Politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur më në fund një pasqyrim real të sajin në muajin gusht, kur pati edhe një rënie të interesave të kredive, por në fakt kjo nuk u reflektua me rritje të kreditimit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes , në daljen e tij publike u ndal në disa çështje. Sipas tij, interesat ranë si për depozitat, ashtu edhe për kreditë, por bankat mbajtën qëndrimin e tyre konservator ndërkohë që edhe kërkesa vijoi të mbetet e ulët. “Rënia e normave të interesit ka vijuar edhe në tregun e depozitave, ndërkohë që në muajin gusht u regjistrua rënie edhe në normat e interesit të kredisë. Pavarësisht këtij zhvillimi, ecuria e kredisë ka qenë e dobët gjatë këtyre muajve.
Kredia për sektorin privat, pas ngadalësimit të vazhdueshëm gjatë pjesës së parë të vitit, është tkurrur në muajt korrik dhe gusht”, tha guvernatori. Sipas tij, kjo situatë është si rezultat i frikës për të investuar nga ana e biznesit dhe individëve, ndërkohë që kreditë me probleme kanë stepur bankat të financojnë ekonominë. “Pasiguria e agjentëve privatë mbi të ardhmen është reflektuar në gatishmëri të ulët për të shpenzuar dhe në kërkesë të ulët për kredi.
Kjo pasiguri ka penguar përcjelljen e stimulit monetar në ekonomi. Gjithashtu, edhe politikat konservatore të sistemit bankar kanë ruajtur kushte të shtrënguara kreditimi dhe kanë penguar funksionimin normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare”, u shpreh kreu i BSH. Ai vlerësoi se ekonomia vijon të mbetet nën kapacitetet e saj prodhuese dhe në muajt në vijim nuk pritet që të ketë ndonjë ecuri më të mirë sesa ajo e deritanishme. Në fakt, publikimi i shifrave të INSTAT ka bërë panoramën edhe më pesimiste lidhur me rritjen ekonomike. Në këndvështrimin e treguesve fiskalë, Fullani u ndal te rritja e deficitit me gati 1.25 herë më shumë se një vit më parë, çka duhet të shihet me kujdes, pasi reflektimi ka qenë direkt në borxhin publik.