Fundi i epokes se dollarit

Fundi i epokes se dollarit
Dollari është duke humbur pozitën e tij si monedha kryesore botërore, por në këtë rast nuk pritet që të jetë euroja monedha që do të ketë përfitimet më të mëdha nga kjo situatë. Në të ardhmen ekonomistët parashikojnë rreth 5 monedha të ndryshme që do të dominojnë sistemin aktual financiar global.

Në konferencën e parë për shtyp të dhënë nga shefi i Rezervës Federale, Bankës Qendrore Amerikane, në këto 98 vjet të ekzistencës së saj, Ben Bernanke njoftoi të mërkurën e kaluar atë që të gjithë prisnin dhe donin që të dëgjonin. Me flamurin amerikan në sfond si dhe me atë të Bankës Qendrore në krah të tij, Ben tha: ”Fed beson se një dollar i fortë është si në interes të Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe në interes të ekonomisë botërore”. Bernanke ka bërë shpesh deklarata të tilla, sikundër ka bërë edhe shefi aktual i Thesarit, Timothy Geithner. Nënvizimi i forcës dhe fuqisë së dollarit ka qenë gjithmonë pjesë e repertorit standard si të bankës në fjalë, ashtu edhe të Thesarit amerikan.

Kjo përsëritje e vazhdueshme dhe e mërzitshme është në fakt një shenjë shqetësuese, gjithsesi. Deklarata gjithmonë bëhet kur gjërat nuk janë mirë dhe dollari, për hir të së vërtetës, ka kohë që është në rënie të lirë. Në këtë drejtim, monedhat janë si njerëzit: ata që janë me të vërtetë të fortë, nuk e ndiejnë të nevojshme që ta shpallin lart e poshtë një gjë të tillë. Në të vërtetë, monedha amerikane aktualisht është goditur nga një sërë anësh dhe është në një gjendje shumë të brishtë, për të mos thënë të dobët. Shkalla e shkëmbimit me euron është stabilizuar në masën 1.50 dollarë, që nuk është shumë larg nga pika e ulët që kapi para shpërthimit të krizës financiare. Që nga fillimi i këtij viti, dollari ka humbur 13% ndaj monedhës së përbashkët europiane.

Zhvillimi i thellë global

Rënia e vlerës së dollarit në tregun e valutës, megjithatë, është një nga treguesit e një zhvillimi të madh global. Dollari është në rrezik të humbjes së rolit të tij si monedha globale rezervë dhe monedha kryesore për eksportet. Nga kjo situatë e dobët e dollarit është duke përfituar jo vetëm euroja, pavarësisht problemeve që ka me Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë, por edhe monedha të vendeve tashmë shumë të fuqishme ekonomikisht si Kina, India dhe Brazili, që ka shumë të ngjarë të luajnë një rol të rëndësishëm në një të ardhme shumë të afërt në tregjet financiare si për sa i përket tregtisë, ashtu edhe praktikave të investimeve të bankave qendrore. Dollari nuk e ka më monopolin në këtë fushë, sipas shumë ekonomistëve. Ka shumë arsye afatshkurtra dhe afatgjata për rënien e monedhës së gjelbër, një monedhë që dikur kishte mbuluar të gjithë botën.

Politikat fiskale  të Presidentit amerikan, Barak Obama dhe paraardhësve të tij hedhin dyshime në lidhje me aftësinë paguese të Amerikës ndaj borxheve të saja të mëdha, të akumuluara prej një kohe të gjatë, që tashmë kanë kapur një përmasë të frikshme dhe kritike. Agjencia e famshme ‘Standard&Poor’ dy ditë më parë deklaroi se Shtetet e Bashkuara, por edhe Japonia janë negative për dhënien e kredive, pra nuk kanë shumë siguri dhe besueshmëri në treg. Si për t’i bërë gjërat më keq, shkalla e ulët e interesit, politika e ndjekur nga Banka Qendrore Amerikane, Rezerva Federale do të eruozonojë edhe më tej vlerën e dollarit. Banka Qendrore është duke printuar monedha pa limit për të financuar buxhetin federal amerikan. Kjo është një garanci e sigurt për një inflacion më të lartë.

Veç kësaj, Shtetet e Bashkuara janë duke humbur dominancë në ekonominë globale. Në mesin e shekullit të 20-të, ky vend prodhonte një pjesë të madhe të mallrave që qarkullonin në botë. Sot pjesa e këtij vendi në GDP-në e planetit është ulur me 24% dhe pritet që të ulet edhe më. Rënia e rëndësisë së Amerikës ka pasoja edhe për rolin e dollarit. “Nuk është e qartë se përse dollari, monedha e një ekonomie që nuk është më ajo e më e madhja në botë, duhet që të vazhdojë që të jetë më e rëndësishmja dhe pika e referimit në transaksionet më të mëdha dhe më të rëndësishme globale?

Të gjitha ndryshimet e dollarit dhe të sistemit global të ekonomisë kanë filluar të ndihen, vetëm se bëhet fjalë për një ndryshim gradual, por të sigurt dhe pa kthim pas. Dollari ende përdoret dyfish më shumë se euroja në transaksionet ndërkombëtare të shkëmbimit të monedhave, por aksionet e tij kanë rënë gradualisht dhe bindshëm 10 vitet e fundit, ndërkohë që popullariteti i euros është rritur. Është e njëjta histori edhe kur bëhet fjalë për monedhat rezervë. Vitin e  kaluar, bankat qendrore të botës, 61% të rezervave apo aksioneve të tyre i kishin në dollarë. Në vitin 2000 kjo shifër ishte 10% më e lartë. Vendi vakant që u la në këto banka nga dollari pak nga pak nisi që të mbushej fillimisht nga euroja. Aksionet e saj u rritën nga 18% që ishin në vitin 2000, në 26% 10 vjet më vonë. Euroja është gjithashtu duke fituar terren në rolin e saj si monedhë këmbyese.

Ka vend për më shumë se një monedhë “kyçe”

Shumë ekonomistë presin që monedha amerikane do të vazhdojë që të humbasë rëndësinë e saj, dhe jo vetëm për shkak se euroja është duke fituar nga pak erren. Sipas një analisti, ndërsa ekonomia botërore po shndërrohet në një ekonomi shumëpolare, edhe sistemi i saj monetar, sipas logjikës do të bëhet shumëpolar. Një universitet gjerman është duke punuar në lidhje me shfaqjen e  tendencave të reja monetare botërore. Profesorët që po merren me këtë studim janë të mendimit se epoka e dollarit si një monedhë që kishte monopolin mbi gjithçka dhe që konsiderohej si monedha kyçe, ka marrë fund dhe se në këtë botë të globalizuar ka vend edhe për shumë monedha të tjera të forta dhe të rëndësishme. Euroja ka shanse të mira për të vazhduar të fitojë terren. Por suksesi i saj do të vendoset dhe vlerësohet nga konkurrenca në lidhje me strategjinë e stabilitetit që do të ofrojë ajo apo monedha të tjera të forta. Me pak fjalë, do të fitojë ajo monedhë që do të jetë në gjendje që të mbajë inflacionin në nivele të ulëta.

Ekonomia amerikane e “mbytur” me likuiditete

Parashikimi aktual për europianët nuk është i keq. Në fund të fundit, Banka Qendrore Europiane i ka rritur përqindjet e interesit për të ulur inflacionin, ndërkohë që Bernanke vazhdon që ta “mbushë” ekonominë amerikane me likuiditete. Sipas specialistëve, zhvillimi i ardhshëm i rritjes së euros do të jetë “defragmentarizimi i tregjeve europiane për bonot qeveritare”. E thënë thjeshtë: bonot gjermane dhe franceze mund të zhduken nga tregu dhe mund të zëvendësohen me bono të standardizuara europiane, por vetëm nëse të gjitha vendet anëtare do t’ia dalin mbanë që të mbajnë borxhin e tyre në kontroll. Politikanët ende nuk po i afrohen një realiteti të tillë, për shkak se i druhen aftësisë kredituese të vendeve të tyre.

Përveç euros, është edhe juani kinez ai që ka shanse shumë të mira për t’u vendosur në pozita shumë të forta ndërkombëtare, madje edhe në pozitën e një monedhe ndërkombëtare kyç. Një tjetër monedhë është edhe rupia indiane dhe reali brazilian. Këto monedha janë të vendeve që kanë një dinamizëm shumë të madh ekonomik dhe në kontrast me Europë, janë edhe vende me një popullsi shumë në rritje. Por më parë këto vende do të duhet që të përmbushim  një numër kushtesh. Së pari, duhet që të sigurojnë që monedhat e tyre janë lehtësisht të shkëmbyeshme në çdo kohë dhe me çdo monedhë tjetër dhe duhet të kenë edhe një treg të fuqishme financiar. Aktualisht këto dy kushte plotësohen në mënyrë shumë të kufizuar.

Ashtu sikundër dollari nuk pritet që të humbasë rëndësinë dhe vlerën e tij brenda natës, edhe rëndësia e juanit dhe e monedhave të tjera nuk do të bëhet e dukshme brenda natës. Në çdo rast, të gjithë e kuptojnë se rruga përpara është e gjatë. Rruga mund të jetë e gjatë, por një gjë është e sigurt; që nuk do të ketë kthime pas. Brenda 5 vjetësh euroja dhe juani do të jenë rivale shumë të rëndësishme të dollarit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama