Fundi i luftes se pergjakshme ndaj droges
- Botuar: 12 vite më parë
- Shkruar nga:
Legalizimi
Eksperimente në legalizim po tregojnë se po ecim drejt epokës së pasluftës kundër kontrollit të drogës
Nga kapitoli i shtetit të Kolorados në Denver, mund të ecësh pak më në jug drejt njërit prej bulevardeve kryesore të qytetit të quajtur “Broaduay” për ta gjetur veten në një zonë të njohur si Broadsterdam, një zonë përplot me shpërndarës droge që mbajnë emra popullorë si Fanja, Gurmet apo Farmacia e Gjithëgjelbër. Ata tregtojnë një duzinë llojesh të ndryshme marijuane apo hashashi, për çdo banor të këtij shteti që ka një “karton të kuq”: një provë për rekomandim nga mjeku.
“Pronarët e shtëpive në këtë zonë po vuanin”, thotë Uilliam Breathes (një pseudonim), i cili bën shkrime në një gazetë lokale dhe e cilëson veten si kritikun e parë të Amerikës që raporton mbi cilësitë dhe vetitë e marijuanës. Por banorët e kësaj lagjeje panë një mundësi rigjallërimi kur ky shtet e konsideroi të ligjshëm përdorimin e marijuanës për arsye mjekësore në vitin 2010.
Broadsterdam i vitit 2013, si dhe shumë vende të ngjashme me të në Amerikë dhe Europë, do të qenë të paimagjinueshme në Nju Jork më 1961-shin, kur diplomatët farkëtuan konventën e vetme mbi drogën, me anë të së cilës u përpoqën të luftojnë “të keqen serioze” të varësisë. Ky traktat i nënshkruar nga 184 vende, sanksionon politikën prohibicioniste që u zbatua për më shumë se një gjysmë shekulli. Megjithëse një debat ndërkombëtar për legalizimin thjesht sa ka nisur, eksperimentet sakaq po tregojnë sesi konsumimi i drogës mund të rregullohet me ligj.
Ndryshimi po vjen, për shkak se “lufta kundër drogës” gjithnjë e më shumë po fitohet nga droga dhe grupimet e fuqishme kriminale që merren me këtë biznes. Që nga viti 1998, kur OKB-ja zhvilloi një takim me titull “Një botë e çliruar nga droga, ne mund t’ia dalim”, konsumimi i kanabisit dhe kokainës është rritur me mbi 50 për qind; për drogat e opiumit, konsumi vlerësohet se është trefishuar. Dhe një ortek ilaçesh sintetike që përdoren si drogë po trullos mendjen e njerëzve në mënyrë novatore. OKB-ja vlerëson se mbi 230 milionë njerëz përdorën droga ilegale gjatë vitit 2010. Ata dhe furnizuesit e tyre (zakonisht furnizuesit e varfër), mbushin burgjet e kombeve të zhvilluara dhe të prapambetura. Dënimet për drogë zënë rreth gjysmën e të gjithë të dënuarve që janë aktualisht në burgjet amerikane.
Të djegur nga të dyja anët
Dhe ndërsa përpjekjet për të kufizuar kërkesën kanë qenë të pafrytshme, përpjekjet për të kontrolluar furnizimet kanë qenë një disfatë shkatërrimtare. Të ardhurat e industrisë ilegale të drogës janë rreth 300 miliardë dollarë në vit, sipas vlerësimeve më konservatore të vetë OKB-së dhe këto para përfundojnë të pataksuara në xhepat e kriminelëve.
Mafia e drogës arrin të korruptojë dhe të shkatërrojë vendin ku ajo operon. Nga tetë vendet me numrin më të lartë të vrasjeve në botë, shtatë gjenden në rrugën e trafikut të kokainës nga Andet drejt Shteteve të Bashkuara dhe Europës. Vetëm zonat e luftës janë më të dhunshme sesa Hondurasi. Më shumë se 7 mijë, nga 8 milionë banorët e këtij vendi, vriten çdo vit. Në Bashkimin Europian, me 500 milionë banorë, vrasjet janë vetëm 6 mijë në vit.
Udhëheqësit e Amerikës Latine janë lodhur nga e gjitha kjo. “Përpjekjet për ndalimin e drogës ngjajnë shumë me legjendën e Sizifit, i cili më kot përpiqet të ngjisë një gur përgjatë të përpjetës së malit sërish dhe sërish”, thotë Fernando Carrera, ministri i Jashtëm i Guatemalës. Në vitet e fundit vendi i tij ka arritur me shumë lodhje të pastrojë bimët e opiumit në Rajonin e San Markos dhe në fund ka parë se opiumi është mbjellë pesë herë më shumë në rajone të tjera. Presidenti i këtij vendi, Otto Pérez Molina, tashmë dëshiron që të hartohet një rregullore ligjore për të gjitha drogat, nga hashashi te heroina dhe natyrisht, duhet të ketë kontrolle të rrepta.
Juan Manuel Santos, Presidenti Kolumbisë, mbështet legalizimin, por thotë se vendi i tij nuk është në gjendje të udhëheqë në këtë drejtim. Vitin e kaluar, Felipe Calderón, Presidenti në ikje i Meksikës, deklaroi se është “e pamundur” të ndalosh biznesin e drogës dhe bëri thirrje për “alternativa me mekanizma tregu”. Qeveria e Uruguait ka dërguar në kongres një ligj për legalizimin e shitjes së marijuanës përmes shpërndarësve shtetërorë. Drogaxhinjtë do të lejohen të blejnë deri në 40 gramë në javë, ndërsa të ardhurat do të përdoren për të financuar parandalimin e krimit dhe skemat e luftës kundër varësisë.
Në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, ndryshimi ka ardhur sakaq. Në nëntor, votuesit në Kolorado dhe në Uashington mbështetën propozimet për ta legalizuar, taksuar dhe rregulluar kanabisin për përdorim qejfi. Zyrtarët e këtij shteti janë duke punuar tashmë për të hartuar rregullat në praktikë. Më 28 shkurt, një grup pune i ngarkuar për prodhimin e rekomandimeve për ligjvënësit në Kolorado, do të dorëzojë raportin e vet.
Megjithëse ndoshta jo tërësisht e mirë, kjo do të jetë pamja e parë e botës ku kanabisi është i ligjshëm, por i rregulluar, si shumë gjëra të tjera të këqija të botës, alkooli, duhani apo pornografia. Megjithëse shumë vende (përfshirë edhe 15 shtete amerikane), kanë dekriminalizuar posedimin e kanabisit, në shumë raste trajtimi i problemit nuk është më i rëndë sesa rregullimi i trafikut. Nga ana tjetër, askund nuk është legalizuar tërësisht furnizimi.
Brenda një viti, i gjithë zinxhiri i furnizimit në Kolorado dhe në Uashington, nga kultivimi te përgatitja dhe shitja me pakicë, do të jenë brenda ligjit. Arka e shtetit do të fitojë taksa e të ardhura tarifore dhe do të kursejë burimet e zbatimit të ligjit (ndoshta me rreth 60 milionë dollarë në vit në rastin e Kolorados). Dyqane të licencuara do të shfaqen në rrugë.
Kjo do të ndodhë gjithsesi nëse supozojmë se qeveria federale do ta lejojë. Marijuana mbetet ilegale sipas aktit të substancave të kontrolluara të SHBA-së, ligji i vitit 1970 që u hartua në kuadër të zbatimit të Konventës së OKB-së dhe që ende është themeli i politikës federale mbi narkotikët. Ligji e ka vendosur marijuanën në listën e parë, ku përfshihen substancat me të cilat abuzohet me lehtësi dhe për të cilat nuk njihen përftime mjekësore. (Një gjykatë federale e apelit së fundmi rrëzoi kërkesën për ta riklasifikuar atë.)
Në dhjetor, Eric Holder, Prokurori i Përgjithshëm në Departamentin e Drejtësisë, do të publikojë një përgjigje ndaj ligjeve të reja të shteteve “së shpejti”.
Por tani për tani departamenti thotë vetëm se është në proces analizimi të iniciativave të shteteve dhe se marijuana mbetet ilegale sipas ligjit federal. Menjëherë pas deklaratës së Holder, Barak Obama i tha një intervistuesi televiziv se ai nuk do të ketë për prioritet të përndjekë penalisht konsumatorët e marijuanës në këto dy shtete. Por qeveria federale, në fund të fundit, nuk ka as burimet e nevojshme për të gjurmuar konsumatorët. Ajo merret vetëm me trafikantët e mëdhenj.
Një ide për të ardhmen mund të krijohet gjithashtu duke parë 18 shtetet plus Uashington DC-në, ku marijuana është e ligjshme për qëllime mjekësore. Federalët kanë reaguar ashpër ndaj disa prodhuesve dhe shpërndarësve, ku ligjet e shteteve janë të dobëta. Më 1996-n, Kalifornia ishte shteti i parë që miratoi përdorimin e marijuanës për arsye mjekësore, por gjyqet kanë qenë të shumta dhe konsumatorët janë ende nervozë e të frikësuar.
Në vende të tjera, më mirë të rregulluara (si Kolorado), autoritetet federale nuk kanë ndërhyrë shumë. Një problem i madh mund të jetë rrjedhja e marijuanës së ligjshme nga dy shtetet që e kanë legalizuar për qëllime qejfi në shtetet e tjera, ku është ende e paligjshme. Pasi u takua me Holder në janar, Jay Inslee, guvernatori i Uashingtonit, u tha reporterëve se shteti i tij do të kujdeset shumë që kjo gjë të mos ndodhë.
Për disa, kjo është një përpjekje e kotë. “Ne do të bëhemi burimi për të gjithë pjesën tjetër të vendit”, thotë me trishtim Tom Gorman, nga një agjenci federale e luftës kundër drogës në Denver. Vitin e kaluar, ai zbuloi disa dhjetëra raste kur marijuana e destinuar për përdorim mjekësor është dërguar në shtete të tjera për përdorim për qejf. Në 23 shtete janë zbuluar raste të marijuanës së shitur në mënyrë të ligjshme në Kolorado dhe të konsumuara në mënyrë të paligjshme gjetkë. Legalizimi pritet ta shtojë shumëfish këtë praktikë.
Megjithatë fakti është që rrjedhja e marijuanës nga Kolorado te shtetet e tjera, ka gjasa që do ta bëjë jetën disi të vështirë për grupimet kriminale të Meksikës, të cilat vlerësohet se furnizojnë mes 40 dhe 70 për qind të të gjithë marijuanës së konsumuar në Amerikë. Tregtia e tyre sjell 2 miliardë dollarë përfitime në vit; fitimet e kokainës janë rreth 2.4 miliardë në vit. Një pjesë e këtij modeli biznesi është vrasja: rreth 70 mijë njerëz kanë humbur jetën gjatë pesë viteve të fundit. Tani ekspertët mendojnë se pasi Kolorado dhe Uashingtoni të ketë marijuanën e prodhimit vendas me bollëk, meksikanët do të humbasin gati tre të katërtat e konsumatorëve amerikanë, megjithëse vlerësimet janë të kritikuara.
Shumë gjëra do të varen nga mënyra sesi ligjet e shtetit do të hartohen dhe zbatohen. Kolorado sakaq po mendon të lejojë shitësit me pakicë t’u shërbejnë edhe amerikanëve që nuk janë banorë të këtij shteti, ndoshta me sasi të kufizuara. Ky shtet dëshiron gjithashtu të lehtësojë shërbimet financiare për këtë industri. Shumë nga shpërndarësit nuk janë në gjendje as të marrin një kredi të vogël.
Në përpjekje për t’u përmbajtur
Jack Finlaw dhe Barbara Brohl, të cilët janë ngarkuar me detyrën për të hartuar rregullat e tregtisë në Kolorado, po mendojnë edhe për një “integrim vertikal” të rregullave, të ngjashme me ato që kanë karakterizuar ligjet e funksionimit të tregut të marijuanës mjekësore. Shpërndarësit janë të detyruar të prodhojnë vetë së paku 70 për qind të marijuanës që shesin. Disa e kultivojnë atë në kushtet e shtëpisë; shumica, në serra apo magazina. Kjo dëmton shpërndarjen dhe tregun me shumicë.
Rob Corry, një avokat pro legalizimit, e cilëson “absurde” një rregull të tillë. “Është njësoj sikur një supermarket të detyrohet të ketë nën pronësi një kopsht me mollë”, thotë ai.
Si në çfarëdo biznesi, rregullat e ashpra përmbajnë kosto ekstra. Por këto rregulla kanë ndihmuar qytetarët të mësohen me këtë tregti të pazakontë. “Ne kemi treguar se mund të bëjmë një industri që të funksionojë këtu”, thotë Ean Seeb, një shpërndarës kryesor në Denver.
Pranimi nga publiku, si dhe një fushatë e mençur, (e paguar nga të tjerët), solli fitoren në Kolorado. Industria e marijuanës mjekësore në Uashington është më e prapambetur, por mbështetësit e prohibicionizmit këtu qenë gjithashtu të mposhtur në garën për financimin e fushatave pro dhe kundër legalizimit.
Ndryshime më të mëdha po ndodhin. Njësoj si me martesat gej, popullata po mbështet gjithnjë e më shumë legalizimin. Ndonëse kjo mund të ngjante tmerrësisht revoltuese disa vite më parë për amerikanët, sot më shumë se gjysma e tyre mbështet legalizimin. Aktivistët e legalizimit po shpresojnë për fitore të reja, veçanërisht në shtetet relativisht liberale të verilindjes. Disa guxojnë të shpresojnë se një ditë edhe ndalimi federal i marijuanës do të rrëzohet.
Armiqtë e tyre kanë gjithashtu një industri, e cila konsiderohet si industria e prohibicionizmit: janë zyrtarët dhe burokratët që kanë shpenzuar jetën e tyre profesionale në luftë kundër drogës.
Zyrtarët e luftës kundër drogës në agjencinë DEA i kanë shkruar një letër kryeprokurorit Holder, duke i kërkuar të luftojë për ligjin federal. Të tjerë kanë frikë se legalizimi i marijuanës do të rrisë konsumin e saj, në rast se fillon të reklamohet e marketizohet. Kjo krijon frikë për problemet shëndetësore dhe rreziqe të reja. Aktivistët pro legalizimit kundërargumentojnë, duke thënë se rritja e konsumit të marijuanës do të sjellë rënien e konsumit të alkoolit. Në fund të fundit, nëse njerëzit dëshirojnë të bëhen tapë, do ta gjejnë mënyrën, siç e gjejnë edhe në vendet ku alkooli është i paligjshëm, apo në ato vende ku konsumimi i drogës dënohet me vdekje. Për më tepër, marijuana legale mund të sjellë rënien e konsumit të drogave të rënda. Por këto janë vetëm argumente teorike. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me të vërtetë.
Makthi i shëndetësisë publike është që një numër i madh njerëzish mund të rrinë gjithë ditën të droguar dhe as të mos e mendojnë të shkojnë në punë.
Politika ndaj kanabisit po ndryshon edhe në Europë. Në dyqanin “Santa Maria”, në rrugën pranë spitalit kryesor të Madridit, blerësit kanë zënë radhë për të marrë pleh kimik dhe fara kanabisi të importuara nga Holanda. Pronari Pedro Pérez, plot gjallëri, paralajmëron klientët të mos e kryejnë mbjelljen deri sa të vijë fundi i marsit, kur largohet edhe ngrica, e cila mund ta vrasë bimën.
Sjellja e Spanjës tashmë rivalizon atë të liberalëve pararojë holandezë. Megjithëse shitja e kanabisit është ilegale, blerja nuk është. Për rrjedhojë janë krijuar qindra “klube shoqërore” kanabisi, të cilat lejojnë anëtarët të ndajnë blerjet që kanë bërë.
Kjo funksionon si një tip kooperative, ku anëtarët e rinj duhet të presin deri në gjashtë muaj, në mënyrë që bima e tyre kanabis të rritet para se të anëtarësohen. Tashmë këto gjysmorganizata kanë mijëra “anëtarë” që blejnë kanabis.
Një organizatë e tillë në Barcelonë bëri edhe një marrëveshje me vlerë 1.3 milionë euro me qeverinë e qytezës së Rasqueras për të rritur drogë në tokë publike, në një zonë që është më shumë e njohur për bajame. Eksperienca të ngjashme janë duke u zhvilluar edhe në Francë, Belgjikë, Itali e Gjermani. Dhe në shumicën e Britanisë, rreziku i përndjekjes ligjore për përdorimin e sasive të vogla të drogave të lehta është duke u zhdukur.
Por politika më gjithëpërfshirëse vjen nga Portugalia. Më 1997-n sondazhet e paraqisnin konsumin e drogës si problemin më të madh shoqëror të vendit. Tashmë, 12 vite pas dekriminalizimit të përdorimit personal, ky është shqetësimi i trembëdhjetë i vendit. Të gjitha partitë tashmë mbështesin politikën e trajtimit të drogës si një problem shëndetësor, jo si një krim.
Por dekriminalizimi nuk është njësoj si legalizimi. Portugalia përdor grupe pune të përbërë nga mjekë, psikologë e specialistë të tjerë për bindjen e konsumatorëve të heqin dorë. Ata përpiqen të dërgojnë të droguarit nën varësi te trajtimi mjekësor dhe të ndalojnë përdoruesit rastësorë për qejf që të mos bien në varësi.
Me raste ata mund të vendosin gjoba dhe të japin dënime për punë publike. Duke hequr “frikën dhe stigmën” e ndëshkimit kriminal, përdoruesit e drogës nxiten të kërkojnë ndihmën që kanë nevojë.
“Brendan Hughes”, një qendër kërkimore për drogën dhe varësinë ndaj drogës me bazë në Lisbonë, agjenci e Bashkimit Europian, thotë se Portugalia është shembulli pozitiv për masat e marra në këtë drejtim.
Edhe vende të tjera po ndjekin këtë shembull. Më 2009-n, Çekia dekriminalizoi posedimin e drogës. Në dhjetorin e kaluar legalizoi përdorimin mjekësor të kanabisit. Plani është për importimin nga Holanda dhe Izraeli që duhet të shiten nëpër farmaci. Nëse kjo funksionon, atëherë do të licencohet një numër kompanish për të krijuar konkurrencë në prodhimin vendas.
Molekulat eluzive
Novacioni tjetër i politikave në Europë ka qenë reduktimi i masave ndëshkuese në rastet e varësisë nga heroina dhe kokaina, në këmbim të reduktimit të varësisë. Por problemi më i madh qëndron në faktin se gjatë viteve të fundit, drogat ilegale po zëvendësohen me droga kimike, që shpesh shiten në farmaci, ose krijohen nga përzierje kimikatesh lehtësisht të gjetshme në treg. Në Britani, përzierje të njohura si mefedrone dhe ketamine janë duke zaptuar tregun e jetës së natës. Këto janë kimikate shumë më të dëmshme sesa drogat ilegale dhe policia e ka shumë të vështirë të luftojë fenomenin.
Regjimi ligjor i kokainës është më i debatueshëm. Disa vende, përfshirë Portugalinë, Meksikën dhe Kolumbinë, e kanë dekriminalizuar posedimin e dozave të vogla, duke i referuar ata që kapen te trajtimi mjekësor dhe jo te burgu. Por dëmi shëndetësor i kokainës dhe shkalla e lartë e varësisë që krijon, shoqëruar me vështirësitë e heqjes së varësisë, i ka futur qeveritë në dilema mbi mundësinë e legalizimit.
Në lartësitë e Andeve, kultivimi i rregulluar për përdorim “tradicional” (gjethet e kokas japin një drithërimë të mesme si tip kafeine dhe mposhtin urinë, të ftohtin dhe sëmundjen e lartësisë), është një praktikë e njohur prej dekadash. Në Trinidad Pampa, një fshat i vogël në rajonin malor të Bolivisë, kodrat janë ndarë në tarraca të prera qartë dhe koka është mbjellë në tokë të pasuruar me hime orizi dhe rërë. I gjithë fshati është angazhuar. Edhe fëmijët ndihmojnë prindërit e tyre.
Në vitin 1961, gjethet e kokas u ndaluan krahas kokainës. Por më 11 janar të këtij viti, Bolivia u bë vendi i parë që hapi bisedime për të mos respektuar pjesërisht Konventën Kundër Drogave. Ajo u ripranua me një shënim për gjethet e kokas. Presidenti i këtij vendi i quan ato “gjethet e shenjta”. Ai vetë vjen nga një sindikatë fermerësh për rritjen e kokas dhe është i njohur se më 2008-n përzuri ambasadorin amerikan dhe zyrtarët e agjencisë kundër drogës, DEA.
Në vitin 2004, në këtë vend protesta të ashpra nga rritësit e kokas, të udhëhequr nga Morales, (në atë kohë në opozitë), bënë që Bolivia të klasifikojë si të ligjshme mbjelljen e 28 mijë hektarëve me këtë bimë. Qeveria thotë se rritja e konsumit mes minatorëve dhe kamionistëve justifikon rritjen e sipërfaqes nën kultivim. Por e vërteta është se shumica e kokas shitet gjetkë. Gjethet mund të shiten në dyqane të kontrolluara nga shteti. Më 2011-n, këto dyqane blenë 18 mijë tonë nga fermerët. OKB-ja vlerëson se prodhimi total duhet të jetë rreth 48 mijë tonë dhe diferenca dukshëm ka përfunduar në përpunim, për t’u koncentruar në kokainë dhe duke u kthyer në një nga drogat më të këqija e më me shumë varësi.
Në fund, morali është që reformat e pjesshme krijojnë shumë probleme. Një reformë gjithëpërfshirëse ndërkombëtare ndoshta do të funksionojë më mirë. Ka gjasa që Konventa Ndërkombëtare Kundër Drogës po dobësohet pjesërisht, pak nga pak. Kjo përqasje e pakoordinuar mund të sjellë probleme përgjatë rrugës.