. Prof. Qosja është Anëtar Nderi i Akademisë sonë të Shkencave. Ai është pa dyshim një personalitet i shquar i shkencës dhe i kulturës shqiptare, shkencëtari që më shumë se shumëkush tjetër ia ka kushtuar jetën e tij studimit të vlerave identitare të kombit dhe posaçërisht historisë së kulturës dhe të letërsisë së Rilindjes Kombëtare, duke botuar një bibliotekë të tërë studimesh fondamentale që hedhin dritë në proceset historike e kulturore që çuan në arritjen historike të shpalljes së Pavarësisë. Vepra e Akademikut Qosja është pjesë e çmuar e trashëgimit dhe e identitetit tonë shkencor kombëtar”.
Akademike Floresha Dado
Është turp i komisionit organizator që në listën e shkencëtarëve që duhet të jenë në konferencën kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë nuk paskan përfshirë Akademik Rexhep Qosen ! S'mund të jem kurrsesi dakord me këtë qëndrim, që fyen thelbin e një sistemi akademik në qëndrimin ndaj vlerave të shkencës sonë kombëtare! Që nuk kupton se një akademik, me kolanë prej 30 veprash, kushtuar kulturës së kombit, nuk mund të errësohet nga asnjë paragjykim jashtëshkencor !
Profesor Ali Aliu
“Nuk më duket ngjarje për bujë mediatike. Konferencën në fjale e konsideroj, - para se gjithash, si nismë të historianëve. Nuk do të prishte gjë të ftoheshin edhe shkrimtarë, studiues të letërsisë dhe të vlerave dhe të traditës shpirtërore. Përkundrazi...”