Ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare regjisori Ibrahim Muçaj. Pati një atak në zemër, pas shqetësimeve të vazhdueshme në vitet e fundit. Të pranishëm në homazhet në hollin e Teatrit Kombëtar, familjarë, të afërm, miq, kolegë.
"Një ditë e trishtë" e quajti regjisori Dhimitër Anagnosti mesditën e 5 dhjetorit, e "një fillimvit i trishtuar" për aktorin Kastriot Çaushi, të cilit regjisori i kishte besuar role në filmat "Liri a vdekje" dhe "Nusja dhe shtetrrethimi".
Kurse aktorja Margarita Xhepa, që ka luajtur në filmat "Dimri i fundit", "Tokë e përgjakur", "Apasionata" dhe "Një vajzë e një djalë", kujton: "Kishte respekt për artistin, dinte ta dëgjonte dhe ta vlerësonte.
Edhe ndonjë kërkesë që kishim ne e merrte parasysh. Hynte në shqetësimet e artistit. Ky shqetësim i përbashkët, gjithmonë ishte në dobi të punës, për të bërë një plan të bukur, një skenë të mirë, të realizuar mirë".
Regjisori Ibrahim Muçaj ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me Kristaq Mitron, bashkëpunim që nis më 1976 për filmin e tyre të parë "Dimri i fundit", e për 12 vjet me radhë deri në realizim e "Një djalë dhe një vajzë" në vitin 1990. Në sheshin përpara teatrit, është ai që ka më shumë për të treguar për punën në sheshin e xhirimit, e jashtë tij në orët e gjata për përgatitjen e një skenarëve.
Kujtimet zënë fill që në vitet e Akademisë ku kanë studiuar bashkë, më tej në punën si asistent regjisor në Kinostudion "Shqipëria e Re", për të realizuar bashkë më pas disa filma.
Po çfarë e mbajti gjallë një bashkëpunim kaq të gjatë?
"Sinqeriteti", përgjigjet Mitro, i natyrshëm për dy të rinj rreth të tridhjetave, e më tej vijon: "Me atë sinqeritet ndërtuam edhe filmat pastaj. Nuk punonim me parulla, ose të thoshim një ide që në atë kohë kërkohej.
Ne zbërthenim dhe trajtonim njeriun, ai që ishte. Edhe kur temat ishin pak të vështira në këtë drejtim, ne i ruheshim krahut për ta politizuar. Donim që gjithçka ta fillonim nga pjesa e brendshme e njeriut, që shpesh është e fshehtë, është misterioze". Regjisori merr shembull këtu figurën e Çerçiz Topullit në filmin "Liri a vdekje".
Ndodhi të tilla, sipas tij, në kohën kur janë shkruar skenarët dhe janë realizuar filmat, nuk mund të kalonin pa diskutime dhe ndërhyrje, shpesh edhe penalizime.
"Pas mbarimit të filmit "Nusja dhe shtetrrethimi", jemi kthyer prapë në xhirim. Kemi ndërruar gjithë fundin e filmit, e xhiruam ndryshe sepse ashtu u diktua", tregon Mitro.
Këtë fjalë të shkurtër, regjisori e mbylli me një kujtim të bukur, që u duk sikur e çliroi nga trishtimi i ditës së djeshme.
"Ka qenë një moment kur mbaroi filmi "Dimri i fundit". Pasi u projektua, në pult shpërthyen duartrokitjet dhe ne ikëm të dy. Ikëm u futëm në një korridor të errët. Ne akoma nuk besonin që e kishim xhiruar."
Ibrahim Muçaj lindi në Vlorë më 8 dhjetor 1944, ku kreu edhe shkollën e mesme të përgjithshme. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve për aktrim më 1968.
Fillimisht punoi si asistent regjisor në filmat: "I teti në bronz" (1970) me regji të Viktor Gjikës, "Kur zbardh një ditë" (1971) regji të Pirro Milkanit, "Ndërgjegjja" (1972) i Hysen Hakanit, "Brazdat" (1973) i Kristaq Dhamos dhe "Gunat mbi tela" (1977) i Muharrem Fejzos.
Punët e tij të pavarura regjisoriale fillimisht janë dokumentarët: "Kënga e re" (1971) dhe "Jeta e një përmendoreje" (1974).
Ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me regjisorin Kristaq Mitro në filmat "Tokë e përgjakur" (1976), "Nusja dhe shtetrrethimi" (1978), "Telefoni i një mëngjesi" (1978), "Liri a vdekje" (1979), "Në prag të lirisë" (1981), "Njeriu i mirë" (1982), "Apasionata" (1983), "Duaje emrin tënd" (1984), "Një djalë dhe një vajzë" (1990). Pas viteve '90, ai realizoi "Një ditë e mrekullueshme" (2001) në bashkëpunim me të birin, Irvin Muçaj, kurse në vitin që sapo u mbyll, dokumentarin "Isopolifonia".
Muçaj ka qenë drejtor i Alba Film Studios, 1995-1997, e më pas pedagog në Akademinë e Arteve, e për një farë kohe drejtor Projektesh në Qendrën Kombëtare Kinematografike.
Së fundmi, qendra miratoi projektin e filmit të tij "Fundi i Iluzionit", që do të ishte një bashkëpunim me të birin, e që ndoshta tani Irvini do ta çojë përpara vetëm.
Jorida Pasku
Nga : Gazeta Shekulli