Kinë
Kinezët kanë boshatisur raftet e marketeve. Liu Qijuan nga Xianghe po ndërton “topat e mbijetesës” secili me kapacitet deri në 14 njerëz, që mund të navigojë me lehtësi deri në 1000 metra lartësi. Brenda topave të ndërtuar me skelet çeliku dhe fibra xhami ka furnizime me oksigjen, ushqim dhe ujë. Ndërsa Chen Hao, një teknik kompjuterësh, 34 vjeç, e ka marrë shumë seriozisht fundin e botës, dhe e ka pritur këtë gjatë viteve të fundit duke ndërtuar një shpellë mbijetese në verilindje të Kinës.
Në Rusi dhe Ukrainë janë rritur çmimet e qirinjve dhe shkrepëseve ditët e fundit përpara 21 dhjetorit. Njerëzit po blejnë si asnjëherë tjetër pishtarë, shkrepëse, jastëkë-termo dhe llamba me kerosen. Në qytetin industrial të Novokuznetskit ka mbaruar kripa. Në qytetin siberian Tomsk, paketat e mbijetesës rezultuan të ishin një biznes shumë i mirë. Paketat përmbajnë litar, fasha, notepad, vodka, konserva peshku dhe sapun dhe kushtojnë 890 rubla apo 29 dollarë. Ka pasur bum shitjesh të tyre, edhe pse nisi si lojë.
Indi
Banorët e Thanes, Indi, po pyesin astrologët se çfarë duhet të bëjnë që të shpëtojnë nga fundi i botës. Dhjetëra njerëz që punojnë në qytete, kanë ndërprerë punën. “Marangozi im ma la punën përgjysmë dhe iku. Ai tha se do të jetë me familjen e tij kur të vijë fundi”, tha Hoshedar Bagli, një banore në Kalua. Astrologët dhe astronomët besojnë se fundi i botës është një krijim i mendjeve idhujtare.
Francë
Fshati Pic de Bugarach besohet të jetë një vend shpëtimi kur të vijë fundi i botës. Në fillim banorët e malit e përdorën këtë teori për të bërë biznes, por tashmë i ka përfshirë paniku. Jo nga fundi i botës, por nga kaosi që do të krijohet në këtë vend. Sipas banorëve, janë më shumë se 10 mijë veta që kërkojnë të strehohen në fshatin me 189 banorë. Policia dhe trupa ushtarake e deklaruan pesë ditë si zonë ndalim kalimi në këtë vend, duke nisur që nga 19 dhjetori.
Serbi
Serbët po krijojnë fitime nga teoria e Apokalipsit duke marrë sa më shumë prenotime afër malit Rtanj, që e quajnë të shenjtë. E përditshmja serbe “Blic” shkruan se tarifa për akomodim në ambientet private afër Rtanj shkon në 500 euro nata. Sipas “Reuters”, buldozerët në Rtanj po pastronin mbrëmë rrugët nga dëbora në pritje të fluksit të njerëzve.
SHBA
Në SHBA, ndërtuesi Larri Holl i ka transformuar ish-raketat në vendqëndrime “të sigurta” luksi dhe tri prej tyre i ka shitur me 2 milionë dollarë secilën.
Bastet
Një agjenci në Viktoria, Australi, po vendos baste (legjitime) për njerëzit se si bota do të marrë fund. Një burrë ka vendosur bast 90 dollarë mbi ardhjen e fundit të botës nga zombit. Shanset janë një me $1001 dhe ai mund të fitojë më shumë se 90 000 dollarë “nëse mbijeton”. Të tjerë kanë vënë bast se fundi do të jetë nga pushtimi alien (një me 501 dollarë) apo Toka do të konsumohet nga dielli (një me 151 dollarë). Një tjetër version është nga akulli, por tri versionet e para kanë qenë më të përzgjedhurat për bastexhinjtë. Sondazhet janë kryer në 20 vende të botës dhe mesatarja e njerëzve që besojnë se fundi do të vijë nesër është 10 për qind e popullsisë.
Etnia Maja dënon bizneset
Komuniteti etnik Maja thotë se fundi i kalendarit antik më 21 dhjetor 2012 nuk sinjalizon asnjë katastrofë, por thjesht fillimin e një kalendari të ri. Ata dënojnë shfrytëzimin financiar të kulturës së tyre të lashtë dhe planifikojnë ta shënojnë 21 dhjetorin me ceremoni private në vendet arkeologjike të Majave, shumë larg nga turmat masive që priten në Meksikë dhe Amerikën Qendrore.
Festë në Rivierën e Majave
Në Tulum, Meksiko, afër Rivierës së Majave, njerëzit festuan solsticin dimëror, ndërkohë që shumë janë në panik për fundin e botës, 21 dhjetorin 2012. Përkundër besimtarëve të teorisë së apokalipsit, njerëz nga e gjithë bota janë mbledhur në këtë vend për të festuar “Epokën e Re”. Që nga klubet e qarqeve planetare e deri në grupe të astrologëve të Majave, liderë shpirtërorë thanë se po lënë pas negativitetin dhe egon në vitin 2012 dhe po kërkojnë një qëllim më të madh universal për 2013-n. Ata besojnë se solstici dimëror, që ishte dje në orën 5:11 të mëngjesit, do të jetë kthesa nga kjo epokë në tjetrën. Ndërkohë për trashëguesit e tokës së Majave jeta vazhdon normalisht, duke vazhduar punën e shërbyer në restorantet e tyre.
Fundi sipas shkencës
Shkencëtarët thonë se fundi i botës nuk do të vijë, të paktën jo të premten, por ata kanë parashikuar një sërë katastrofash për ne, si kometat e errëta, uria, super-vullkanet, ndryshimet e klimës dhe sëmundjet si murtaja apo kanceri. Këto paralajmërime shkencore mund të jenë shkaqet që do të përmbushin profecinë e “Ditës së Fundit”. Profesoresha e astrofizikës, Xhoselin Bell Burnell, e cila zbulon pulsarët, beson se shkatërrimi në Tokë mund të vijë nga ndonjë kometë e zezë. Një rast i tillë do të ishte i njëjtë me fatin e dinozaurëve 165 milionë vjet më parë. Kometat e errëta kanë shumë pluhur dhe më pak akull se të tjerat dhe kjo i bën shumë të vështira për t’u dalluar. Pluhuri i saj do të mbetej në atmosferë duke vrarë dalëngadalë gjithë gjallesat.
Dave Rotheri, një vullkanolog në “Open University”, parashikon një fund të ngjashëm, por beson se pluhuri në atmosferë do të shkaktohet nga një supervullkan. Brajan Lovell, ish-presidenti i shoqërisë gjeologjike, i kontaktuar nga “The Times” tha se një opsion fundi do të ishte dalja e metanit e shkaktuar nga rrëshqitjet e tokës nën oqean.
Gjimnazistët e Tiranës: Fundi i botës? S’e besojmë
Data përkon me fundin e semestrit
Nxënësit e shkollave të mesme e 9-vjeçare të kryeqytetit duket se nuk e kanë vënë fort ujin në zjarr për përmbysjen e mundshme të botës më 21 dhjetor. Për fat, kjo datë ka përkuar me mbylljen e semestrit dhe më së shumti vëmendjen e kanë përqendruar tek organizimet për festat e fundvitit. Gjatë vëzhgimit që gazeta bëri dje, pjesa dërrmuese e nxënësve e quajti—lajmin e bujshëm që ka përfshirë ditët e fundit të gjithë botën. “Nuk e besojmë fare. Ditën e premte kemi orë të shkurtuara dhe më pas kemi organizuar një party me klasën”, tha Aida, nxënëse e vitit të dytë në gjimnazin “Qemal Stafa”. Akoma më mosbesues ishin djemtë. “Këto janë budallallëqe me brirë. Nuk i besojmë fare. Ata që e kanë nxjerrë këtë histori, duan të bëjnë ca lekë edhe kaq”, tha Arbri, një maturant në gjimnazin “Sami Frashëri”.
Gjimnazistët ishin më të informuar në lidhje me profecinë e fisit Maja, ndërsa nxënësit e shkollave 9-vjeçare pranonin se kishin dëgjuar për fundin e botës, por pa u futur në brendësi. Mësuesit nga ana e tyre pohojnë se për shkollat do të jetë një ditë normale. “Në fillim ajo që u diskutua nga nxënësit, ishte bërja pushim e kësaj dite, por përkoi me fundin e semestrit dhe nuk pati reagime. Më shumë sesa supersticion, them se ishte një arsye për t’i bërë bisht mësimit. As vetë nxënësit nuk i besojnë të tilla histori”, tha një prej mësuesve në gjimnazin “Ismail Qemali”. Duket se sa më shumë afrohet 21 dhjetori, aq më pak besojnë të rinjtë në një mundësi të përmbysjes së botës. Gjatë këtyre ditëve, në gojët e të gjithëve po përjetohet më tepër me nota humori e batutash.