Masato Fukui në "udhëkryq". Japonezi prej 6 ditësh është futbollist i lirë në treg, megjithatë është ende i paqartë për të ardhmen. Shumë klube e duan, por Flamurtari është më pranë. Këtë e pranon për "Panorama Sport" vetë 27-vjeçari, gjatë një interviste ku zbulon zhvillimet më të fundit në merkato.
Kuqezinjtë i kanë plotësuar kushtet që ai ka vënë dhe kjo ndoshta mund të ndikojë që sulmuesi sezonin tjetër të transferohet në Vlorë. Por është vetë Fukui që thekson se asgjë nuk është mbyllur. Ai nuk ndihet ende gati, ndërsa jep një "asist" për Tiranën. Sipas tij, bardheblutë janë ende një opsion, por rinovimi varet edhe prej financave.
Masato, ndodheni në Shqipëri...?
Po, po. Jam në Shqipëri ende.
Kemi dëgjuar se jeni shumë pranë Flamurtarit. A është e vërtetë?
Flamurtari më ka bërë një ofertë, kemi folur.
Mund të quhet e mbyllur me ta?
Jo, nuk mund ta them këtë. Ende nuk kam mbyllur asgjë.
Vlonjatët janë gati që të plotësojnë çdo kusht për të bindur. Mund të ndikojë kjo në zgjedhjen tuaj?
Dëgjo, më kanë bërë një ofertë, por unë jam akoma duke u menduar. Nuk është mbyllur asgjë. Nuk kam firmosur me pak fjalë. Flamurtari është gati që të plotësojë kushtet, por unë nuk jam ende gati.
Pse nuk jeni gati?
Sepse po mendohem. Do studioj.
Ka ndonjë klub tjetër që ju do?
Zëra ka dhe kontaktet nuk kanë munguar, por me këto po merret menaxheri im. Kam disa oferta nga klube të ndryshme. Por akoma nuk ka vendosur asgjë.
Tirana a është një çështje e mbyllur?
Tirana (mendohet)... jo, akoma jo. Mbetet një opsion, nuk është mbyllur ende asgjë. Dhe me ta kam biseduar.
Ju pëlqen që të qëndroni ende në kryeqytet?
Varet nga situatat.
Varet nga ana financiare...?
Po, edhe nga ajo.
Adela Merko